Basha: Unë kryeministër!

Kreu i Partisë Demokratike shpall hapur synimin për kryetar të qeverisë, pas rrëzimit të Edi Ramës

Takimet me elektoratin për protestën e madhe të 27 janarit kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po e përdor si parafushatë elektorale. Dje nga qyteti i Elbasanit, Lulzim Basha ka shpallur hapur ambicien për të marrë postin e kreut të qeverisë. Në takimin me demokratët Basha deklaroi se ai do të jetë kryeministër i dalë nga zgjedhjet dhe jo nga protestat, por theksoi se protestat janë e vetmja mënyrë për ti dhënë mesazhin e duhur Edi Ramës. “Ajo që kërkojmë me 27 janar, nuk është për veten tonë, jo, nuk është për të bërë Lulzim Bashën kryeministër. Unë nuk dua të jem një kryeministër i ardhur nga protesta. Unë dua të jem një kryeministër i ardhur nga vota e qytetarëve shqiptarë, bazuar në programin tonë, në zgjidhjet tonë, në vizionin tonë, në vlerat tona”,-tha kryedemokrati Basha.

Deklaratat e kreut të PD-së nuk do të kishte tërhequr vëmendje në një situatë tjetër. Është zgjedhur kryetar i PD-së, partisë më të madhe opozitare, pikërisht që të jetë një ditë kryeministër. Ndaj dhe ambicia drejt karriges së kreut të qeverisë duket një proces i natyrshëm për politikanin Basha. Por momenti kur kjo deklaratë bëhet, para 27 janarit, ka jo pak rëndësi dhe lidhet pikërisht me protestat. Pavarësisht se Basha thotë se nuk do të bëhet kryeministër i dalë nga protestat, tubimet e opozitës janë e vetmja mënyrë për të ndryshuar situatën. Pushteti është qëllimi i çdo force opozitare, ndërsa protestat janë mjeti me të cilat shkohet në zgjedhje për të marrë qeverinë. Dhe Basha në tubimet e fundit ka rritur shpresat e demokratëve se shumë shpejt gjëra do të ndryshojnë. Një ndryshim që varet nga mënyra sesi opozita e re do të menaxhojnë tubimet kundër qeverisë dhe pakënaqësinë e qytetarëve ndaj qeverisë aktuale. Nëse 27 janari do të jetë vetëm tubimi i radhës i serisë së gjatë të protestave të opozitës, gjasat janë që Basha të vazhdojë të ëndërroj postin e kryeministrit për shumë kohë. Nëse vazhdon të ndjek të njëjtat metoda të gabuara me protesta dhe më pas marrëveshje, gjithë aksioni opozitar mund të jetë vetëm një dekor për qeverinë, duke e legjitimuar pushtetin e Edi Ramës. Qeveria aktuale, siç thotë opozita, i ka marrë të gjitha pushtetet. Një opozitë që nuk e kthen protestën në një reagim mbarëqytetarë vetëm sa e bën të duket edhe me normal pushtetin.

Bashkë me ambicien për të marrë drejtimin e qeverisë, Basha dhe opozita, veç gjuhës së fortë dhe akuzave që kanë arritur nivelet maksimale tashmë duhet të kujdesen dhe për të dhënë alternativa. Opinioni bashkohet me shumicën e kauzave të opozitës, por ende nuk kanë dëgjuar në mënyrë të qartë dhe të prerë, se çfarë do të ndodhë më pas. Cili është plani qeverisës i PD dhe opozitës? Çfarë qëndrimi ka Basha për koncesionet, për lidhjet e biznesit me qeverinë? Çfarë projekti ka për ekonominë, krimin dhe për të ndalur eksodin e shqiptarëve?

A do jetë Basha në krye të protestave pa ndalim këtë pranverë apo nëse Rama i hedh një grep pazari, turret drejt një 17 maji tjetër? Lulzim Basha ka shansin për tu bërë kryeministër me protesta e pikërisht me këtë mënyrë e jo duke buzëqeshur. Nëse në PD presin vitin 2021 se po u vjen radha dhe vetë Rama do t’jua lëshojë pushtetin, do jenë të zhgënjyer. Dhe të humbur.

Pushteti fitohet duke e kërkuar me forcë, natyrisht me forcën e popullit. Gjithnjë nëse populli të vjen në protestë.

Por para se Basha të arrijë deri te qeverisja ka jo pak rrugë përpara. Nga mënyra sesi do të veprojë këto muaj dhe sesi do të vlerësojë aleatët realë në opozitë do të varet dhe e ardhmja aksionit të tij politik. Nëse vërtetë do të bëhet kryeministër duhet që pas 27 janarit të mos bëj gabimet e 18 majit.

Dhe popullin të mos e thërrasë për një ditë. 27 janari është test numrash. Më pas nuk ka më test numrash, por përballje, forcë me popull.

A.M.

SHKARKO APP