Analiza: Pse mbyllja e kufijve nuk është zgjidhje kundër koronës
“Vala e dytë” përbën një sfidë për zonën Shengen dhe kufijtë e saj të hapur. Një nga arritjet më të mëdha të BE-së po vihet sërish në pikëpyetje, thotë Ministri i Jashtëm i Luksemburgut Jean Asselborn.
Para afro një viti, Evropën e zuri paniku dhe vendosi t’i mbyllte kufijtë me shpresën se kështu mund të frenonte përhapjen e koronavirusit. Tani më duhet të them me keqardhje se po kthehemi në të njëjtat diskutime që u mbajtën në fillim të kësaj krize.
Qysh nga pranvera e vitit të shkuar është përsëritur sa e sa herë se: Virusin nuk e ndal dot asnjë kufi kombëtar. Mbylljet dhe kontrollet e kufijve midis vendeve anëtare të BE-së nuk janë qasja e duhur. Kjo është arsyeja pse vendet anëtare të BE-së janë angazhuar për një koordinim më të madh në luftën kundër virusit në mënyrë që të shmangin reagime të tilla në ardhmen. Presidenca gjermane e Këshillit të BE-së pati një rol udhëheqës në këtë proces.
Tani shfaqja e varianteve të reja të virusit që duket se po përhapen më shpejt – veçanërisht të ashtuquajturat mutacione “Britanike” dhe nga “Afrika e Jugut” – është me të drejtë shkak për shqetësim.
Për këtë arsye, Gjermania ka vendosur sërish kontrolle të rrepta për udhëtarët që vijnë nga Republika Çeke dhe nga Tiroli në Austri. Ato përfshijnë masa më të ashpra hyrëse edhe për qytetarët e BE-së, duke përfshirë detyrimin për të pasur test negativ dhe, nëse është e nevojshme, karantinimin. Edhe vendet e tjera po planifikojnë të ndërmarrin hapa të tilla.
Është e qartë se, në situatën aktuale, duhet të shmangen udhëtimet e panevojshme. Por duhet të garantohet gjithsesi trafiku i nevojshëm ndërkufitar. Testet e detyruara apo edhe karantinimi do ta paralizonin këtë trafik jetik. Në të gjithë Evropën do të nevojiteshin kështu qindra mijëra, në mos miliona teste në javë ose, në rastin më të keq, edhe në ditë. Pasojat do të ishin kilometra të tëra me trafik njerëzish dhe mallrash të bllokuar në kufijtë e brendshëm. Kjo nuk është vetëm e lodhshme – është edhe e parealizueshme.
Jean AsselbornNë fund të janarit, Këshilli lëshoi një rekomandim duke u bërë thirrje vendeve anëtare të përjashtojnë nga testet e detyrueshme ose kërkesat e karantinës njerëzit që jetojnë në rajonet kufitare, të cilët duhet ta kalojnë kufirin çdo ditë ose shpesh për të shkuar në punë, në shkollë, për arsye familjare ose për vizita mjekësore. Kjo vlen veçanërisht për njerëzit që punojnë në sektorë të rëndësishëm e kritikë. Prandaj jam i befasuar nga fjalët e ashpra nga Berlini, kur Komisioni i BE-së i kujton Qeverisë Federale këtë marrëveshje, veçanërisht pasi versioni origjinal i këtij rekomandimi u hartua nga Presidenca Gjermane.
Mbylljet e kufijve po shkaktojnë dëme të mëdha
Mbi të gjitha, kjo krizë ka nxjerrë në pah lëndueshmërinë e bashkësive ndërkufitare në të gjithë Evropën (gati 30 përqind e popullsisë së BE-së). Për miliona njerëz në zonat kufitare mbylljet dhe kontrollet e kufijve kanë shkaktuar dëme të mëdha – në nivel ekonomik, politik dhe njerëzor. U desh shumë forcë dhe përpjekje për ta kapërcyer këtë. Por në Luksemburg dhe vendet fqinje kemi arritur të paktën deri më tani ta shmangim mbylljen e kufijve si në pranverën e vitit 2020.
Mbrojtja e shëndetit publik është një përparësi për të gjithë. Jemi duke luftuar me këtë virus prej tashmë një viti, dhe do të vazhdojmë edhe në vitin 2021. Por liria e udhëtimit është një e drejtë themelore në Evropë, e ankoruar me traktate dhe me Kartën e të Drejtave Themelore të BE-së. Komisioni i BE-së e ka bërë të qartë se: Mbylljet e kufirit nuk janë në përputhje me ligjin aktual të BE-së. Masat që kufizojnë lirinë e udhëtimit duhet të jenë proporcionale dhe nuk duhet të shkojnë përtej asaj që është absolutisht e nevojshme. Në çdo rast, duhet të ketë përjashtime të qarta dhe të pakufizuara për banorët e zonave ndërkufitare dhe masa për të mbrojtur zonat kufitare.
Është detyra jonë që ta kapërcejmë këtë sprovë të vështirë së bashku, pa e cënuar arritjen tonë të përbashkët, Evropën, me kthime në reflekse kombëtare të harruara prej kohësh.
Nga Jean Asselborn, që është ministri i Jashtëm i Luksemburgut- DW