Analisti i BBC jep alarmin për pasojat e azilantëve: Rrezikoni riizolimin
Analisti i BBC Gabriel Partosh zbarkon në Tiranë në një kohë ku shumica e shqiptarëve po marrin rrugën e kundërt me të dhe po synojnë azilin në Europë.
Në mikrofonin e Ora News Partosh komentet i ka të qarta si një mesazh për shqiptarët dhe shtetin. Eksodi masiv rrezikon riizolimin e Shqipërisë nga muri i vizave.
Gariel Partosh: Absolutisht ekziston një rrëzik real për Shqipërinëqë disa vende të BE do të rivendosin për një periudhë të caktuar regjimin e vizave, nëse vazhdon eksodi i njerëzve në drejtim të vendeve të BE. Kjo është në dëm të qytetarëve të tjerë që respektojnë rregullat, por që do ta pësojnë nga këta individë, prandaj duhet marrë masa që të kontrollohet fenomeni sepse mund të rrezikohet regjimi i vendosjes së vizave me vende të caktuara të BE.
Në bisedën me Ora News ai jep vlerësimet edhe për situatën politike, premtimet e qeverisë që ende nuk janë mbajtur por edhe rrugën e integrimit që shqipëria ka ende për të bërë.
Gariel Partosh: Duket sikur Shqipëria është pak më pas sesa vendet e tjera të Ballkanit, por nëse do të kemi parasysh pikën e fillimit në vitet 1990 dhe e krahasojmë Shqipërinë me vendet e tjera, atëhere duhet të themi se Shqipëria është zhvilluar më shumë, sepse në fakt ka qenë vendi më i prapambetur në raport me vendet e tjera të Ballkanit. Në raport me Maqedoninë dhe Malin e Zi, Shqipëria është më mirë sepse ka liri të mediave dhe ka patur qarkullim të elitave politike. Lidhur me Serbinë ajo ka fituar shumë terren në perspektivën për tu integruar në BE edhe në raport me vendet e tjera të Ballkanit.
Gariel Partosh është një njohës i mirë i Europës Juglindore dhe veçanërisht i realitetit të Ballkanit të cilit i ka kushtuar analiza e studime të rëndësishme qoftë në rrjetin BBC qoftë edhe në konferenca të ndryshme ndërkombëtare.