Artur Zheji: Kryeministri dhe qentë Këçëkë, rreth e rrotull…

Nga Artur Zheji

Në të vërtetë, të flasësh e të stërflasësh sot kritika për Ramën, është gjithmonë e më e lehtë, sepse gjërat në qeverisje dhe në shtetzhbërje, janë në një dekadencë të dukshme edhe për besimtarin e fundit komunist, këtu në tokën shqiptare. Mirëpo dukshëm kjo nuk mjafton, sepse kryeministri duke marrë mbi vete vëmëndjen dhe shigjetat e pashmangshme, shpëton nga vëmendja shumë nga qentë rreth e rrotull.

Po, e kuptuat qartë.

Kopera me qenë rrugësh apo qenë stanesh, me dhëmbët e qenit, të mprehta dhe të gjata dhe gjithmonë të përgjakura apo me copa mishi të ndukura nga kockat dhe që varen, sëbashku me jargët e shumta, nga nofullat e poshtme dhe gjuha e jashtënxjerrur. Sepse Shqipëria është gjithmonë e më e ngjashme me një therrtore, ku ajo, Shqipëria, është superLopa, që therret e filetohet ditë pas dite, me një passion dhe neps të paparë. Thertorja Shqipëri, apo Republika e Shqipërisë, popullohet gjatë javës (sepse fundjavat janë përtej Rinasit), nga profesionistë të përzgjedhur të akuzuar si oligarkët e oborrit, nga amatorë që ulin gjithmonë çmimin e shërbimeve në treg, dhe nga “Kçk- ista” (shkurtimi i shprehjes “kap, çtë kapësh”, lexohet këçëkëista) të panumërt, aventurierë të kudondodhur.

Tani sëfundmi, këta “këçëkëistat”, janë vendosur në trysninë e përndjekjes së zhurmshme, kryeministrore, sepse ata janë fajtorët modernë të rrumpallës Ramiste, janë ata pra sot armiku, se Opozita, u kalb në opozitë dhe nuk ka më pupla të shumta mediatike, për t’i shkulur e për t’u ankuar. Dhe ish oligarkët e ishpushtetit, sot pa pushtet, janë sot yzmeqarë lluksi, në oborrin e kryeministrit, pavarësisht pordhës që shprehin në publik. Kështu pra, këta këçëkëistat, këta qenë të tërbuar, janë sot problem për tu zgjidhur! Dhe kur e thotë Rama këtë, e mban fjalën, ay!

Sepse në të vërtetë, këçëkëistat, nuk raportojnë askund, nuk kanë një teser të qëndrueshme partie e nuk mbledhin vota, demek bëjnë edhe si të pavarur dhe u shkelin syrin edhe opozitës, në raste të caktuara…Nuk paguajnë pra gjoba këta, nuk paguajnë taksa dhe heshturazi e pa bujë të madhe, po bëjnë kërdinë në xhungël, sipas ankesave të oligarkëve të oborrit, e pra duhen sulmuar, duhen shpuar në vesh e numëruar, sterilizuar, e në raste të mosbindjeje, mund të hiqen qafe në çdo kohë.

Pavarësisht ku ndodhen e çfarë pune demek bëjnë këta këçëkëistat, janë sot e deri në vitin 2021, armiku numër Një i pushtetit dhe një punë e kokëçarje e madhe për mjekrroshin e ri! Që askush të mos guxojë, të shkulë apo të ndukë mish lopeshqiptare apo mish lopekolumbiane, pa lejen apo autorizimin e veçantë të drejtorit të thertores sonë të madhe. Oh, më falni, të Republikës së Shqipërisë, të rilindur thertore moderne e me filetim total, special dhe natyrisht, me paketim me vakum, sipas teknikës më të fundit…

SHKARKO APP