Të gjithë sytë nga Italia
Nga Dominique Moisi- Krijimi i një qeverie populiste në Itali prek ndjeshëm Francën dhe ambiciet e saj për reformën europiane. Me një Gjermani të dobësuar politikisht, një Europë Lindore armiqësore dhe një Spanjë shumë të paralizuar, presidenti francez Emmanuel Macron, një besimtar i vendosur i idealit europian të “bashkimit gjithnjë e më të ngushtë”, rrezikon të izolojë vendin e tij. “Ne në Francë duhet ta marrim shumë më seriozisht Italinë. Mund të mësojmë shumë nga ky vend kaq i suksesshëm.” Ky mund të tingëllojë si një citim nga shekuj më parë, jo nga viti 2015, kur ambasadori i Francës në Itali po lavdëronte në mënyrë legjitime vendin e Dantes. Një vit më pas, në prag të referendumit të Brexit të Mbretërisë së Bashkuar, gazetarët italianë më pyetën nëse vendi i tyre mund të zëvendësonte Britaninë e Madhe në “Klubin prej tre anëtarësh” të përbërë nga shtetet kryesore të Bashkimit Europian, së bashku me Gjermaninë dhe Francën.
Tani, megjithatë, ajo përzierje e fundit e besimit dhe e shpresës është zhdukur nën peshën dërrmuese të realitetit politik. Italia e sotme mund të jetë konkurrenti kryesor për titullin e “njeriut të sëmurë” të Europës. Ose dikush mund ta shohë vendin edhe si një metaforë, në mos si një përmbledhje, të gjithçkaje që ka shkuar keq në Europë.
Italia duket se ka dyfishuar dy ndarjet që aktualisht po dobësojnë Evropën: përçarja Veri-Jug për çështjet ekonomike dhe ndarja Lindje-Perëndimi mbi vlerat. Ndarja Veri-Jug nuk ka vetëm rëndësi ekonomike ose kulturore në rastin e Italisë. Ajo pasqyrohet edhe në vetë hartën e Italisë. Në zgjedhjet e përgjithshme më 4 mars, mbështetja për të dy partitë që sapo kanë formuar një qeveri – Lëvizja Pesë Yjet (M5S) dhe Partia Lidhja (më parë Lidhja Veriore) – u përqendrua respektivisht në Italinë jugore dhe veriore.
Por në Itali ka edhe një ndarje Lindje-Perëndim, këtë herë jo midis M5S dhe Lidhjes – dy partitë kryesore në mars – por midis tyre dhe partive tradicionale të qendrës së majtë dhe të qendrës së djathtë të cilët i mposhtën me vështirësi.
Pjesa tjetër e Europës – sidomos vetë vendi im, Franca – ka tendencë ta shpërfillë Italinë kur gjërat shkojnë mirë dhe të nënvlerësojë potencialin e pasojave kur gjërat shkojnë keq. Megjithatë, këtë herë gjërat në Itali po shkojnë aq keq saqë është e pamundur të minimizohen pasojat.
Për herë të parë, një koalicion forcash anti-sistem, anti-europiane ka ardhur në pushtet në një shtet themelues të BE-së. Italianët kanë kaluar Rubikonin politik në një kohë kur zgjedhja e tyre mund të ndikojë – në mënyrën më negative – evolucionin e të gjithë projektit europian. Për ta thënë më hapur, nëse një vend në Jugun e Europës shkon drejt Lindjes duke ndjekur modelin e Hungarisë apo Polonisë, nuk është vetëm Veriu, por i gjithë Perëndimi që do të vuajë nga fitimi i demokracisë mendjengushtë.
Le të jemi të qartë. Rreziku nuk është se Italia është gati të largohet nga BE-ja, ashtu siç po bëjnë britanikët. Shumica e italianëve nuk janë gati për këtë. Rreziku është se, sikurse Hungaria dhe Polonia, ajo do të qëndrojë, por do të shpërfillë rregullat e BE-së dhe do të prishë vlerat e saj.
E thënë kjo, dënimi i Italisë për mëkatet e saj nuk është as i drejtë as i dobishëm. Pjesa tjetër e Europës, në veçanti Franca, mban të paktën një farë përgjegjësie për rezultatin e zgjedhjeve të Italisë në mars. Italianët me të drejtë janë ndjerë të braktisur nga europianët kur u përballën me ardhjen masive të refugjatëve. Dhe ata e bënë detyrën e tyre njerëzore në një mënyrë dinjitoze, me ndihmën e një shoqërie civile që mund të konsiderohej model për shumë vende të tjera.
Megjithatë, si pasojë, burrat dhe gratë që ishin në pushtet kur Italia priti më shumë se 600,000 refugjatë humbën zgjedhjet. Ata u ndëshkuan se bënë gjënë e duhur dhe se e bënë këtë të vetëm, gjë që i bëri ata të dukeshin si idealistë naivë të rrezikshëm në rastin më të mirë dhe si burokratë joefikasë në rastin më të keq.
Por ta bësh Francën të pranojë pjesën e saj të përgjegjësisë (së bashku me të tjerët) është një gjë; pranimi në heshtje i vendimit të një vendi anëtar themelues të BE-së për të shkelur rregullat është tjetër gjë. Një mekanizëm i fuqishëm parandalues, siç është mundësia e dëbimit për anëtarët që qëllimisht shpërfillin vlerat dhe rregullat e BE-së, nuk ekziston dhe nuk do të ekzistojë në gjendjen aktuale të Europës. Kur Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë e Jörg Haider iu bashkua një qeverie koalicioni në Austri në vitin 2000, BE vendosi sanksione për një kohë të shkurtër.
Nuk ka më vend për një indiferencë të tillë. Ajo që po ndodh në Itali ndikon direkt te Franca dhe ambiciet e saj për reforma europiane. Me një Gjermani të dobësuar politikisht, një Europë Lindore armiqësore, një Spanjë shumë e paralizuar dhe tani me shumë gjasa me një qeveri populiste në pushtet në një prej vendeve themeluese të BE-së, Franca dhe presidenti i saj Emmanuel Macron, një besimtar i vendosur në idealin europian të “bashkimit gjithnjë e më të ngushtë”, rrezikojnë të jenë në pozitë “izolimi të shkëlqyer”.
Se sa do të qëndrojë Franca atje, vështirë të përcaktohet. Ajo që ndodh në Itali sot mund të paracaktojë atë që ndodh nesër në Francë, me shtetin e saj më të fortë dhe shoqërinë civilë më të dobët. Ambasadori francez kishte të drejtë. Franca duhet ta marrë më seriozisht Italinë. Por jo për arsyet e gabuara.
Project Syndicate