Kalo te përmbajtja
Koha Jone Logo
  • Të fundit
  • Lajme
  • Aktualitet
  • WebTV
  • Rajoni
  • Bota
  • Politikë
  • Kosova
  • Ekonomi
  • Showbiz
  • Sporti
  • Shqip
  • English
Lexo në app
  • Shqip
  • English
  • Të fundit
  • Lajme
  • Aktualitet
  • WebTV
  • Rajoni
  • Bota
  • Politikë
  • Kosova
  • Ekonomi
  • Showbiz
  • Sporti
  • Lajme
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Forum
  • WebTV
  • Editorial
  • Kosova
  • Rajoni
  • Bota
  • Sporti
  • Ekonomi
  • Showbiz
  • Kultura
  • Shëndeti
  • Teknologji
  • Intervista
  • Kronikë
  • Turizëm
  • Sociale
  • Historiku
Lajmet e fundit

Gazeta "KOHA JONË" themeluar si e pavarur më datë 11 Maj 1991
Botues: Nikoll LESI. Adresa e redaksisë: Rruga "Sami Frasheri", Pallatet e Aviacionit të Vjetër Nr. 2, TIRANA - ALBANIA

Site by

Opsionet e pamjes

Pamje shembull E diel, 22 Nëntor 2026, 22:50 Spektakël me 8 gola në duelin zikaltër mes Atalantës dhe Interit Një ndeshje e jashtëzakonshme, me tetë gola dhe emocione deri në sekondat e fundit, është zhvilluar në kuadër të javës së 12-të të kampionatit…
Pamja e bardhë/e zezë
Madhësia e tekstit
  • Në trend
  • Erion Veliaj
  • Qafë Thanë
  • Dita e Alfabetit
  • Messi
  • Grabitje në Durrës
  • Atalanta-Inter
  • Liverpool-Man
  • Formula 1
Lajmet e fundit
Në trend
  • Erion Veliaj
  • Qafë Thanë
  • Dita e Alfabetit
  • Messi
  • Grabitje në Durrës
  • Atalanta-Inter
  • Liverpool-Man
  • Formula 1
KOHA JONË Lajmet e fundit, gjithmonë me ju
Instalo

Amerika dhe Shqipëria: Nga armiq të papajtueshëm te partnerë strategjikë

Forum E enjte, 1 Prill 2021 11:14
Amerika dhe Shqipëria: Nga armiq të papajtueshëm te partnerë strategjikë
Shto te burimet e preferuara

Shpërnda

Facebook WhatsApp Email X

DR. ELEZ BIBERAJ

Administratat e njëpasnjëshme amerikane kanë ndjekur një politikë të pandryshueshme ndaj Shqipërisë. Vizioni i Amerikës për Shqipërinë ka qenë që ajo të jetë një vend i qëndrueshëm, i begatë dhe demokratik, ku të respektohen plotësisht normat dhe proceset demokratike. Shqipëria është trajtuar si pjesë e rëndësishme e konceptit të Uashingtonit për ndërtimin e një Europe të pandarë dhe të lirë. Hartuesit e politikave amerikane e kanë bërë të qartë se është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara ta shohin Shqipërinë pjesë të komunitetit euroatlantik.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë nxitësi më i rëndësishëm dhe më me ndikim për demokratizimin e Shqipërisë, duke dhënë mbështetje të konsiderueshme diplomatike, politike, ekonomike dhe ushtarake. Uashingtoni ishte forca kryesore shtytëse për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës nga Serbia dhe për pranimin e Shqipërisë në NATO. SHBA luajtën gjithashtu një rol kryesor në zgjidhjen e konfliktit etnik në Maqedoninë e Veriut, çka ka çuar në një përmirësim të dukshëm të statusit të shqiptarëve atje.

Reklamë Reklamo në Koha Jonë
Reklamë Reklamo në Koha Jonë

Po ashtu, gjatë tri dekadave të fundit, Shqipëria, si dhe shqiptarët në Kosovë, Maqedoni dhe Serbi, kanë qenë në qendër të një vëmendjeje të konsiderueshme nga ana e Uashingtonit. Përfaqësuesit shqiptarë kanë pasur qasje relativisht të lehtë te politikanët amerikanë. Ata kanë gëzuar mbështetje dypartiake në Kongresin amerikan dhe senatorë e kongresistë të shquar kanë qenë mbështetës të çështjeve shqiptare. Presidenti Joe Biden ka pasur kontakte të shumta personale me udhëheqësit shqiptarë dhe është njohës i mirë i çështjeve shqiptare, veçanërisht i çështjes së Kosovës.

ReklamëSwiss DigitalReklamo në Koha Jonë

Ndërsa kanë ofruar mbështetje për forcimin e qëndrueshmërisë dhe begatisë së Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara nuk kanë ngurruar të vënë në dukje hapur dështimet e procesit të demokratizimit – shkelja e normave demokratike, përpjekjet e ekzekutivit për të kontrolluar institucionet e pavarura, sulmet ndaj medias, parregullsitë zgjedhore dhe dështimi për të luftuar korrupsionin e përhapur. Politikëbërësit dhe përfaqësuesit amerikanë shpesh janë zhgënjyer me paaftësinë ose mosgatishmërinë e politikanëve shqiptarë për të gjetur gjuhë të përbashkët në çështjet e mëdha, për të respektuar zotimet e tyre dhe për t’i mbështetur deklaratat me veprime konkrete. Ekziston një hendek i madh midis deklaratave retorike të mbështetjes për reformat thelbësore tepër të nevojshme dhe angazhimit aktual ndaj reformave. Shtetet e Bashkuara kanë bërë kritika të sinqerta ndaj rrëshqitjes prapa, e megjithatë kanë qenë të angazhuara fort për ta ndihmuar Shqipërinë të përballet me këto sfida.

Mund t'ju interesojë

Elisa, Erioni, Bela e ndoshta Gysi në sfond

Elisa, Erioni, Bela e ndoshta Gysi në sfond

21 Nëntor 2026, 20:26
Filip Çakuli: Elisa në botën e çudirave

Filip Çakuli: Elisa në botën e çudirave

21 Nëntor 2026, 15:51
Pse çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë më të shtrenjta se në Kosovë?

Pse çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë më të shtrenjta se në Kosovë?

20 Nëntor 2026, 17:56

Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë krijuar një marrëdhënie të fortë dhe të gjallë.

Është e natyrshme që në raste të tilla si 30-vjetori i rivendosjes së lidhjeve, vëmendja të përqendrohet tek aspektet pozitive të tyre. Por është gjithashtu e rëndësishme të theksohen disa çështje që, nëse nuk trajtohen nga shqiptarët, mund t’i vënë në provë serioze këto marrëdhënie.

Si çdo marrëdhënie dypalëshe, edhe ato mes Amerikës dhe Shqipërisë, duhet të ushqehen vazhdimisht dhe jo të merren si të mirëqena apo të shihen si diçka statike dhe të përhershme. Mbi të gjitha, mbështetja e Amerikës nuk është një e drejtë e natyrshme e shqiptarëve. Në themel të marrëdhënieve janë vlerat e përbashkëta demokratike dhe angazhimi i Shqipërisë për demokracinë, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë. Ndërtimi i një demokracie funksionale në Shqipëri mbetet një objektiv i rëndësishëm i politikës së jashtme amerikane. Veprimet që minojnë praktikat demokratike jo vetëm që mund të minojnë marrëdhëniet, por mund të sjellin një ndryshim në qëndrimet e SHBA dhe, në rastin më të keq, një rishikim thelbësor të lidhjeve mes dy vendeve.

Vitet e fundit, Shqipëria ka përjetuar një rrëshqitje të konsiderueshme prapa në rrugën e demokracisë dhe një autoritarizëm në rritje, duke e bërë atë një nga vendet më jofunksionale dhe më të korruptuara në Europë. Sistemi politik i Shqipërisë në thelb është prishur dhe vendi është shndërruar në një shtet njëpartiak, autoritar, me Partinë Socialiste në fuqi që kontrollon pushtetin në të gjitha nivelet.

Polarizimi politik, korrupsioni i përhapur në radhët e zyrtarëve publikë dhe atyre në poste të larta, krimi i organizuar dhe kultura e mosndëshkimit kanë pasur një kosto të madhe dhe vazhdojnë të paraqesin një kërcënim ekzistencial për demokracinë e Shqipërisë. Pikërisht institucionet që kanë rëndësi të dorës së parë për të luftuar korrupsionin – zyrtarët qeveritarë, anëtarët e Parlamentit, politikanët, gjykatat dhe gjyqtarët, prokurorët dhe Policia – janë ato që po e minojnë fushatën kundër korrupsionit.

Politikanët dhe biznesmenët e fuqishëm kanë kapur shtetin dhe, si rrjedhojë, pasuria dhe qasja te pushteti janë përqendruar në duart e një grupi të vogël. Natyra gërryese e modelit kleptokratik të qeverisjes së Shqipërisë është tepër serioze.

Prishja e bashkëpunimit midis qeverisë dhe opozitës dhe mosgjetja e gjuhës së përbashkët për çështjet e rëndësishme është thjesht e papranueshme për një anëtar të denjë të NATO-s dhe për një vend që synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Presidenti Joe Biden ka deklaruar se nxitja e demokracisë do të jetë një përparësi kryesore për administratën e tij. Qëndrimet dhe veprimet e qenërisë dhe të opozitës ka të ngjarë të bëhen objekt i një vëzhgimi të shtuar nga ana e Shteteve të Bashkuara. Vështirë që administrata amerikane të mbetet e pavëmendshme ndaj politikave dhe veprimeve, të cilat minojnë normat, vlerat dhe institucionet demokratike.

Në vitin 2016, forcat kryesore politike shqiptare pranuan që sistemi i drejtësisë ishte jofunksional dhe ranë dakord për një reformim thelbësor të këtij sistemi, më rrënjësori në ndonjë vend ish-komunist. Por shqiptarët kurrë nuk u dolën për zot reformave. Ata bënë përpjekje të përbashkëta për të minuar, manipuluar dhe zvarritur ndryshimet për sa kohë të ishte e mundur.

Shqipëria po hyn në vitin e pestë të këtyre reformave. Ndërsa skalionet më të larta të sistemit gjyqësor janë hequr si rezultat i procesit të verifikimit, zbatimi i reformave ka qenë i ngadaltë dhe selektiv, duke çuar praktikisht në një kolaps institucional dhe duke kërcënuar parimin themelor të sistemit juridik – qasjen te drejtësia. Mund të thuhet se operacioni kirurgjikal i drejtësisë mbase ka qenë i suksesshëm, por pacienti mbetet në komë.

Shqipëria ka nevojë për një përmbyllje. Kostoja e dështimit për të zbatuar plotësisht këto reforma themelore është thjesht tepër e madhe për shoqërinë shqiptare. Shtetet e Bashkuara u kanë kushtuar burime të mëdha këtyre përpjekjeve të reformës dhe presin që Shqipëria të bëjë pjesën e vet.

Zgjedhjet e prillit 2021 janë një provë për pjekurinë demokratike të Shqipërisë dhe për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri. Ky është një moment historik dhe dështimi mund të ketë me pasoja të rënda.

Edhe pse hapja e fushatës është shoqëruar me një retorikë të ashpër, shqiptarët kanë një mundësi për ta kthyer vendin e tyre në një rrugë të qartë demokratike. Nëse zgjedhjet janë të besueshme, me rezultate të pranueshme nga lojtarët kryesorë, ato do të hapnin mundësi të reja dhe do të shpalosnin potencialin e madh që kanë shqiptarët.

Përkundrazi, një proces zgjedhor sërish me të meta dhe i manipuluar ka të ngjarë të pengojë stabilitetin politik të vendit, të sinjalizojë një përkeqësim të mëtejshëm të praktikave demokratike dhe të ndërlikojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Europian. Pamundësia për të mbajtur zgjedhje të pastra do të forconte dyshimet për besueshmërinë dhe angazhimet demokratike të elitave shqiptare.

Por vetëm zgjedhjet nuk janë shpëtimi për sfidat e mëdha të Shqipërisë, edhe nëse ato mbahen në përputhje të plotë me standardet më të larta ndërkombëtare. Periudha paszgjedhore duhet të pasohet nga një konsensus patriotik, një marrëveshje ndërpartiake veprimesh konkrete dhe të qëndrueshme për të trajtuar deficitin demokratik të Shqipërisë, për të kapërcyer hendekun e tanishëm politik dhe për të përcaktuar një rrugë të qartë të ecjes përpara.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë të drejtpërdrejta në mbështetjen e tyre për demokracinë e Shqipërisë dhe në kritikat ndaj dështimeve demokratike. Duke pasur parasysh marrëdhëniet e veçanta midis dy vendeve dhe mendimin tepër të favorshëm që shqiptarët kanë për Amerikën, asnjë vend tjetër më mirë sesa Shtetet e Bashkuara nuk do të mund ta ndihmonte Shqipërinë në rrugën e saj demokratike. Amerika ka fuqinë, besueshmërinë dhe aftësinë për të ushtruar ndikim pozitiv dhe për të ndihmuar shqiptarët të krijojnë një të ardhme që ushqen një proces politik gjithëpërfshirës, sundimin e ligjit dhe një qeverisje efektive dhe të përgjegjshme.

Por edhe pse mbështetja amerikane mbetet me rëndësi kritike, shtysa për ndryshim të vërtetë duhet të vijë nga brenda. Në fund të fundit, varet nga udhëheqësit shqiptarë se sa do të jenë në gjendje të marrin përgjegjësinë dhe të zhvillojnë një strategji të qartë për të ndërtuar një demokraci funksionale, për të cilën kombi shqiptar ka ëndërruar aq shumë.

*Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë, “Zëri i Amerikës”

**Pjesë nga Fjala në Konferencën për 30- Vjetorin e Rivendosjes së Marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, organizuar nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare, 31 mars 2021

Etiketat e lidhura

armiq të papajtueshëmpartnerë strategjikë
Shto te burimet e preferuara

Shpërnda

Facebook WhatsApp Email X

Më të fundit

Spektakël me 8 gola në duelin zikaltër mes Atalantës dhe Interit
Para 2 orësh

Spektakël me 8 gola në duelin zikaltër mes Atalantës dhe Interit

Peshku i verdhë në liqenin Oswego, ekspertët: një në një milion
Para 2 orësh

Peshku i verdhë në liqenin Oswego, ekspertët: një në një milion

Çalhanoglu lëndohet sërish, Interi rrezikon ta humbasë deri në fund të vitit
Para 2 orësh

Çalhanoglu lëndohet sërish, Interi rrezikon ta humbasë deri në fund të vitit

Humbja e rëndë ndaj Liverpool-it, Pochettino: “Ishte e dhimbshme, duhet të reagojmë”
Para 3 orësh

Humbja e rëndë ndaj Liverpool-it, Pochettino: “Ishte e dhimbshme, duhet të reagojmë”

Më të lexuarat

1 Pica në krizë? Sfidat e markave kryesore
Para 10 orësh

Pica në krizë? Sfidat e markave kryesore

2 Erion Braçe: Erion Veliaj! Këtë herë e ke gabim!
Para 5 orësh

Erion Braçe: Erion Veliaj! Këtë herë e ke gabim!

3 A do të shpallet me 28 Nëntor Lëvizja Studentore Kombëtare si forcë politike?
21 Nëntor 2026, 15:12

A do të shpallet me 28 Nëntor Lëvizja Studentore Kombëtare si forcë politike?

4 Elisa Spiropali: Unë jam ajo që fryj erën, sjell shiun, lëshoj breshërin, ngre cunamin, thaj detet, rrafshoj malet…
Para 13 orësh

Elisa Spiropali: Unë jam ajo që fryj erën, sjell shiun, lëshoj breshërin, ngre cunamin, thaj detet, rr...

Koha Jone Logo

E përditshme, e pavarur

  • Të fundit
  • Lajme
  • Aktualitet
  • WebTV
  • Rajoni
  • Bota
  • Sporti
  • Showbiz
  • Politikë
  • Forum
  • Kultura
  • Shëndeti
  • Editorial
  • Kronikë
  • Teknologji
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Sociale
  • Reklamo në Koha Jonë
  • Kontakt
  • Privacy Policy
Download on the App Store Get it on Google Play

Gazeta "KOHA JONË" themeluar si e pavarur më datë 11 Maj 1991
Botues: Nikoll LESI. Adresa e redaksisë: Rruga "Sami Frasheri", Pallatet e Aviacionit të Vjetër Nr. 2, TIRANA - ALBANIA

Site by
  • BOTUES & DREJTOR: Nikoll LESI
  • KRYEREDAKTOR: Daniel MUÇAKU
  • ZV/KRYEREDAKTOR: Redjon SHTYLLA
  • BORDI: Elsa KAMBERI, KRYETARE
  • NIPT: J71425013C

© 2026 KOHA JONE. All rights reserved.