Berat Buzhala: Shtatë ditë pasi u shpalla edhe zyrtarisht islamofob
Nga Berat Buzhala
Një satirë e imja me niqabin, në fund të javës së kaluar, e betonoi përfundimisht imazhin tim si islamofob. Si dhuratë i mora rreth 1500 mesazhe në Facebook. Secili më monstruoz se tjetri. Nëse ka mundësi, do të doja që të më lejonit edhe mua që t’i them disa fjalë, se çfarë mendoj unë për islamin.
Kujtimet e para për islamin unë i kam prej viteve të 80’ta, kur isha rreth 10 vjeç. Jetoja në Ujmirë bashkë me familjen. Hoxhë Ramadanin e kishim fqinj të parë. Hoxha, që dëgjonte shumë pak, për të mos thënë fare, më tregonte qysh gjyshi im, Gega, ia kishte mësuar shkronjat diku në mal, duke ia shkruar në rrasa, kur ishin çobanë. Hoxhë Ramadani nuk kishte shkollim adekuat. Njohuritë e tij për islamin ishin të cekëta. Për religjionin fliste me hamendje dhe pasiguri të madhe. Sikur kur ecën nëpër një akull të hollë, që pret të kërcet çdo moment që futesh më thellë. Përveç kësaj, Hoxha dinte të tregonte edhe kur ishte Viti i Ri i myslimanëve. Me këtë rast, ai e paguante dikë nga komuniteti rom për t’i rënë tupanit. Kjo ishte intriguese për mua. Për çfarë viti të ri po fliste? Si ishte e mundur që qenka edhe një Vit i Ri, e që qenka diku kah e 1400’ta. Për këto enigma pyesja në shtëpi, por nuk është që merrja ndonjë përgjigje të thellë. Gjithashtu, në kohën e muajit të Ramazanit hoxha Ramadani, prapë me ndihmën e tupanit dhe romit, njoftonte për kohën e iftarit. I kryente edhe ritet fetare, kur dikush vdiste. Në kohë të lirë, e të cilën e kishte me bollëk, argëtohej me ne, e edhe ne me të. Ndonjëherë shkonim edhe në shtëpinë e tij, ku jetonte me të shoqen, hoxhanicën, e që gjatë verës i vinin për vizitë nipat nga Rahoveci. Kënaqeshim edhe me ta. Nuk jam thelluar shumë në atë kohë në “përplasjet e civilizimeve” sepse isha fëmijë. Më e rëndësishme për mua ishte se më quante si “djali i dajës”. Se ku e gjente një lidhje familjare. Pra, ne ishim të afërt. Religjioni nuk na ndante. Fobi ndaj tij nuk kishte mundësi të kishte, sepse i kishim shtëpitë e përziera.
Në vitet e 90’ta, kur babën e larguan nga puna, u shpërngulëm nga Ujmiri në Çabiq. Nuk ishte ndonjë shpërngulje serioze. Kishim lëvizur vetëm tri kilometra, për arsye mbijetese. Tashmë isha mbi 16 vjeçar. Sikurse Ujmiri, edhe Çabiqi ishte një fshat me shumicë absolute myslimane. Në fshat nuk kishte as xhami e as kishë. Nuk kishte as hoxhë e as prift. Madje, nuk mungonte humori për klerikët. Nuk përjetoheshin shumë seriozisht. Kisha më e afërt ishte 3 kilometra, në fshatin Dobërdol, kurse Xhamia më e afërt 4-5 kilometra larg, në Bubavec. Famullitar ishte Dom Frana, kurse Imam Mulla Xhevati. Të dy njiheshin dhe ishin miq me njëri-tjetrin, sepse besimtarët u jetonin në harmoni. Të dy respektoheshin prej besimtarëve të të dy besimeve. Në rast vdekjeje ndodhte që këta takoheshin me njëri tjetrin në të pame. Isha kurioz t’i shihja së bashku, të dy me uniformat e punës. Mulla Xhevati ishte shndërruar në një personalitet të njohur për kohën kur së bashku me Don Lush Gjergjin, në xhaminë e Bubavecit morën pjesë në aksionin e madh të pajtimit të gjaqeve. Suksesit të tij iu gëzuam të gjithë. Ishte një imam përherë i buzëqeshur. E gëzonte respektin e të gjithëve. Për fobi nuk mund të bëhej fjalë, sepse ai ishte anëtar i familjes.
Kur erdha në Prishtinë, fillimisht si student, e më vonë edhe si i punësuar, mësova që Bashkësia Islame e Kosovës udhëhiqet nga Kryemyftiu Rexhep Boja. Me kalimin e viteve, me rritjen time, u rritën edhe interesimet e mia, përveç tjerash, edhe për religjionin. Posaçërisht kjo gjë ndodhi pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, ndonëse plasaritjet e para në rrafsh global kishin filluar në mesin e viteve të 90’ta, kur lëvizja terroriste Al Qaeda po i sulmonte stacionet diplomatike dhe ushtarake amerikane në Lindje të Mesme dhe në Afrikë. Kryemyftiu Rexhep Boja, qasja e tij ndaj religjionit, ishte garanci e mjaftueshme se shqiptarët assesi nuk do të devijojnë rrugën e tyre origjinale të fesë, të tolerancës dhe mirëkuptimit; se ne para së gjithash jemi shqiptarë. Por, në këtë periudhë kohorë, në dekadën e parë të shekullit 21, posaçërisht pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, kur Kosova po administrohej nga Kombet e Bashkuara, misioni i UNMIK’ut, në rrugët e Prishtinës filluan të shfaqeshin burra shqiptarë që visheshin dhe dukeshin ndryshe. Pamja e tyre i ngjasonte atyre të Al Qaedas, edhe pse nuk ishte politikisht korrekte që të paragjykoheshin, për shkak të lirive dhe të drejtave të njeriut, për t’u veshur dhe dukur sipas bindjes së lirë. Por, paraqitja e tyre, ngulmimi i tyre për t’u pranuar në këtë formë, ishte më shumë rezistencë politike se sa religjioze. Dukja e tyre ishte komunikatë për shtyp.
Sigurisht që nuk kam pasur kurrë fobi ndaj Ramadan Hoxhës, ndaj Mulla Xhevatit, e as ndaj Kryemyftiut Rexhep Boja, mirëpo fillova të ndiej një fobi ndaj kulturës – është ironike ta quajmë kulturë, kur aq shumë e urrejnë atë – të re, që dukej njëjtë me atë të terroristëve të Bin Ladenit. Dalja e tyre në skenë pas 11 shtatorit më ngjallën fobi.
Thash më vete: a ka mundësi që gjithë jetën time paskam qenë gabim? A është e mundur që këta e kanë mirë për islamin, e unë, e bashkë me mu edhe Hoxhë Ramadani, Mulla Xhevati e Myftiu Rexhep Boja, e kemi keq?
Fillova të lëkundëm, sepse njohuritë e mia teorike për islamin ishin jashtëzakonisht të cekëta. Unë e interpretoja islamin, ose e njihja atë, në bazë të sjelljeve të përditshme të njerëzve. Nëse ata ishin tolerantë ndaj besimeve të tjera, nuk ishin të dhunshëm, nuk i impononin bindjet e tyre, atëherë nuk kisha asnjë arsye të besoja që ishte ndryshe, ose që duhej të frikësoheshim. Shto këtu faktin se në të njëjtën vijë me besimtarët ishin edhe krerët e tyre fetarë.
Atëherë pse duhet të mendoja ndryshe?
Pashkët dhe Bajrami haheshin dhe festoheshin së bashku. Uroheshin së bashku. Dikush dërgonte ve të ngjyera në shkollë, e dikush tjetër bakllava. E askush nuk predikonte që kjo është gabim. Përkundrazi, një jetë e tillë e përbashkët inkurajohej, edhe nga prifti e edhe nga hoxha. Mirëpo kjo çfarë unë dija për islamin ishte jashtëzakonisht e cekët.
Kur zbarkuan forcat e reja religjioze, që visheshin dhe dukeshin ndryshe, gjërat filluan të ndryshojnë. Ata predikonin një islam tjetër, të cilin unë nuk e njihja. Ata distancoheshin prej akteve terroriste, më shumë pro forma, se sa me zemër. Pas çdo distancimi e kishin edhe një POR.
“Sulmet e 11 shtatorit janë të papranueshme, POR edhe Amerika po e tepron”.
“Islami nuk e lejon vrasjen e fëmijëve dhe grave, POR edhe Izraeli po vret gra e fëmijë”.
Në midis të Prishtinës predikohej hapur kundër shiitëve dhe jahudive. Filloi të bëhej praktikë sulmi ndaj Skënderbeut dhe Nënë Terezës. Filloi të thuhej hapur se Perandoria Otomane nuk na ka pushtuar, por na ka çliruar.
Në këto rrethana të reja, befasisht mësova se Kurani qenka vetëm një segment i fesë Islame, sepse po kaq të rëndësishme janë edhe qindra mijëra hadithe të tjera. Çfarë janë hadithet? Prej ku dolën tash këto? Si është e mundur që janë mijëra? A janë të gjitha të obligueshme?
Përveç këtyre mijëra haditheve, mësova që ekzistonin edhe shkolla të ndryshme të islamit, brenda degës sunni.
Sigurisht që nëse ishte islami siç po e interpretonin islamistët e sapoardhur, qëllimshëm nuk po e them myslimanët, atëherë fillova të kisha një fobi.
E gjithë kjo për mua tash ishte një greqishte e vjetër, e pakuptimtë, e komplikuar dhe e palogjikshme. Po rrënohej çdo gjë që e kisha ditur. Ndonëse nuk kishte shumë për t’u rrënuar, sepse paskam ditur shumë pak.
Por prit pak.
Ndoshta nuk është as kështu siç po thuhet. E panjohura gjithmonë të frikëson. Për të hequr frikën duhet ta njohim nga afër. E atë kurrë nuk do të mund ta njohim vetëm duke lexuar në internet, ose duke dëgjuar ligjërata të pafundme të idiotëve të shkretë.
Të provosh ta mësosh religjionin në internet, është pak a shumë sikur të provosh të shërohesh duke lexuar marrëzira mjekësore në blogje të ndryshme.
Për këtë, për të mësuar pak më shumë për të vërtetën, nuk kishte rrugë të shkurtër. Polemikat paragjykuese, tendencioze, fjalamujtaz, nuk janë zgjidhja.
Si ka lindur Islami? Si është përhapur? Si ka evoluar? Përse ka evoluar? Përse janë disa shkolla të tij? Kush janë këta që erdhën pas luftës?
I kam kaluar dy vjet duke provuar të gjej përgjigje në këto pyetje, në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar prej debateve sipërfaqësore.
Vijon