Baton, pash Zotin, mos komento edhe këpucët e Ramës, ngrije stekën vlla…

Nga Artur Zheji

Lexova me tmerr shkrimin më të fundit të Baton Haxhiut dhe mendova se çpo ndodh në këtë vend. Batoni komentonte këpucët sportive të Ramës dhe merrte nën mbrojtje këpucët e kryeministrit, si artist dhe si estet demek.

 Ku dreqin e lexova, se mund të më kishte shpëtuar pa lexuar këto ditë vere… por ja ndodhi.

 Këpucëkomentimi i kryeministrit, nga dashuria apo nënshtrimi, më duket një tregues për nivelin ku po rrokullisemi, në këtë greminë qesharake, që na largon nga besimi i njerzve. Këtë këpucëkomentim, mund ta bënte si mëkat fillimkariere ndonjë zonjushë e pamartuar apo ndonjë gazetarzog i sapo dalë veze, nën urdhër të pronarit maskara, por nga Batoni nuk e prisja kursesi.

Me Batonin njihem prej vitesh, madje kam derdhur lot të sinqertë, kur, në kohën e luftës së Kosovës, u hap lajmi i rremë që u vra nga serbët.

 Dhe e kam përqafuar me dashuri vëllazërore kur e takova gjallë, në Tetovë, si emigrant lufte dhe e kemi gdhirë duke zbrazur gota mjerimi dhe duke bërë analiza të trishta, te klubi “B52”, për Kosovën që digjej dhe të ardhmen e panjohur.

 I mërzitur por optimist ishte atëhere Batoni, por kishte dinjitet dhe bënte gazetën dhe lajme në kushte të vështira.

E pra, pash Zotin!, Baton, si mundesh sot ti, Batoni i ironisë së hollë, të komentosh këpucët e Ramës dhe të marrësh nën mbojtje huqet e tij, deri në nivelin e këpucëve sportive me ngjyra apo pa ngjyra.

 Sepse ashtu si more sëfundi nën shqyrtim këpucët, more në shqyrtim dhe mbrojtje edhe kanabisin që nuk ishte sipas teje, dhe ngite lart, edhe qeverisjen e dështueme 4 vjeçare 2013-2017 dhe ju vërsule gojëhidhur kundërshtarëve politikë të tij. Por hajt mo, kjo edhe haej deri diku.

Por këpucëkomentimi, jo!

 Dhe padyshim ai, këpucëkomentuari, ta ka hedhë dorën në qafë, sa herë që të takon, besoj me dashuri dhe me kunja të vrerosura, për ata, që e sulmojnë nga “xhelozia” dhe “cmira” dhe që nuk ja mirëkuptojnë këpucët snobe në Samitin e Triestes.

 Nga ai Samit me këpucë sportive, Shqipëria doli duarbosh, por ti komenton këpucët dhe në këtë mjerim pa skaj, e krahason me Isa Boletinin dhe pisqollën e tij të famshme, të fshehur në brez në takimet e Londrës me kryeministrin britanik, një shekull e kusur më parë, për njohjen e Shqipërisë dhe të Kosovës, që atëhere në mendjet e shqiptarëve ishin një.

Hajte more ku je?!…

 Ndonjë hall të madh do të kesh o mik, o vlla! Se nuk do ta bënte një Baton pa ndonjë “hall”, këtë keqtrajtim publik të Batonit, në këpucëkomentimin e kryeministrit, që nuk i ka menduar këto punë kaq thellë sa ti. Ndoshta ka pasur ndonjë kallo që i dhimbte, apo edhe në ka apo ska kallo në këmbë, ti ke informacion esksluziv?

Rama në Samitin e Triestes

Ka mundësi… ka mundësi…

 Por, si në kohët e vjetra të vitit të largët 1992, kur ndenjëm ca herë sëbashku me Ibrahim Rugovën në Romë dhe me shallin e tij, sepse ai shall, mendoj se kish shumë më shumë kuptim se sa këpucët që ti merr sot nën mbrojtje, në emër të atyre kohëve pra Baton, ngrije stekën e gjykimit dhe të komentit pak më lart, vlla.

 Nga mesi e lart, pra. Nga rrypi e deri te ndonjë vath, që kryeministrit mund ti teket ta vendosë në vesh, apo ndonjë pirs në vetull apo në hundë.

 Dhe një këshillë: Pas shkrimit këpucëkomentues, rri ca kohë pushim, qoftë edhe në Qeparo apo Vuno, sa të harroet capak.

Dhe mos na trondit më kështu, se të duam ndryshe. /360grade.al/

SHKARKO APP