BE-ja si ndërmjetësuese mes Koresë së Veriut dhe SHBA-së?
Politikanë në Gjermani në sfondin e konfrontimeve verbale mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut shprehin shqetësimin e tyre. Partia Socialdemokrate gjermane propozon, që BE-ja të ndërmjetësojë.
Kryetari i grupit parlamentar të partisë socialdemokrate (SPD) Thomas Oppermann angazhohet për ndërmjetësimin e BE-së në krizën mes Koresë së Veriut dhe SHBA-së. “Gjermania ka mundësi të kufizuara, të influencojë direkt në këtë konflikt”, tha ai në Belrin. Ndërsa BE-ja propozohet si ndërmjetësuese. “Unë nuk e di, nëse kjo është realiste. Nëse ka një mundësi për këtë, atëherë ajo duhet shfrytëzuar.” Fillimisht duhet insistuar, që përballja verbale të zëvendësohet nga bisedime të arsyeshme.
Të shmanget përshkallëzimi
“Përshkallëzimi verbal është i rrezikshëm – dhe besimi tek Donald Trump, se mund të marrë vendime të siguruara në plan afatgjatë, është i kufizuar”, tërhoqi vëmendjen Oppermann. “Ndaj shpresoj shumë, që në SHBA forca si ministri i Jashtëm Tillerson, që përdorin gjuhë të moderuar, të marrin situatën në dorë.” Por kërkohet natyrisht edhe nga fuqia mbrojtëse e Koresë së Veriut Kina, që të ndërmjetësojë. “Tani kemi një situatë, ku Këshilli i Sigurimit – ka vendosur sanksione kundër Koresë së Veriut pa u vendosur veto prej Kinës dhe Rusisë. “Kësisoj situata politikisht edhe në aspektin diplomatik është sjellë në drejtimin e duhur. “Kjo nuk duhet të çojë nga një përshkallëzim verbal drejt aktiviteteve ushtarake. Një gjë të tillë duhet ta ndalojmë patjetër”, theksoi politikani socialdemokrat.
Ndërkohë kandidati i SPD-së për kancelar Martin Schulz akuzoi Trumpin se po e ashpërson konfliktin e Koresë së Veriut. “Ne jemi në një situatë, ku na duhet t’i themi edhe hapur qeverisë së SHBA-së, që kjo përplasje verbale e ashpërson situatën dhe nuk e zbut atë”, tha kryetari i SPD-së në Berlin. Qeveria federale duhet t’ia bëjë të qartë këtë Trumpit. Schulz përshëndeti ashpërsimin e sanksioneve kundër Koresë së Veriut dhe i kërkoi Kinës, që të verë në veprim influencën e saj. “Ajo që duhet të na shqetësojë, është se presidenti i SHBA-së bie në nivelin e diktatorit koreano-verior.” Këtë duhet t’ia themi qartazi Trumpit. “Kjo politikë e presidentit Trump nuk mund të jetë kurrë politika e europianëve, as politika e Republikës Federale të Gjermanisë”, tha Schulz.
Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, e akuzoi Korenë e Veriut për shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe shprehu mirëkuptim për presidentin e SHBA-së. “Përsëritja e provave me raketat bërthamore nga Koreja e Veriut shkel të drejtën ndërkombëtare në fuqi dhe kërcënon paqen rajonale”, tha për gazetën “Passauer Neuen Presse” politikania kristiandemokrate.
Koreja e Veriut i përmbahet kursit
Koreja e Veriut pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare prej vitesh po e avancon programin e saj të raketave dhe armëve bërthamore. Në korrik ajo testoi dy raketa ndërkontinetale, që sipas ekspertëve mund të prekin edhe kontinentin në SHBA. Trump në një deklaratë adresuar Phenianit tërhoqi vëmendjen për arsenalin bërthamor të SHBA-së, që është “më i fortë se kurrë” më parë. Po ashtu presidenti i SHBA-së kërcënoi, se SHBA-ja do të reagojë me “zjarr e indinjatë” ndaj provokimeve prej Koresë së Veriut. Si kundërpërgjigje Koreja e Veriut nga ana e saj kërcënoi me një sulm me raketë ndaj destinacioneve përreth bazës ushtarake të SHBA-së Guam në Paqësor.