A do ta bëjë Rama, avokat Ngjelën, Ministër Drejtësie?

Do te ketë Rama, “guximin” apo si thonë amerikanët : “the balls” për ta zgjedhur Ngjelën në postin e Ministrit?…

Nga Artur Zheji

“Access to Justice”, thuhet se është platforma për një reformë totale të sistemit të kalbur të drejtësisë shqiptare, e Spartak Ngjelës, një nga frymëzuesit dhe mbështetësit më të mëdhenj të Ramës, të paktën që nga viti 2007.

Rrumbullak 10 vjet, nga jeta dhe nga aktiviteti i Avokatit. 10 vite beteja mediatike dhe inspiruese pranë Ramës, mikut të vjetër më të ri, marrëdhëniet me të cilin u acaruan realisht, vetëm njëherë kur ata garuan për Tiranën, në vitin e largët 2003 dhe ku sipas Ngjelës, pati një vjedhje spektakolare votash nga koordinimi PS-Rama-Celibashi, kundër PD dhe kundër Avokatit.

Prishja me Berishën, rreth vitit 2006-2007, e afroi Spartakun me Edin, kryetar i PS. Ata të dy sheshuan mosmarrëveshjet e tyre, në një formë ose tjetër, edhe falë bujarisë së Ngjelës, që njihet për krenarinë e tij proverbiale.

Në vitin 2011, në ngjarjet e egra të 21 janarit, mbas një maratone betejash mediatike dhe politike, dukshëm mbështetja më e fortë psikologjike e Ramës, ishte Spartaku dhe vizioni i tij për një luftë politike dhe popullore totale kundër pushtetit të Berishës dhe rrezikut të tij autoritar, sipas Ngjelës.

Në vitin 2013, me fitoren e aleancës PS-LSI, dukej se “Access to Justice”, platforma Ngjela pra, që përputhej me Vettingun në një formë ose tjetër, ishte tema e bisedave thelbësore Ngjela-Rama. Kryeministri i sapo dalë nga zgjedhjet, dukej se kishte rënë “dakort”, që do të ishte Ngjela, ministri i ardhshëm i Drejtësisë, ku me këtë rast do të vinte në zbatim edhe platformën e tij radikale për sistemin e drejtësisë.

Mirëpo nuk ndodhi ashtu. Në ndarjen e portofoleve ministrore, ministria e drejtësisë, ju dha LSI dhe Ngjela, nuk u përfshi në Qeveri, me arsyen apo pretekstin se nuk donte Meta, që këmbëngulte për atë ministri.

Fillimisht Avokati duket sikur nuk e besoi këtë shpjegim të Ramës dhe shpërtheu në një lumë kritikash të ashpra kundër tij, por shpejt dhe në një kohë të dytë, Ngjela i ndërpreu kritikat për paaftësi qeverisëse, ndaj Ramës dhe shpërtheu fort kundër Metës dhe sigurisht në mënyrë konstante kundër Berishës, polemikën ndaj të cilit, as nuk e ndërpreu dhe as nuk e zbuti asnjëherë.

Mirëpo tani, kryeministri Rama 2, është si thuhet, vetë Zot dhe vetë shkop dhe s’ka nevojë ti lutet kujt, apo të negociojë me aleatë dhe partner politikë për të bërë kabinetin e tij qeverisës dhe kjo do të jetë një sprovë e re, nëse Rama, do ta bëjë ose jo realitet platformën Ngjela: “Access to Justice”.

 Në të drejtën e vet, Avokati është padyshim në pritje, që miku, aleati dhe partneri i tij politik ti qëndrojë marrëveshjes së zotërinjve me Ngjelën, apo “gentlemen agreement”, si edhe do ta shqiptonte Avokati.

Do te ketë Rama, “guximin” apo si thonë amerikanët : “the balls” për ta zgjedhur Ngjelën në postin e Ministrit?

Enigma do te marrë fund shumë shpejt në vjeshtën e parë që po afrohet me shpejtësi, ku do të shihet se çfarë do të bëjë kryetepsixhiu dhe timonieri i vetëm, që pritet të ngrejë qeverinë e re në Shtatorin që vjen./360grade.al/

SHKARKO APP