Armë të reja, manovra të mëdha. Lufta e Ftohtë është trepolare
Michael Bolton, fajkoi me mustaqet e bardha të pangatërrueshme, që faktikisht drejton politikën e jashtme të Trumpit, do të takohet sot në Kremlin me Vladimir Putinin, që do të kërkojë “sqarime” mbi vendimin e Shtëpisë së Bardhë për të t’u tërhequr nga Traktati i armëve bërthamore me rreze të mesme.
Eshtë marrëveshja me të cilën në vitin 1987, BRSS e Gorbaçovit dhe SHBA e Reganit u vunë fre raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme, duke nisur nga Cruise dhe SS-20, duke çliruar kështu Evropën nga makthi bërthamor dhe përshpejtuar fundin e Luftës së Ftohtë.
Sipas Donald Trump, marrëveshja sot shkelet në fshehtësi nga Rusia dhe i lejon Kinës, e cila nuk e firmosi traktatin, që të shumëfishorë raketat e veta në dëm të Pentagonit. Ky është shkaku që SHBA do të dalë.
“Eshtë një lëvizje e cila do e bëjë botën shumë më të rrezikshme dhe do t’i hapë rrugë një gare të re armatimi”, ka thënë dje zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili ka kërcënuar me masa të menjëhershme, në formën e sistemeve të reja të armatimit, që rusët do i zhvillojnë.
Vetë Gorbaçovi, që tashmë është 87 vjeç, ka denoncuar vendimin e Amerikës si të “pamatur”, duke shtuar se kush e ka marrë këtë vendim, nuk mund të jetë një mendje e madhe. Komente alarmuese kanë ardhur nga Evropa, sidomos Gjermania. Madje edhe Kina ka ftuar Uashingtonin që “të mendojë dy herë”, para se të ndjekë këtë rrugë. “Një tërheqje e njëanshme e SHBA do të ketë një seri të gjatë efektesh negative”, ka thënë Hua Chunying, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme.
Megjithatë, sidomos shumë analistëve, këto kritika ndaj lëvizjes amerikane të shpallur të shtunën, i referohen një situate idilike, që nuk ekziston më prej kohësh. Jo vetëm SHBA dhe Rusia, por edhe Kina, gjithnjë e më ambicioze në nivel ndërkombëtar, po i rrisin me nxitim shpenzimet e tyre ushtarake. Nuk bëhet më fjalë për negociata çarmatimi. Fitorja në terren e rusëve dhe iranianëve në Siri, në mbrojtje të regjimit të Assadit, ka turpëruar mbrojtësit e diplomacisë dhe paqes.
Mjafton të shohësh atë që po bëjnë ushtritë më të mëdha të botës, me shumëfishimin e stërvitjeve ushtarake, për të kuptuar ndryshimin e thellë të klimës, që ka çuar edhe në vendimin e SHBA. E kanë nisur pikërisht rusët, duke organizuar në fillim të shtatorit atë që u quajt Vostok-2018, stërvitja më e madhe ushtarake që nga kulmi i Luftës së Ftohtë, me pjesëmarrjen jo vetëm të 300 mijë njerëzve, një mijë avionëve luftarakë dhe 900 tankeve, por edhe një kontigjent ushtarësh dhe helikopterësh të forcave të armatosura kineze. Kina, marina ushtarake e të cilës ka kaluar atë amerikane për nga numri i luftanijeve, po nis një stërvitje masive ushtarake bashkë me 10 vende aziatike.
Për të mos mbetur prapa, NATA do të nisë në fund të tetorit në Norvegji, “Trident Juncture 2018”, që Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg e quan “stërvitja më e madhe në shumë vite”. Do të marrin pjesë 45 mijë trupa nga 29 shtete, 150 avionë, 60 anije, 10 mijë mjete, dhe do të shërbejë për të simuluar “reagimin kolektiv të NATO-s, në rast se sulmohet me armë një shtet aleat”: një skenar ky, që deri pak muaj më parë dukej fantazi ushtarake, por që tani, me shfaqjen e një tjetër Lufte të Ftohtë – jo më dypolare, por trepolare – nuk ngjan më dhe aq jorealist.
Burimi: La Repubblica