Aisbergu i ikjes dhe mallkimit
Nga Irfan Rama
Po është një aisberg që noton pa u ndalur në 28 mijë kilometrat katror të Shqiprisë. Është një aisberg ikjesh dhe mallkimesh nga shumë e shumë shqiptar. Tonelata çantash, rrobash, këpucësh, karrocash të vogla e të mëdha, të brendshmesh e të jashtmesh, trupash, mendjesh, duarsh, këmbësh, shishesh, ushqimesh, letrash, gazetash, televizionesh të rrejshme e shumë të rrejshme, ndërtesash dikasteresh, qeverish, parlamenti e parlamentesh, hajdutësh, korrupsionistësh, mashtruesish, vrasësish, porositësish, selish të pozitës dhe opozitës, kryekomunarësh e kryebashkiakësh etj etj të gjithë janë përbërës e projektues të aisbergut të ikjes së shqiptarëve nga të katër anët. Me det, me tokë e me ajër. Ikin ku të munden. Ku të gjejnë strehë. Në Gjermani, Francë, Itali, Zvicër, Britani e Madhe, Suedi, Finland, Norvegji, Danimark, Amerikë Latine, SHBA, Kanada, Australi. E nesër edhe në Hënë e Mars.
Ata njerëzit e pjesës së sipërfaqëshme të “Aisbergut Gjigand Shqiptar” heqin dorë nga atdheu i tyre i mjerë që mbet i mjerë përgjatë të gjithë historisë së saj. Lëshohen e birren pas vendeve perendimore e jo perendimore për një jetë më të mirë, për një shpëtim nga ky vend i namshm jo nga Zoti. Por rrjedhim nga turmat liderike shqiptare këto 100 vjetët e fundit, hordhive pushtuese të para mbi njëqind moteve, nga skizofrenitë gjakështruese të fqinjve tanë megaloman e fuqive të mëdha tepër të akullta ndaj shqiptarëve e tokave të tyre. Ikin duke mallkuar jo vendin e tyre por politikanët tanë të papërgjegjshëm në këtë çerek shekulli. Sepse për ta nuk mendon askush. Sepse partitë e djathta e të majta, qeveritë e tyre të papërgjegjshme për të paktën më shumë se njëzet vjet nuk pyesin për mbi 80% të popullsisë se si rrojnë se si ngrysen, se si ngrohen në dimër e çnxehen në verë, si ushqehen e vdesin, si punësohen e sa lek duhet për të ruajtur gjallë frymën, si mjekohen e si i shërbehet nëpër spitale e qendra shëndetësore, si vriten ndërvedi për një rrip toke apo rrjedhë uji. Si,si,si,…
Në shumë vende të Europës jemi në pole position përsa i përket renditjes së emigrantëve që kanë kërkuar azil. Tok me Kosovën. Në Kosovë duruan për një dekadë e gjysmë dhe shpërthyen ikjet biblike. Por ndryshe nga Shqipëria, Kosova asnjëherë nuk ka qenë e varfër si Shqipëria pavarësisht se kanë qenë nën sundimin serb apo regjimin serb. Ata shqiptarët e Kosovës kanë qenë me kerra (vetura), shtëpi, vila, para, ushqime e shumëçgjë qoftë nga paratë e Kosovës, Federatës Jugosllave dhe punësimit jashtë. Ata ikin sepse menduan se do të jetojnë mirë me qeveritarët e tyre dhe Europa. U kthyen shumë nga jashtë për dheun e çliruar, por ato nuk mund të presin pafundësisht qeveritarët e tyre. Se njerzit vërtet janë patriot dhe atdhetar por jetët e tyre një herë përshfaqen në këtë botëtoke dhe ikin nëntokë për të mos u kthyer më. Altruizmi apo vetmohimi kanë pikun e derdhjes. Ujëvarjen e tyre. Limitet e kufijt limitor pranohen e dihen nga çdokush. Ndrësa shqiptarët e Shqipërisë asnjëherë s’kanë qenë të kamur. Lumturakët shqiptar gjithmonë janë numëruar me gishta. “Guri i rondë në vend të vet moj nonë” – i thoshte gjithë lutje disa djemve të rinj para ambasadave në ditët e para të nxehta të korrikut 1990, një e moçme. – “Po moj none, ashtu osht. Por ta lëvizim njëherë gurin nga vendi” – ju gjegj, një nga të rinjtë tiranas.
Aisbergu apo mbreti i akullt i ujrave oqeanike ka vetëm një të shtatën e vetvetes në sipërfaqe. 6/7 i ka nën ujë. Sterrëzia që pjell opozita nëpër fjalime për ikjet e shqiptarve nga keqqeverisja e Qeverisë Rama – Meta është një nepërkëzim i pashoq që një soj partie i bën popullit të vet. Sepse vërtet të ishin të paktën pak të penduar për shkatërrimin tetëvjeçar që i bënë Shqipërisë në shumë aspekte sidomos të perçinimit të vjelljes në të gjitha qelizat e indit të brishtë shqiptar si një shitje malli supër të ndershëm, si një koncept “progresues” që nga fëmijët e deri tek pensionistët. Speciet e rralla të ndershmërisë i degdisën nga punët apo nuk i qasën për model. Pasurimi pa punë u shenjtërua në moral. Vjellja e mashtrimi, pjesë e së tërës moralike! Mosndëshkimi i gjithëpiramidor shtetar, privat e publik në “normë” juridike. Edhe pozita e sotme me hermafroditet gjysmë – gjysmë në konceptin e së keqes ku një pjesë qeveritarësh e shtetarësh e kanë mendjen tek tenderat, mashtrimet e grabitjen e parave në një formë e një tjetër.Pavarsisht nga disa reforma të ndëshkushmërisë së përgjithshme për shumicën e popullit dhe selektive për të vetët në shumë aspekte e nivele hirarkike, pavarësisht nga disa reforma që vërtet janë duke u implementuar si në arsim, mjedis, rend, zbukurim rrugësh e qendrash qytetesh e fshatrash deri në veri e jug, pozita nuk ka bërë thuajse asgjë deri më tash në punësim e thithje të kompanive të huaja për investime. Njerzit nuk presim më.
Por aisbergu që nuk përduket është më e pashpresa. Ajo pjesë që shkatërron e shkërmoq një shtet të vogël si i yni. Psikoza për të ikur e shumë shqiptarëve të tjerë. Dhe është tepër reale. S’ka anije që i mbart. Paralelet horizontike të dërgojnë në ikjet masive të afrikanve me anije që mbyten në det si në dy rastet e fundit në brigjet e Italisë të para tre ditëve dhe të ditës së sotme. Mbi 700 njerëz të mbytur. Federika Mogherini mblolli ministrat e jashtëm të BE në Luksenburg për të zgjidhur krizën afriko-europiane…. Një profesor doktor në UT më tha një ditë: I pyeta një ditë studentët e një grupi që i jap mësim se çfarë mendoni të bëni pas mbarimit të studimeve? Përgjigja e të gjithëve: Do të ikim jashtë shtetit!