100-vjetori i Revolucionit të Tetorit, ku ta çojmë Leninin?
Kur duhet të largohet dhe të varroset kufoma e Leninit nga Mauzoleumi në Sheshin e Kuq në Moskë? Në Rusi për këtë ka diskutime polemike pak para 100 vjetorit të Revolucionit të Tetorit. Debatin këtë herë e nxitën dy politikanë shumë të ndryshëm: Xenia Sobçak, moderatore e njohur televizive dhe prej pak kohësh kandidate për zgjedhjet presidenciale në marsin e ardhshëm si dhe Presidenti i Çeçenisë, Ramsan Kadirov. Ky i fundit bëri të ditur se është e gabuar, që në “zemër të Rusisë, në Sheshin e Kuq, ndodhet një arkivol me një njeri të vdekur.” Sobçak, e bija e ish-kryetarit popullor të bashkisë së Shën Petersburgut, Anatoli Sobçak, deklaroi në një intervistë se po t’i fitojë ajo zgjedhjet, do të kujdeset që Lenini të varroset.
Por pikërisht kjo nuk është aktualisht në rend të ditës, bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë Dmitri Peskov. Në të njëjtën vrimë i ra fyellit edhe Valentina Matvijenko, zëdhënëse e Këshillit Federativ dhe ish-guvernatore e Shën Petersburgut. Edhe ajo do të fitojë kohë dhe shpreson për një rrugë “pa konflikt” për t’i dhënë përgjigje çështjes së varrosjes së Leninit. Aktualisht jetojnë ende shumë njerëz, për të cilët Lenini është shumë i rëndësishëm. Këta njerëz kanë të drejtë që të kërkojnë respekt për bindjet e tyre, tha ajo. Rusisë nuk i duhen konflikte të tjera, shtoi më tej Matvijenko.
Matvijenko, e cila bën pjesë në mbështetëset më besnike të Presidentit Putin, beson se një ditë do të ketë një referendum për faktin nëse do të varroset Lenini. “Por kjo nuk do të ndodhë sot ose nesër”, tha ajo në një bisedë e revistën “Argumenty i Fakty”.
Putini tregohet i painteresuar
Vetëm fakti që diskutohet për kufomën e Leninit e zemëron shefin e komunistëve të Rusisë, Gennadi Sjuganov. Kërkesa është e paturpshme. Ai tërhoqi vëmendjen për vende të tjera, të cilat gjithashtu i ruajnë në mauzoleume të vdekurit e tyre. Shefi 73 vjeçar i PK do të drejtojë në 7 nëntor, në përvjetorin e të ashtuquajturit Revolucion i Tetorit një paradë komunistësh dhe admiruesish të Leninit.
Aktivitete zyrtare ose edhe festa me Vladimir Putinin në kryeqytetin rus nuk do të ketë. Presidenti, tha Sjuganovi para pak kohësh, i kishte premtuar që Lenini nuk do të largohet nga Sheshi i Kuq, të paktën jo sa të jetë Putini president.
Shefi i Kremlinit vetë nuk tregon ndonjë interes të veçantë për çështjen se çfarë do të ndodhë me Leninin. I ngarkuari i tij për të Drejtat e Njeriut, Michail Fedotov, e krahasoi në një bisedë me DW themeluesin e balsamosur të Bashkimit Sovjetik me mumjet në British Museum në Londër. Edhe atje ndodhen mumje të faraonëve ose të sundimtarëve të mëparshëm, pa shkuar njeri atje që të vërë lule. Shkurt, për çështjen e varrimit të Leninit ai nuk mund të shqetësohet.
Lenini e kundërshtonte kultin e personit
Vendimi për ta balsamosur Leninin, ka të bëjë me pasardhësin e tij, Stalinin. Më parë, kufoma e udhëheqësit të revolucionit dhe e vrasësit masiv, prej vitit 1924 ruhej në një ambjent provizor prej druri. Vite më vonë u ngrit një mauzoleum prej betoni dhe graniti. Që atëherë, dyzina shkencëtarësh e retushojnë kufomën – ose atë që ka mbetur prej saj.
Në të gjallë, Lenini u shpreh kundër çdo lloj kulti personi. Bashkëpunëtori i tij më i ngushtë gjatë të ashtuquajturit Revolucion i Tetorit, Trocki si dhe vejusha e Leninit, Nadjezhda Krupskaja, u shprehën kundër ekspozimit të të vdekurit. Pas fundit të Bashkimit Sovjetik, nën ish-Presidentin Boris Jelcin ka pasur disa përpjekje për t’i dhënë fund kultit të të vdekurit. Edhe Kisha Ortodokse Ruse është për varrosjen e Leninit. Por as Jelcini, as kisha nuk qenë në gjendje që ta impononin vendimin e tyre.