10 arsye pse ne shqiptarët duhet të duam Amerikën pa kushte
Nga:Roland Qafoku
Vera e re në fuçinë e vjetër
Sot është 4 korriku, dita e Pavarësisë së SHBA-ve. Nuk besojmë se ka ndonjë komb në rruzull, që festa e pavarësisë së një kombi tjetër, të ketë kaq shumë rëndësi sa festa kombëtare e SHBA-ve për Shqipërinë! Jemi populli më pro amerikan në botë! Jemi populli që miqësinë ndaj Amerikës, e kemi të shfaqur masivisht, por jemi edhe populli më mirënjohës për atë që SHBA-ja ka bërë për Shqipërinë! Por duket se, vitet e fundit, ka një tendencë herë për snobizëm, herë për politikë të mirëfilltë e të ngushtë dhe herë të inspiruar nga qarqe antishqiptare, që gazetarë, politikanë e deri te zyrtarë të shtetit, të hedhin vickla dhe thumba ndaj Amerikës. Kemi parë të bëjnë deri gafa të rënda, si ajo e kryeministrit Rama që, jo vetëm shprehu preferencë për kandidatin për president të SHBA-ve, por me një “Mos o Zot, zgjidhet Tramp!” – bëri që vëmendja e shtetit më të fuqishëm të botës ndaj Shqipërisë, të kthehej negativisht. Por kemi parë edhe Lulzim Bashën që, herë në një formë e herë në një tjetër, atakon ambasadorin amerikan në Tiranë, sepse nuk është në linjën e partisë së tij, a thua se politika e tij është personale dhe jo e Departamentit të Shtetit. Por ne kemi parë edhe gazetarë edhe analistë që, nën frymën e idhullit të tyre politik dhe të linjës çuditëse editoriale, të etiketojnë një ambasador dhe të akuzojë diplomatët amerikanë, si persona që i bëjnë dëm Shqipërisë. Kjo nuk është thjesht naivitet, por është dashakeqësi, arsyet e të cilave i dinë vetëm ata. Në këtë ditë të madhe për Amerikën, ne kombi më pro amerikanë në rruzull, kemi shumë arsye, jo thjesht ta urojmë Amerikën për festën. Janë të paktën 10 arsye të forta në historinë e Shqipërisë, që kjo dashuri dhe mirënjohje është shprehur në dekada dhe kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Sa herë që Shqipëria kalonte një situatë të vështirë me fqinjët dhe Amerika ishte shpëtimi i vetëm, korifeu Fan Noli shkruante: Nëno, mos ki frikë/Se ke djemtë në Amerikë!
- PAVARËSIA, 28 NËNTOR 1912
Kombi shqiptar duhet t’i jetë mirënjohës Amerikës, për një burrë të quajtur Charles Telford Ericson, që erdhi në Shqipëri më 1908 dhe pasi njohu mirë Shqipërinë dhe shqiptarët, duke i quajtur “zambaku i Ballkanit”, u bë i huaji i parë flamurtar që punoi për pavarësinë e Shqipërisë nga Turqia! Në shumë shkrime, në gazetat amerikane dhe angleze, që nga mbërritja në Shqipëri deri më 1913, Ericson i bëri jehonë asaj që po bënte Europa ndaj Shqipërisë, por edhe masakrave të Serbisë dhe Greqisë ndaj popullsisë shqiptare.
- KONFERENCA E PAQES NË PARIS, 1919
Kombi shqiptar duhet t’i jetë përjetë mirënjohës presidentit të 28-të të SHBA-ve, Thomas Woodroë Wilson, i cili në Konferencën e Paqes në Paris 1919, mbështetur në doktrinën e vetëvendosjes së popujve, mbështeti fuqimisht rikonfirmimin e pavarësisë së Shqipërisë, që në realitet në ato momente ishte një pavarësi e humbur! Ishte vetoja e Wilson ndaj Shqipërisë, që shkatërroi planet e Europës dhe sidomos të Serbisë, Greqisë dhe Italisë, për të eliminuar dhe fshirë nga harta, shtetin shqiptar. Sa kuptimplotë është të lexosh sot, pas 99 vjetësh, atë që Wilson e tha ato ditë në Paris: Amerika e ka për detyrë të pranojë thirrjet e shqiptarëve, të cilët kërkojnë ndihmë, njëlloj sikurse kapiteni i anijes e ka për detyrë t’i përgjigjet sinjalit “SOS” dhe t’i afrojë ndihmë anijes që po mbytet.
- DIPLOMACIA AMERIKANE, PRO SHQIPËRISË NË VITET 20-TË
Kombi shqiptar duhet t’i jetë mirënjohës diplomacisë amerikane që, në 22 korrik 1922, arriti të vendosë marrëdhënie zyrtare diplomatike me Shqipërinë, duke i dhënë prioritet këtyre marrëdhënieve, nëpërmjet një sërë vendimesh! Jo vetëm statusi i kombit të favorizuar më 28 dhjetor 1925, jo vetëm heqja e vizave me Shqipërinë, por ndërtimi i godinës së ambasadës amerikane në Tiranë, me vendimin e 21 gushtit 1926 për 60 mijë dollarë, e para godinë që Departamenti i Shtetit ndërtoi jashtë SHBA-ve, tregoi për vizionin e qartë të marrëdhënieve të SHBA-së me Shqipërinë. Si vitrinë e këtyre marrëdhënieve, qëndron marrëveshja unikale e ekstradimit mes presidentit Franklin D. Rosevelt, me mbretin Ahmet Zogu në vitin 1937, që tregon shkallën e nivelit të këtyre marrëdhënieve.
- QENDRIMI I SHBA GJATË LUFTËS II BOTËRORE
Kombi shqiptar duhet t’i jetë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i vetmi shtet në botë që denoncoi pushtimin e Shqipërisë nga Italia më 7 prill 1939! Ndërsa Europa nuk e quajti as lajm këtë pushtim, SHBA-ja ende asnjanëse në atë kohë ndaj luftës, bëri çmos ta ekspozonte dhe dënonte aktin e pushtimit. Vlen të përmendet se, ambasadori amerikan në Tiranë në atë kohë, Hugh Grant, më 6 prill i afroi mbretit Zog tri pasaporta – për mbretin Zog, për mbretëreshën Geraldinë dhe për Lekën 1-ditësh, për tu strehuar në ambasadën amerikane në Tiranë, duke i marrë në mbrojtje. Zogu nuk pranoi, por nëse do ta bënte këtë, historia do shkruhej ndryshe.
- RRËZIMI I KOMUNIZMIT
Ndonëse pati një indiferencë nga shtetet e Europës Perëndimore ndaj Shqipërisë, pas konferencës së Jaltës, SHBA-të kanë qenë të vëmendshme që vendi ynë të ishte jashtë orbitës komuniste. Në fund të viteve 80-të, angazhimi i SHBA-së ndaj Shqipërisë, ka qenë në atë shkallë që asnjë shtet amerikan nuk e ka patur. Vetëm radioja shtetërore e Departamentit të Shtetit, “Zëri i Amerikës”, ka luajtur rol të jashtëzakonshëm në rrëzimin e komunizmit!
- KONSOLIDIMI I DEMOKRACISË
Angazhimi i SHBA-së për vendosjen e demokracisë në Shqipëri, është i jashtëzakonshëm! Nuk ka asnjë situatë, rrethanë ose ngjarje e madhe politike, që SHBA-ja të mos mbështesë dhe inkurajojë politikën shqiptare për të zhvilluar demokracinë. Vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Becker, më 6 qershor 1991, dhe vizita historike më 10 qershor 2007 e presidentit George W. Bush, por më vonë edhe të sekretarëve Hillary Clinton dhe Madaleine Allbright, janë shembuj të kësaj mbështetjeje. Nuk ka proces të rëndësishëm në Shqipëri, për konsolidimin e institucioneve, që të mos ketë mbështetjen e SHBA-së! Së fundi, reforma në drejtësi është një sipërmarrje dhe mbështetje ekskluzive e SHBA-së.
- PAVARËSIA E KOSOVËS
Shpallja e pavarësisë së shtetit të Kosovës më 17 shkurt 2008, është ekskluzivisht vepër e SHBA-së. Kjo është ngjarja më e madhe dhe më e rëndësishme në historinë e shtetit shqiptar, pas 28 nëntorit 1912 të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Pas afro 100 vjet që Serbia e kishte bërë pjesë të saj Kosovën, SHBA-ja arriti ta shkëpusë prej saj dhe t’i japë pavarësinë e humbur prej një shekulli. Sot, kombi shqiptar ka dy shtete shqiptare dhe kjo kryevepër është produkt ekskluziv i SHBA-së!
- ANËTARËSIMI NË NATO
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO më 1 prill 2009, është një tjetër kryevepër ekskluzive e SHBA-së! Mbështetja që diplomacia dhe shteti amerikan i kanë dhënë Shqipërisë për këtë anëtarësim, ishte dhe mbetet një punë e përhershme dhe ekskluzive e shtetit amerikan. Që nga ai moment, Shqipëria jo vetëm është një vend më i sigurt, por është pjesë e aleancës më të madhe që ka njohur njerëzimi!
- MBËSHTETJA E SHTETEVE PERËNDIMORE
Nëse pas rrëzimit të komunizmit, Europa Perëndimore ka treguar mbështetje ndaj Shqipërisë, kjo ka qenë e frymëzuar dhe nxitur padyshim, nga SHBA. Është vepra e diplomacisë dhe shtetit amerikan, që Europa ta tërhiqte në gjirin e saj Shqipërinë, e cila gjeografikisht ishte në kontinent, por tashmë është në një proces pa kthim, për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian një ditë. Koordinimi i diplomacisë amerikane me atë europiane, ka qenë i pandërprerë dhe vazhdon me të njëjtin temp edhe sot.
- PËRKRAHJA E SHQIPËRISË, KUNDËR ARMIQVE TË SAJ
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një kontribut të jashtëzakonshëm, në përkrahjen që i kanë dhënë Shqipërisë në mjaft momente vendimtare, kur fqinjët tanë kanë synuar, ose t’i marrin toka dhe terrirore, ose ta dobësojnë si shtet. Janë një sërë situatash në këto 106 vjet shtet shqiptar, që Serbia, Greqia, Mali i Zi, Maqedonia, kanë treguar deri agresione ushtarake ndaj Shqipërisë, por SHBA në çdo rast, u ka thënë “Ndal”!
Burimi: Albanian Free Press