80-vjetori i Marrëveshjes së Mynihut
“Unë i pashë këta njerëz në Mynih – këta janë krimba, jo njerëz. Ata do të na nënshtrohen. Viti 1939 e vërtetoi këtë sërish”,- A.Hitleri për nënshkruesit e Marrëveshjes së Mynihut.
Nga Aleksandër Karpushin*
80 vjet më parë, më 30 shtator 1938 në Mynih u nënshkrua një “marrëveshje”, e cila ka hyrë në histori si “komploti i Mynihut” e katër fuqive: Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Francës. Ky dokument jo vetëm luajti një rol tragjik në fatin e Çekosllovakisë duke lejuar fillimin e pushtimit të saj nga Gjermania fashiste, por u bë edhe një nga ngjarjet kryesore që favorizuan shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore.
Pjesëmarrësit e takimit të Mynihut duke i nëpërkëmbur normat e së drejtës ndërkombëtare, tradhtuan interesat e Çekosllovakisë dhe e shtynë Rajhun hitlerian drejt ekspansionit territorial në Evropë. Duhet theksuar se në vitin 1938 Çekosllovakia me një popullsi prej 14 milion banorësh zotëronte një industri të zhvilluar, ndër të tjera edhe atë ushtarake, dhe ishte një nga eksportuesit më të mëdhenj të armëve. Në masë të madhe, për këtë arsye pas anshlusit të Austrisë në mars 1938 A.Hitleri, me preteksin e mbrojtjes së gjermanëve sudetë, filloi realizimin e planit të shkëputjes me forcë të krahinës Sudete të Çekosllovakisë.
Vetëm Rusia Sovjetike u përpoq të protestonte, por atë preferuan të mos e dëgjonin. Perëndimi pa asnjë keqardhje sakrifikoi Çekosllovakinë duke menduar se ai mund të jetonte pranë Gjermanisë naziste dhe Italisë fashiste. Pikërisht për këtë komploti i Mynihut është edhe simbol i një tradhtie të turpshme, edhe shembull i një hipokrizie të jashtëzakonshme dhe i dritëshkurtësisë së shteteve kryesore evropiane.
Një pjesë e madhe e dokumenteve arkivore dëshmojnë se vijat e përgjithshme të komplotit të Perëndimit me A.Hitlerin ishin të përgatitura paraprakisht. Që në fillim të vitit 1934 E.Carr, një nga drejtuesit e Sektorit Jugor të Forin Ofisit, deklaroi se Britania do të preferonte më shumë një “zgjidhje gjermane” dhe se ajo “duhet të synojë arritjen e një marrëveshjeje me Gjermaninë, pasi fitorja e kësaj të fundit është e pashmangshme”. Në fakt, britanikët që atëherë i kishin përpunuar pikat kryesore të programit të Mynihut: marrëveshje me A.Hitlerin në kurriz të Austrisë dhe Çekosllovakisë, orientimi i agresionit hitlerian drejt kufijve të Bashkimit Sovjetik etj.
Pas anshlusit të Austrisë nga Gjermania në mars 1938 Rusia Sovjetike i bëri thirrje Britanisë së Madhe, Francës dhe SHBA-së të krijojnë një front të përbashkët për mbrojtjen e Republikës Socialiste të Çekosllovakisë kundër një agresioni të mundshëm të armatosur. Por ky propozim nuk gjeti mbështetje, përkundrazi, ambasadorët e Anglisë dhe Francës në Pragë në emër të qeverive të tyre paralajmëruan Ministrin e punëve të jashtme të Çekosllovakisë K.Krofta se “nëse për shkak të kokëfortësisë së Pragës do të lindë një konflikt i armatosur, Londra dhe Parisi nuk do të ndihmojnë Çekosllovakinë”. A.Hitleri, duke e ditur këtë, filloi përgatitjen e operacionit për copëtimin e Çekosllovakisë dhe më datë 30 maj miratoi planin e luftës kundër këtij vendi (plani “Grün”), duke dhënë urdhër për zbatimin e tij jo më vonë se 1 tetor 1938.
Gjatë muajve pasuses të vitit 1938 nga shtetet perëndimore u bënë përpjekje të mëdha për të arritur të ashtuquajturin “qetësim” të regjimit hitlerian, dhe bindjen e udhëheqjes së Çekosllovakisë për t’i dhënë vullnetarisht A.Hitlerit krahinën Sudete.
Më pas ngjarjet u zhvilluan kështu: më 21 shtator të dërguarit e Londrës dhe Parisit i shpallin ultimatum udhëheqjes çekosllovake, të cilin presidenti E.Benes e pranoi i pavullnetshëm. Më datë 22 shtator qeveria polake dhe ajo hungareze i shpallën Pragës ultimatum për dhënien Hungarisë dhe Polonisë të territoreve, në të cilat jetonin pakicat polake dhe hungareze. Në lidhje me këtë U.Çërçilli u shpreh: “Polonia me lakminë e një hiene mori pjesë në grabitjen dhe shkatërrimin e shtetit çekosllovak”. Më datë 25 shtator A.Hitleri gjatë fjalimit të tij në Pallatin e Sportit të Berlinit kërkoi që krahina Sudete t’i kalonte Gjermanisë jo më vonë se 1 tetor 1938, ndryshe Gjermania “do t’ia arrijë këtij qëllimi me forcë”.
Atëkohë aleatët e Çekosllovakisë ishin Bashkimi Sovjetik dhe Franca. Kjo e fundit menjëherë pas ultimatumit të Gjermanisë refuzoi të mbështeste Pragën. Megjithatë, edhe pa mbështetjen e Francës, BRSS deklaroi se ishte i gatshëm të përmbushte detyrimet e tij për mbrojtjen e Çekosllovakisë. Pragës iu propozua një plan ndihme që parashikonte përdorimin e trupave tokësore dhe dërgimin e avionëve luftarakë me qëllim forcimin e aviacionit ushtarak të Çekosllovakisë. Në kufijtë jugperëndimorë dhe perëndimorë divizionet e këmbësorisë, njësitë e tankeve, aviacioni dhe forcat e mbrojtjes kundërajrore të BRSS u vunë në gjendje gatishmërie.
Megjithatë, Polonia dhe Rumania deklaruan se në asnjë mënyrë nuk do të lejonin forcat e Ushtrisë së Kuqe të kalonin përmes territorit të tyre. Madje polakët paralajmëruan për sulm në rast të avancimit të trupave sovjetike dhe për rrëzimin e çdo avioni që do të shfaqej në hapësirën ajrore të Polonisë. Propozimet sovjetike në Lidhjen e Kombeve për diskutimin e mbështetjes kolektive të Çekosllovakisë u bllokuan nga Londra dhe Parisi.
Një rol aktiv në përgatitjen e komplotit luajti edhe qeveria e SHBA-së. Që më 20 shtator 1938 amerikanët përmes ambasadorit të tyre në Paris U.Bullitt paralajmëruan qeverinë e Francës se nëse kërkesat e Gjermanisë ndaj Çekosllovakisë nuk do të përmbushen dhe situata do të ndërlikohet, atëherë Franca nuk do të marrë nga SHBA “as edhe një ushtar” dhe asnjë kredi amerikane. Sekretari i Shtetit amerikan K.Hull i la të kuptojë qartë ambasadorit gjerman në Uashington se Shtetet e Bashkuara “mbajnë një qëndrim dashamirës ndaj lënies së “duarve të lira” Gjermanisë në Evropën Juglindore dhe Lindore”. Ambasadori amerikan në Londër siguroi qeverinë britanike se presidenti F.Roosevelt “ka vendosur të ndjekë [kryeministrin britanik] Chamberlain në çështjen çekosllovake”. Ndërkohë që ky i fundit siguroi A.Hitlerin se ai mund të merrte gjithçka “pa luftë dhe pa vonesë”.
Më 27 shtator 1938 Presidenti i SHBA-së F.Roosevelt i bëri thirrje: A.Hitlerit që të zhvillojë një konferencë për çështjen çekosllovake me palët e interesuara; dhe I.Stalinit që të mbështesë këtë iniciativë amerikane. I.Stalini iu përgjigj F.Roosevelt-it se BRSS është dakord të marrë pjesë në konferencë “për gjetjen e masave praktike për të kundërvepruar ndaj agresionit dhe për të ruajtur paqen me përpjekje kolektive”. Moska në mënyrë diplomatike dhe ushtarake bëri gjithçka për të treguar me mjete paqësore një qëndrim serioz ndaj problemit. Ndërkohë, A.Hitleri nxitoi të ftonte në Mynih vetëm B.Mussolini (Itali), N.Chamberlain-in (Britani e Madhe) dhe E.Daladier (Francë). Përfaqësuesit e Çekosllovakisë nuk u lejuan të merrnin pjesë në diskutimin e marrëveshjes. Edhe Bashkimit Sovjetik iu refuzua pjesëmarrja. Më 29 shtator, konferenca filloi punimet e saj.
Në orën një të natës të 30 shtatorit 1938, N.Chamberlain, E.Daladier, B.Mussolini dhe A.Hitleri nënshkruan Marrëveshjen e Mynihut. Pas kësaj, delegacioni i Çekosllovakisë u pranua në sallë.
Sipas këtij dokumenti, Gjermanisë i kalonin krahina Sudete dhe rajonet që kufizoheshin me ish-Austrinë, bashkë me pasuritë e tyre duke përfshirë këtu edhe armatimet. Çekosllovakia duhej të largohej nga territoret e shkëputura (41 098 km2 me një popullsi prej 5 milionë banorësh) në një afat kohor nga 1 deri në 10 tetor. Gjithashtu, marrëveshja parashikonte shkëputjen e një numri rajonesh në favor të Polonisë dhe Hungarisë. Pasi u njohën me dokumentin, përfaqësuesit e Çekosllovakisë protestuan. Megjithatë, të ndodhur nën presionin e Britanisë dhe Francës u detyruan ta firmosnin atë. Në mëngjes presidenti i Çekosllovakisë pranoi marrëveshjen për zbatim. Më 1 tetor Polonia i dërgoi Pragës një ultimatum, të mbështetur nga hitlerianët, për dhënien e krahinës Teshinsk.
Marrëveshja e Mynihut ishte një shembull i tradhtisë së kryer në një shkallë të një vendi të tërë, pika kulmore e politikës angleze “të qetësimit”. Më 30 shtator, me propozim të N.Chamberlain-it, Gjermania dhe Anglia nënshkruan në Mynih Deklaratën e mossulmimit të ndërsjellë dhe zgjidhjes paqësore të të gjitha mosmarrëveshjeve të mundshme. Më 6 dhjetor një dokument i ngjashëm u nënshkrua nga Franca dhe Gjermania. Natyrisht, N.Chamberlain dhe E.Daladier besonin se me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve ata e larguan nga Britania e Madhe dhe Franca kërcënimin e sulmit gjerman dhe e çuan atë në drejtimin e dëshiruar për ta – në lindje, kundër Bashkimit Sovjetik. Dhe ishte për këtë qëllim që fuqitë perëndimore i dhanë A.Hitlerit tokën çekosllovake.
Sipas Marrëveshjes së Mynihut, përveç territorit, Gjermania rriti ndjeshëm lëndën e saj të parë dhe potencialin industrial duke marrë ndërmarrje të ndryshme, fabrika metalurgjike dhe kimike, miniera, linja dhe mjete komunikimi, si dhe armatime. E gjithë kjo bëri të mundur që deri në vitin 1941 të armatosen 9 divizione të këmbësorisë dhe të pajisen plotësisht 5 nga 21 divizionet e tankeve të Vermahtit me tanke të prodhuara nga Çekosllovakia.
Megjithatë, ndihma e vendeve perëndimore ndaj agresorit nuk u kufizua me kaq. Më 13 tetor 1938, fill pas Marrëveshjes së Mynihut, kompania amerikane “Standard Oil” dhe koncerni gjerman “IG Farben Industry” nënshkruan një marrëveshje për krijimin e një shoqërie amerikano-gjermane që monopolizonte patentat për prodhimin e benzinës sintetike, për të cilën ushtria e A.Hitlerit kishte shumë nevojë. Ky dokument u bë si njëfarë “marrëveshje e Mynihut” në fushën ekonomike duke i dhënë Gjermanisë mundësinë për të përgatitur forcat e saj të armatosura për operacionet luftarake.
N.Chamberlain, duke u kthyer nga Mynihu në Londër, deklaroi te shkallët e aeroplanit: “Unë solla paqe në brezin tonë”. E.Daladier u përshëndet në aeroport nga një turmë me thirrjet: “Rroftë Daladier! Rroftë paqja!”. Ndërkaq, U.Çërçilli gjatë fjalimit të tij në parlamentin britanik dha një vlerësim të ndryshëm për rezultatet e Mynihut: “Copëtimi i Çekosllovakisë nën presionin e Anglisë dhe Francës është i barasvlershëm me kapitullimin e plotë të demokracive perëndimore para kërcënimit nazist të përdorimit të forcës. Një dështim i tillë nuk do të sjellë paqe apo siguri as në Angli, as në Francë. Përkundrazi, ai do t’i vendosë këto dy vende në një pozitë, e cila do të bëhet gjithmonë e më e dobët dhe më e rrezikshme… Mendimi se siguria gjoja mund të garantohet duke lënë një shtet të vogël të gllabërohet nga ujqërit, është një iluzion fatal. Mos mendoni se ky është fundi. Ky është vetëm fillimi i shpagimit “. Kështu, në fakt, edhe ndodhi.
Si rezultat i pushtimit të Çekosllovakisë, në qendër të Evropës u zhduk një nga forcat, e cila potencialisht mund të kontribuonte në shkatërrimin e fashistëve. Gjermania përforcoi pozicionet e saj strategjike, ushtarake e politike, përfitoi të gjitha mundësitë për të sulmuar Poloninë, e cila deri në momentin e fundit e shihte veten si një aleate të Berlinit duke marrë pjesë aktive në ndarjen e Çekosllovakisë.
Më 3 tetor 1938, U.Çërçilli parashikoi: “Anglisë iu dha mundësia të zgjidhte midis luftës dhe pandershmërisë. Ajo zgjodhi pandershmërinë dhe do të marrë luftën”. Ndoshta kjo është arsyeja pse Perëndimi po përpiqet ta harrojë Mynihun dhe brezat e rinj e perceptojnë atë si një ngjarje tashmë të “konsumuar”. Megjithatë, pa marrë parasysh gabimet e së kaluarës, është e pamundur një e ardhme paqësore. Siç e ka treguar në mënyrë të përsëritur historia, të gjitha vendimet për fatin e kombeve që merren në prapaskenë dhe nuk marrin parasysh interesat e këtyre popujve, çojnë pashmangshmërisht në tragjedi globale.
Komploti i Mynihut është një shembull klasik i asaj se çfarë pasojash katastrofike mund të sjellin mospërfillja e së drejtës ndërkombëtare, besimi në eksepsionalizmin dhe pagabueshmërinë e vet, si dhe mbështetja në egoizmin nacional. Mësimet e kësaj ngjarjeje duhet të shërbejnë si paralajmërim për të gjithë ne, sidomos duke pasur parasysh realitetin aktual. Është e qartë se siguria e vërtetë mund të jetë vetëm e barabartë, e pandashme dhe të mbështetet në parimet themelore të jetës ndërkombëtare të mishëruara në Kartën e OKB-së: respektimin e sovranitetit të shteteve, mosndërhyrjen në punët e tyre të brendshme dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve.
Rusia do të vazhdojë të kontribuojë me çdo mënyrë në forcimin e stabilitetit global dhe rajonal, kërkimin e përgjigjeve kolektive për shumë sfida dhe kërcënime të kohës sonë. Ne, siç e ka theksuar Presidenti rus Vladimir Putin, jemi të hapur për bashkëpunim të ngushtë me të gjithë ata që tregojnë një gatishmëri për të punuar mbi bazën e barazisë, respektit reciprok dhe gjetjes së balancës së interesave.
*Ambasador i Rusisë në Tiranë. Opinioni është botuar në gazetën “Panorama”