13 vite në protestat me gaz dhe një ritual me zhurmë por pa shpresë

Nga Redjon Shtylla

Në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013, për herë të parë do të votoja se i kisha kaluar të 18-tat, dhe emrin e lexova në listat e zgjedhësve. Por ajo ditë nuk më gjeti pranë kutisë së votimit. Universiteti ku kryeja studimet për gazetari më ofroi një mundësi që nuk refuzohej. Një internship në një televizion në Stamboll. Një ekran i madh, një metropol që e njihja vetëm nga serialet, dhe mbi të gjitha një shans për të parë nga afër se si funksionon media përtej kufijve shqiptarë. Ishte ëndrra e një studenti të ri që donte të bëhej gazetar, por bashkë me të edhe trishtimi për të votuar, se e ndjeja veten njëjtë si një fëmijë i gazëllyer.

Nga Stambolli si një i ri që me shumë mund gjeta pak internet dhe me një telefon të lodhur, zgjedhjet i ndoqa përmes Facebook-ut. Partia Demokratike humbi zgjedhjet. Sali Berisha dha dorëheqjen me një krenari. Fotot e lotëve të stafit të Berishës, të fytyrave të ngrira po qarkulluan me shpejtësi. Ishte fundi i një kapitulli dhe fillimi i një tjetri për Partinë Socialiste. Që nga ajo kohë, Partia Demokratike hyri në një cikël protestash, që sot bëhen 13 vite. Jemi ballafaqur nga protestat që për korrupsionin, ato për reformën në drejtësi. Protesta për të kundërshtuar rezultatet e zgjedhjeve, qofshin ato parlamentare apo dhe lokale. Protesta për dorëheqjen e qeverisë. Protesta për zgjedhje të reja. Forma ndryshonin, sloganet gjithashtu, por skenari mbetej i njëjtë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Unë në atë kohë isha ende një i ri i frymëzuar, me një besim pothuajse naiv se fjala kishte peshë dhe se e vërteta. Në vitin 2015, fillova punë si gazetar në gazetën ”Koha Jonë”. Që prej asaj dite, protestat e Partisë Demokratike u bënë pjesë e pandashme e punës. Nuk ishin më ngjarje për t’u ndjekur nga distanca, por me kamerën gati dhe me instinktin e një të riu që doja të fiksoja çdo moment, pankartë dhe situata që më parë i shihja në ekran, në lajme.

Swiss Digital Mobile Reklama

Kam raportuar pothuajse në çdo protestë. Kam qenë aty kur kryetar ishte Lulzim Basha, duke ndjekur një opozitë që kërkonte veten mes hezitimit dhe presionit, dhe jam sërish aty tani që Partia Demokratike drejtohet nga Sali Berisha. Kam parë turma që vinin nga rrethet me autobusë, me shpresë në sy dhe me flamuj në duar, dhe kam parë po ato turma që largoheshin në mbrëmje, të lodhur, të heshtur, shpesh të zhgënjyer dhe pa e ditur saktësisht çfarë kishin fituar.

Kam dëgjuar fjalime që ulërisnin për drejtësi dhe demokraci, që premtonin ndryshim, përmbysje, por që digjeshin brenda disa orësh nga realiteti politik. Premtime që mbeteshin në ajër, parulla që humbnin kuptimin sapo mikrofonat fikeshin. Kam thithur gaz lotsjellës më shumë seç do të doja ta pranoja, kam vrapuar nëpër protestë për të qenë dëshmitar i çdo momente dhe e dua sfidën dhe rrezikun, edhe pse në shumë raste kam shpëtuar për një fije. E ajo fije është ende e pashkëputur nga PD, nuk e ka djegur me luftën e saj që herë më duket patetike, e herë me vend.

Ka ditë që më kujtohet djegia në fyt nga gazi dhe në sytë që për pak momente e humbin qartësinë dhe ndizeshin flakë që gazi që është lëshuar pa pushim, pa ndalur, sikur populli që jetë armik i Shqipërisë. Kam kaluar pranë flakëve, shisheve molotov që shpërthenin disa metra larg meje, kordonëve të policisë që mbylleshin si mure të ftohta përballë zemërimit të protestuesve. Kam parë njerëz të plagosur, fytyra të gjakosura, dhe kam parë edhe indiferencën e atyre që i përdorin këto skena si kapital politik. Shëndeti më është rrezikuar më shumë se një herë. Ka pasur momente kur trupi më thoshte të largohesha, kur instinkti për të filmuar MOMENTIN ishte më i fortë se çdo ideal. Por asnjëherë nuk jam larguar nga detyra. Gazetaria nuk është komoditet, edhe kur është e rrezikshme, edhe kur askush nuk të falënderon, ti duhet të jesh aty si sy për publikun.

Protesta e 24 Janarit 2026 ishte një tjetër kapitull në këtë kronikë të gjatë. E thirrur nga PD-ja si një Protestë kombëtare, ajo mbante mbi supe retorikën e një përballjeje vendimtare. Shkova herët si zakoinisht, u pozicionova përballë Kryeministrisë e cila ishte e blinduar deri në detaj nga forcat e rendit. Garda, policia, barrierat metalike një simbol i qartë i një shteti që nuk pret dialog, por përplasje. U vendosa pranë skenës së Partisë Demokratike. Jo rastësisht. Aty kapen momentet më të forta vizualisht: flakadanët që ndizen sapo Sali Berisha mbyll fjalën. Por atë ditë, diçka ishte ndryshe. Sali Berishën e pashë të lodhur. Të shpërqendruar. Jo më figurën e dikurshme dominuese që i fliste turmës me siguri absolute, por një lider të rënduar nga koha.

Nga një i ri që nuk votoi dot për herë të parë, te një gazetar që ka parë demokracinë shqiptare më shumë në rrugë sesa në institucione. Një opozitë që proteston pa pushim dhe një qeveri që blindon veten, ndërsa qytetari mbetet në mes si një thes që merr gjuajtje nga një përplasjeje që duket se nuk mbaron kurrë, që thirret për protestë, por merr gaz, që thirret për protestë por që pas disa orësh merr një sms që është kthyer edhe në temë batute mes njerëzve: Falëminderit, do mblidhemi sërish.

Ky nuk është thjesht rrëfimi im personal, por edhe një mesazh që në 13 vite qytetarët kanë thithur gaz, janë goditur, burgosur dhe falënderuar për pjesëmarrjen me thirrje që janë pa fund nga selia blu, siç po thirren edhe për datën 10 shkurt. Figurat e PD-së, përfshirë edhe liderin Berisha kanë ”ndryshuar retorikë”, duke hedhur në treg sërish skenarin e qëndrimit në shesh përballë Kryeministrisë. Shqipëria e ka parë këtë film, çadra u ngrit kur kryetar ishte Basha, qeveria teknike u pa në kohën e Bashës dhe rezultati dihet. Sot riciklohet e njëjta strategji, me të njëjtat slogane të konsumuara. Populli nuk mund të thirret më si dekor proteste, e aq më pak të falënderohet me gaz lotsjellës, madje edhe të skaduar. Kur mungojnë idetë dhe vizioni, mbetet vetëm zhurma. Dhe kjo zhurmë nuk josh më askënd, përpos mbështetëse të zjarrtë dhe militantëve.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka të drejtë Trumpi për Groenlandën?