Artur Zheji: Të jetë kjo një “Dashuri e Re”, Rama-Meta?
Nga Artur ZHEJI
Ilir Meta, është sot Presidenti më i pasulmuar ende nga palët. Kryeministri përfiton në çdo rast për ta marrë me të mirë. Meta buzëqesh, ngjitet në ndonjë mal të lartë dhe në qetësi, bllokon projektligjet më të diskutuara dhe më të debatuara në opinionin publik.
Mirëpo mazhoranca, nën regjinë e KM-së, nuk e sulmon dhe ndoshta i dërgon ndonjë buqetë me lule në fshehtësi. Porosia është e dukshme në qëndrimin ndaj Metës: “Mos e sulmoni! Duhet lënë gjithmonë një derë hapur drejt tij…”
Iliri, apo Presidenti nga ana e tij, nuk le asnjë shkak formal, për tu interpretuar si një President i anshëm dhe me plot kujdes, nuk bën asnjë “lajthitje” institucionale.
Mirëpo pa fare bujë, në një sinkronizim të habitshëm me Ministrin e Jashtëm, Bushati, e mbylli me kapak kushtetues, “Negociatën me Greqinë”, për Çështjen e Detit, duke u tharë pështymën në grykë, fjalimeve retorike dhe emfatike entuziaste, mbushur me kërcime të “Zorbës” dhe puthjet faqe më faqe, të palës shqiptare dhe asaj greke.
“Pa një Gjykatë Kushtetuese vepruese”, nuk ka si të ketë një Marëveshje të këtyre përmasave Kombëtare, është mesazhi Presidencial.
Përsëri asnjë replikë dhe asnjë kundërshti nga Qeveria.
Heshtje, ndoshta shtrëngim të padukshëm dhëmbësh, por asnjë reagim publik, asnjë vërejtje apo thumb.
Të jetë kjo një “Dashuri e Re”, Rama-Meta?
Askush nuk mundet ta besojë këtë, as edhe naivi më optimist, porse është thjesht një çështje përllogaritjesh politike nga ana e Mazhorancës, e cila, ndryshe nga sa shprehet, është në një periudhë vuajtjesh dhe djersitjesh, nga ato të fortat.
Skandalet ndjekin njera tjetrën dhe “alibia” e Lsi-së, si një parti politike mëkatare, nuk është më.
Pra mëkatarët, për të mos thënë hajdutët e Kupolës Rozë, ata që janë hajdutë kuptohet, pa dashur të përgjithsojmë, janë tashmë vetëm dhe lakuriq, e me hallate jashtë. Tepsia e gjitha për vete, pas fryrjes së parë të barkut më llokmat e byrekut të madh, të Parasë së Madhe, doli se të bën keq për dietën dhe rrit në mënyrë maramendëse anarkinë, luftën brenda llojit, krijimin e konflikteve dhe sëmundje të rënda në trupin e qeverisjes pa rezultate.
Duket se, brenda kornizës presidenciale, Meta, pret me durim dhe dinakëri, zhvillimin e hovshëm të këtij procesi kalbëzimi, derisa të shkojë në gangrenizim të plotë, diagnozë kjo, sot krejt e dukshme, të paktën në disa nga titullarët e rëndësishëm të PS, që ndezin purot me kartëmonedha 500 eurshe, e që priren drejt një aventurizmi seksual dhe abuzues, të përmasave legjendare.
Darkat dhe pothuajse orgjitë e disa ministrave, në lokale, të cilat mbyllen kur hyjnë brenda agallarët, janë sot, një temë e përditshme e kafeneve të shqiptarëve. Duke e ulur nën dhe, reputacionin e qeverisjes dhe deklaratizmit politik.
Sepse, si edhe vihet re, KM-ja, mbetet kampioni i daljeve Tv, si një gjitholog që jep përgjigje për çdo temë dhe merr në mbrojtje çdo çjerrje pantallonash që nxjerrin në diell, prapanicën e palarë të ministrave të tij, shpesh herë edhe idiotë të përsosur të komunikimit.
Meta, duket se informohet mirë dhe mban shënim, në kullën e vet presidenciale, edhe për këtë lëngatë të KM-së me disa nga ministrat e vet, që janë gjithashtu njohje të vjetra të qebabtores së PS, ku edhe i rekrutoi KM-ja i sotëm, me premtimin se do t’ju paguante borxhet e jetës së tyre të shthurur.
Edhe marrëdhënia e Metës, me PD-në është emblematike. Anti Lsi-stët e PD-së, sot janë më të pakët se dje, sepse kuptojnë sot, më mirë se dje, se ardhja e tyre në pushtet, pa Lsi, mbetet një ëndër e parealizueshme.
Meta, duket sikur e mban shënim edhe këtë.
Sepse askush nuk mund të thotë se ai, e ka mbyllur në Presidencë karierën e vet politike dhe se pas ushtrimit të kësaj detyre, do të shndrrohet thjesht në një alpinist pasionant dhe full time, si edhe do të ëndëronte shumëkush./ 360grade.