12 gratë që duan të bëhen kryebashkiake

 

12 nga kandidaturat e mazhorancës dhe opozitës për zgjedhjet e 21 qershorit, janë gra. 10 prej tyre do të garojnë nën siglën e mazhorancës dhe vetëm 2 nën atë të opozitës. Opozita, kandidatet e saj femra i ka në dy bashki kryesore, Durrësin e Shkodrën. Në qytetin verior do të kandidojë Voltana Ademi. Deputetja e Partisë Demokratike, ish –nënkryetare e kësaj bashkie dhe ish –prefekte e qarkut të Shkodrës, do të ketë përballë një tjetër grua. Keti Bazhdardi do të kandidojë për Partinë Socialiste. E ardhur nga shtresa e ish –të përndjekurve ajo do të kërkojë gjithashtu votën e qytetarëve të Shkodrës për të administruar punët e qytetit. Cilado qoftë fituesja, kjo bashki do të ketë në krye të saj një grua.

Në Durrës, opozita kandidoi Grida Dumën. Ajo do të kërkojë të “thyejë” Vangjush Dakon që garon për një mandat të tretë.

Të gjitha kandidatet e tjera janë të së majtës. Në Gjirokastër, nën siglën e mazhorancës do të jetë kandidatja e LSI –së, Zamira Rami.

Po për LSI, Diana Mile kandidon në Pogradec dhe Miranda Rira në Prrenjas.

Në Mat, e majta kandidon Adelina Faricin, në Roskovec Majlinda Bufin, në Klos Valbona Kolën, në Sarandë Floriana Kokën, në Patos Rajmonda Balilin.

Mimoza Arapi kandidon për llogari të PDIU –së, sërish nën siglën e mazhorancës.

SHKARKO APP