8 Dhjetori i thyer

Nga Aleksandër Biberaj

8 Dhjetori i vitit 1990 erdhi si një frymë lirie dhe demokracie në një ambient mbytës, të cilit i “mungonte oksigjeni” prej shumë kohësh, dhe ishte pothuajse e asfiksuar Dita e shtunë e 8 Dhjetorit 1990 nisi si një ditë e zakonshme dimri në Tiranë dhe askujt në botë s’ia merrte mendja që në darkë, në Qytetin Studenti, do të shkruhej historia, do të fillonte Lëvizja Studentore që do të nënshtronte diktaturën më gjakatare të Europës Juglindore, e cila kishte masakruar popullin e vet për dekada me radhë, lëvizje e cila do të sillte edhe pluralizmin politik të mohuar prej 46 vitesh. Sistemi politik i kohës ishte totalisht i kalbur, ekonomia kishte shkuar në zero, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut shkeleshin brutalisht dhe përkeqësoheshin çdo ditë, ndërkohë që regjimi vazhdonte barbarisht vrasjet e të rinjve në kufi, të cilët donin të arratiseshin nga ferri komunist për në “botën e lirë”. Megjithëse regjimi nga presioni ndërkombëtar kishte ndryshuar ligjin dhe arratisja nuk konsiderohej më krim, por kundërvajtje administrative, shteti kriminal vazhdonte përsëri të vriste të rinj pa gjyqe dhe në shkelje të ligjeve që vetë kishte miratuar.

Ndërkohë, që me 2 korrik 1990 kishte ndodhur eksodi më i madh masiv, hyrja në ambasadat perëndimore në Tiranë, ku me mijëra qytetarë u larguan nga Shqipëria. Në Kavajë kishte rënë regjimi që nga protestat e verës dhe vrasja e Josif Budës, ndërkohë që në Shkodër situata ishte shpërthyese. Në tetor, shkrimtari i madh Ismail Kadare kishte kërkuar azil politik në Francë, ndërkohë që nga qendra e Tiranës sapo ishin hequr bustet e diktatorëve kaukazianë, Lenin dhe Stalin. Europa Juglindore kishte një vit që kishte ndërruar kurs pasi kishte rënë perdja e hekurt, ishte rrëzuar Muri i Berlinit në nëntorin e vitit 1989 dhe komunizmi ishte dorëzuar tashmë. Në Poloni ishte krijuar lëvizja antikomuniste “Solidarnost”, e udhëhequr nga kryetari i sindikatave polake, Les Valesa, diktatori rumun Çaushesku dhe zonja e parë ishin vrarë nga protestuesit në dhjetorin e vitit 1989, ndërkohë që në Shqipëri Ramiz Alia trumbetonte akoma marrëzira të tipit se “Shqipëria nuk është as lindje dhe as perëndim”. Situata në dimrin e vitit 1990 ishte shpërthyese dhe duhej vetëm një shkëndijë, shkëndijë që erdhi nga studentët në orët e mbrëmjes në Qytetin Studenti.

Protesta filloi nga një grup i vogël për t’u konvertuar në një uragan që rrëzoi diktaturën brenda 72 orëve pa thyer asnjë xham, pasi më 11 dhjetor regjimi lejoi pluralizmin politik dhe më 12 dhjetor u krijua edhe Partia Demokratike, e para parti. Sloganet kryesore të studentëve ishin “LiriDemokraci” dhe e “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Zgjedhjet e para pluraliste u zhvilluan më 31 mars 1991, ku përsëri fitoi ish-Partia Shtet (PPSH) dhe vetëm më 22 mars 1992 PDSH dhe aleatët i fituan zgjedhjet, gjë që shënonte edhe fundin zyrtar të qeverisjes komuniste 48-vjeçare në Shqipëri dhe çeljen e një epoke të re që do të quhej demokraci?! Por… ja që demokracia që ne ëndërruam, luftuam dhe punuam shumë fort për të, fatkeqësisht paska qenë vetëm një iluzion, një vegim, një ëndërr, por jo një destinacion i afërt…

Të analizosh Shqipërinë e 30 viteve që nga 8 Dhjetori ‘90 deri sot, duhet një libër, por shkurtimisht do të mundohem të bëj një përmbledhje analitike, të thjeshtë dhe pa pasion. Sot, pas 30 vitesh, numri i dhjetoristëve në politikën aktive s’është as sa gishtërinjtë e të dy duarve. Lideri i lëvizjes, Azem Hajdari, Arben Broci, dhe disa drejtues të tjerë janë vrarë, nuk jetojnë më sot. Të lodhur nga mungesa e konkurrencës në komunizëm, menduam se vendi, më shumë se për gjithçka, do të kishte nevojë emergjente për konkurrencë të ndershme në të gjitha fushat, si leva e Arkimedit që zhvillon shoqërinë njerëzore, por sot pas 30 vitesh fatkeqësisht s’ka konkurrencë pothuajse në asnjë fushë. Në politikë, ekonomi apo biznes, akademi apo arsim, media apo kulturë, art apo sport, e kështu me radhë, nuk kemi konkurrencë. Nga slogani ynë kryesor “Liri-Demokraci”, asnjëra komponente nuk është realizuar plotësisht, pasi në vend nuk ka liri të plota dhe demokracia pothuajse mungon. Slogani tjetër, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ka ngelur përgjysmë, pasi jemi vendi i fundit në rajon për integrimin europian.

Na e ka kaluar edhe Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, dhe me gjasa edhe Bosnjë Hercegovina, dhe sot nuk dihet se kur do të anëtarësohemi në BE, pasi ka 8 vite që qeverisja aktuale nuk bën asnjë hap drejt BE-së, përkundrazi bën hapa pas. Lidershipi aktual qeverisës ka treguar një armiqësi ekstreme si ndaj BE-së, ashtu edhe ndaj anëtarësimit të vendit në BE. Siç e konceptonim ne lëvizjen, feja, familja dhe prona, do të ishin edhe bazat e rendit të ri, e shoqërisë së re. Çështja e pronave edhe sot e kësaj dite ka mbetur e pazgjidhur, prona është masakruar dhe vazhdon të masakrohet pa shkuar akoma te pronari legjitim.

Miratimi dhe deformimet seriale në kohë të Ligjit 7501 për pronat ishin një gabim historik i pafalshëm, që i kushtoi shumë vendit. Vjedhjet, abuzimet, falsifikimet, tjetërsimet e pronave vazhdojnë pa fund, dhe sot fatkeqësisht pronarët vazhdojnë të quhen ish-pronarë, dhe po vdesin si ish-pronarë, pasi nuk kanë marrë akoma pronat. Të tejlodhur me frymën kolektiviste dhe me tjetërsimin, depersonalizimin, si dhe humbjen e dinjitetit të qytetarit, gjykonim se individualiteti i spikatur, personaliteti dhe dinjitetit do të zëvendësonin “njeriun e ri tip Lej Fejn”, të huazuar nga revolucioni kulturor kinez, por, jo, ishim gabim, pasi edhe sot pas 30 vitesh vazhdohet me mentalitetin e “tufës”, ku predominon servilizmi, hipokrizia dhe bindja e verbër ndaj pushtetit.

Dy forcat kryesore politike në vend, PD dhe PS, grupet më të mira parlamentare i kanë pasur në vitin 1992, ku kishte profesorë universitetesh, doktorë shkencash dhe profesionistë të të gjitha fushave, njerëz me integritet dhe dinjitet të lartë. Shikoni sot Parlamentin që ngjan më shumë me një shkollë edukimi apo riedukimi, ku injoranca, padija, paaftësia, antivlera, horrllëku, rrugaçëria dhe kriminali-  teti janë ulur këmbëkryq, në atë që presupozohet të jetë tempulli i demokracisë dhe elitës së kombit, dhe jo vendi ku sot “të vjen turp të punosh dhe të thirresh deputet”. Politika qeverisëse është bërë njësh me krimin e organizuar, saqë nuk dallohet dot se ku fillon dhe mbaron politikani dhe ku është kufiri me gangsterin, ku fillon dhe mbaron deputeti dhe ku është kufiri me banditin, ku fillon dhe mbaron nëpunësi civil dhe ku është kufiri me hajdutin ordiner…

Administrata publike është bërë vend orgjish dhe aferash korruptive pa fund, ndërkohë që drejtuesit e institucioneve jetojnë si pashallarë me hareme, para dhe favore pa fund, të gjitha të vëna në rrugë kriminale. Në vend mungon liria e medias dhe shpeshherë edhe liria e shprehjes, pasi për një fjalë goje si dikur apo për një kritikë qeverisë, nëse je në administratë publike, të flakin direkt nga puna ty apo të afërmit tuaj. Ishim në Dhjetorin ‘90 më të varfrit në Europë dhe vazhdojmë që të jemi edhe sot më të varfrit e Europës, ndërkohë që një pjesë shumë e vogël e popullsisë, oligarkia financiaro-mafioze, është pasuruar në mënyrë marramendëse, nga lidhjet kriminale me politikën, ose nga aktivitete e të tjera të jashtëligjshme.

Elitat politike janë pothuajse të njëjtat që nga Dhjetori ‘90, pothuajse s’ka, ose ka fare pak prurje të reja. SHBA ka ndërruar nga Dhjetori ’90, kur President ishte George W. Bush (Senior), Bill Clinton (2 mandate), George W. Bush Junior (dy mandate), Barack Obama (dy mandate), Donald Trump (një mandat) dhe tani Joe Biden, pra, 6 presidentë gjithsej. Partitë janë bërë më pak demokratike sesa kanë qenë më parë, me kryetarë të përjetshëm, dhe përgjithësisht nuk ka gara, nuk ka konkurrencë dhe meritokraci, nuk ka zgjedhje, nuk ka forume, ka vetëm kryetarë që zgjedhin/emërojnë të gjithë hierarkinë partiake dhe qeverisëse. Kryetari aktual i PS-së, që është edhe parti qeverisëse, nuk kujtohet kur është votuar për herë të fundit. Ish-të persekutuarit mbetën po ish-të persekutuar, ndërkohë që pushtetin vazhdojnë që ta kenë pinjollët e diktaturës, bijtë/bijat, nipërit/mbesat e liderëve komunistë. Xhelatët e diktaturës mbetën po xhelatë, pasi kurrë nuk kërkuan falje, përkundrazi ishin krenarë për të kaluarën e tyre kriminale. Ata kurrë nuk dhanë llogari për krimet shtetërore që kryen me gjyq apo pa gjyq, me ligj apo pa ligj.

Shoqërisë sonë s’iu bë kurrë një de-komunistizim që do të shëronte shumë plagë sociale, shoqërore dhe psikologjike. Kryeministri është krenar për babain që ka firmosur varjen në litar të Havzi Nelës në mes të Kukësit në vitin 1988, kohë kur komunizmi po jepte shpirt edhe në Shqipëri, me arsyetimin se “ishte në anën e duhur të historisë”, po që në fakt ishte në anën “e krimit shtetëror”. Diktaturat vuajnë për drejtësi, pasi për arsye të mirëfillta politike ka padrejtësi të shumta, ndërkohë që sot kemi një sistem drejtësie komplet të inkriminuar nga koka te këmbët, të korruptuar dhe peng i politikës qeverisëse. Kishim konceptin se politikanët duhet të jenë shërbëtorë të popullit dhe jo xhahilë të popullit, dhe se politika duhet të ketë frikë popullin kur e mbush kupën dhe jo populli politikën.

Kanë kaluar 30 vite që nga ai dhjetor i largët, dhe fatkeqësisht sa më shumë i largohemi atij dhjetori të artë, aq më shumë duket sikur u largohemi edhe idealeve, vizionit, parimeve, vlerave dhe filozofisë së tij. Konkluzioni fatkeq është i lehtë për t’u arritur, për t’u parë dhe kuptuar, 8 Dhjetori 1990 ka ngelur përgjysmë, 8 Dhjetori 1990 është deformuar, 8 Dhjetori 1990 është thyer…

SHKARKO APP