Artan Lame, polemikë me Mustafa Nanon për Skënderbeun
Elitat nuk kanë as komb dhe as fe. Kështu thotë Artan Lame, ndërsa Tirana, dhe jo vetëm, zien nga debati se çfarë kombësie kishte nëna e Skënderbeut.
Për Lamen ky nuk është veçse një debat “folklorik”, për vetë faktin e thjeshtë se në periudhën e Skënderbeut nuk ekzistonte asfare nocioni i kombit, çka do të lindte në shek. XIX.
Kështu që nuk mund të flitet për një kombësi serbe apo shqiptare të Vojsavës, siç nuk mund të flitet për kombësi shqiptare apo serbe të Skënderbeut. Sipas tij, nëse Skënderbeu do të kishte jetuar 4 shekuj, me gjasë do të ishte bërë shqiptar, por atëherë jo.
Madje, Lame thotë per “Panorama” se Skënderbeu nuk dihet në ishte i krishterë apo mysliman, pasi ai vetë e përdorte fenë në funksion të interesave të tij dhe të asaj çka ai përfaqësonte. Shembullit të Skënderbeut, i shton edhe atë të Ahmet Zogut, i cili kur u bë mbret, nuk ndoq më religjionin e “trashëguar”.
Sipas tij, elitat nuk janë individë, por funksione. Në këtë mënyrë Lame e bjerr gjithë debatin që ka plasur pas deklaratës së publicistit Mustafa Nano, se nëna e Skënderbeut është sllave (serbe), duke e vijuar më tej, se edhe e motra e Skënderbeut Mara është martuar me një serb, e po kështu edhe i biri i tij. Një debat që ka prekur “ndjeshmërinë” e shumë njerëzve dhe që ka degjeneruar deri në sharje personale.
ARTAN LAME
Së pari, të bësh debat nëse Skënderbeu ishte shqiptar apo jo, apo serb, apo kushedi se çfarë tjetër, është si të pyesësh nëse Dante Aligeri ishte italian apo jo. Dantja nuk ishte italian, sepse në kohën e Dantes nuk ekzistonte Italia, por etnia italike; dhe po kështu, në kohën e Skënderbeut nuk ekzistonte Shqipëria, por etnia shqiptare, madje as shqiptare, por arbëre.
Dhe, për sa kohë “kombi” është një nocion i shek. XIX, është marrëzi të flasësh për kombësinë, apo t’i japësh një kombësi dikujt që ka jetuar 4 shekuj përpara se të “shpikej” kombi. Ndoshta po të kishte jetuar nja 400 vjet, Skënderbeu me shumë gjasa do të ishte bërë shqiptar, por në 1400-n nuk ishte shqiptar.
Së dyti, Skënderbeu ishte pjesë e aristokracisë së kohës, e elitës së kohës. Elitat nuk kanë kombësi, elitat janë mbi dhe transnacionale. Jo vetëm në atë kohë, që nuk ekzistonte fare kombësia, por edhe më pas, elitat europiane nuk kanë pasur kombësi. Nuk kanë as sot kombësi, që kemi 200 vjet të zhytur në epokën e kombeve, jo më atëherë.
Monarku i sotëm i Anglisë është gjerman, monarku i sotëm i Spanjës është francez, monarku i Shqipërisë së fillimshekullit XX, princ Vidi, ishte gjerman. Elitat ekonomike, financiare, bankare, që janë sot si dikur elitat aristokratike, nuk kanë kombësi.
Janë mbi të, sepse edhe funksioni i tyre përpara shoqërisë i tejkalon folklorizma të tilla. Madje, janë jo vetëm transnacionale, por edhe transreligjioze. Po ju sjell dy shembuj nga këto anët tona. Vetë Skënderbeu nuk kishte shumë skrupuj moralë nëse ishte ishte i krishterë apo mysliman. Një herë bëhej mysliman dhe njëherë i krishterë, sipas interesit. Dhe kjo ishte gjëja më normale dhe më e mirë që bënte.
Babai e kish ndërruar fenë nja tri herë, një vëlla e kishte murg ortodoks në Mal të Shenjtë, të nipin, Hamzanë, e kishte mysliman dhe të martuar me një myslimane, vetë u martua me katolike. Interesi dhe ajo çka ai përfaqësonte, e shtynte të ishte mbi këto elemente, që janë më se normale, për një njeri të zakonshëm. Marrim rastin e Zogut. Në momentin që ai bëhet Mbret, që bëhet pjesë e elitës, që nga person kthehet në institucion, nuk është më mysliman.
Nuk u fal kurrë në xhami. Ishte mysliman në lindje, por në funksion iu largua përkatësisë fetare. U martua me një katolike dhe lindi fëmijë, që po të kishin jetuar këtu (fati i keq e deshi të largohej njëditësh) nuk do të kishin asnjë lloj religjioni. Pra elitat nuk janë persona, por janë funksione, institucione, dhe si të tilla nuk qëndrojnë mbi nocione të tilla si kombësia dhe religjioni.
Së fundmi, mungesa e institucioneve shkencore në vend, folklorizmi i tyre dhe folklorizmi i shoqërisë shqiptare në përgjithësi, i shtyn të gjithë që të ngrysen zanatçinj (të nderuar në profesionet e tyre) dhe të gdhihen profesorë (qesharakë në këtë veshje që s’ju shkon).