Beteja për aksionet e ‘Top Channel’; anëtari i Gjykatës së Lartë jep dorëheqjen
Gjyqtari Ardian Dvorani është bërë shenjestra e fundit mediatike e betejës për pronësinë e 60 % të aksioneve të televizionit Top Channel, midis familjes Hoxha dhe ish ortakëve Albert Sino dhe Aurel Baçi që po shqyrtohet në Gjykatën e Lartë.
Nga Besar Likmeta
Në një kërkesë drejtuar kreut të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, Dvorani dha dorëheqjen nga çështja civile midis trashëgimtarëve të familjes Hoxha kundër Albert Sinos dhe Aurel Baçit, mbi vlefshmërinë e një kontrate për shitjen e 60 % të aksioneve të kompanisë “Top Channel sh.a.”.
Vendimi i Dvoranit erdhi pas një kërkesë të palës së paditur Albert Sino dhe Aurel Baçi, si dhe publikimit në media të një numëri fotografish që tregojnë një takim të gjyqtarit Dvorani me drejtorin e Top Channel Ben Blushi.
“Shkaqet që motivojnë ekzistencën e njëanshmërisë së gjyqtarit mund të jenë të natyrës objektive ose subjektive. Pra, paanshmëria e gjyqtarit jo vetëm duhet të jetë por edhe duhet të duket se është e garantuar,” shkruan Dvorani në kërkesën drejtuar Zaganjorit, që më vonë është bërë publike.
“Në rastin e çështjes konkrete, nisur nga rrethanat e krijuara, ndjeshmëria e çështjes dhe e palëve, fakti i vërtetë që jam takuar me zotin Ben Blushi – tashmë Drejtues i Top-Channel (me të cilin njihemi dhe shikohemi prej më shumë se 35 vjetësh dhe ndonëse atë ditë nuk kam biseduar për çështje gjyqësore), më sjell në bindjen dhe qëndrimin e palëkundur se është cenuar paanshmëria ime, edhe pse në dukje, në lidhje me mundësinë që në të ardhmen të jem pjesë e trupës gjykuese për shqyrtimin e çështjes,” shtoi ai.
Në vitin 2007, themeluesi i Top Channal Dritan Hoxha, lidhi një kontratë për shitjen e 60 % të aksioneve të kompanisë mediatike Albert Sinos dhe Aurel Baçit me vlerën 315.2 milonë lekë. Megjithatë, pas vdekjes së parakohshme të themeluesit të Top Channel, kjo kontratë është kontestar nga e veja Vjollca Hoxha dhe trashëgimtarët e tij me pretendimin se është e pavlefshme.
Beteja ligjore midis trashëgimtarëve të familjes Hoxha, Albert Sinos dhe Aurel Baçit mbi kontratën e shitjes së 60% aksioneve të kompanisë Top Channel Sha, ka filluar në shkurt 2016. Në maj 2016, Gjykata e Shkallës së Parë e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur në favor të Sinos dhe Baçit, ndërkohë ky vendim është përmbysur në qershor 2017 nga Gjykata e Apelit në Tiranë.
Gjatë javëve të fundit një numër gjyqtarësh së Gjykatës së Lartë që kanë lidhje me çështjen e pronësisë së Top Channel janë sulmuar në media, sulmet të cilat perceptohen se vijnë nga palët ndërgjygjëse. Përveç Dvoranit në media janë sulmuar dhe gjyqtarët Shkëlzen Selimi dhe Artan Zeneli.
Dvorani është një gjykatës i Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, po për shkak të mungesave në trupën e gjykatës ka detyrimin të jetë i gatshëm të marrë pjesë në plotësimin e trupës gjykuese të kolegjeve të tjera të Gjykatës së Lartë. Për javën 21-25 maj 2018, Dvorani ka qenë gjyqtari i parë zëvendësues për plotësimin e trupave gjykuese të Kolegjit Penal dhe të Kolegjit Civil, rol që e ka luajtuar me datë 25 maj kur ka marrë pjesë në dhomën e këshillimit për plotësimi e trupës gjykuese të Kolegjit Civil, meqenëse njëri nga gjyqtarët ishte në mungesë.
Megjithatë, sipas Dvoranit ndryshe nga se pretendohet në kërkesën për përjashtim, çështja e pronësisë së televizionit Top Channel nuk është shqyrtuar gjatë prezencës së tij.
“Duke mos qenë pjesë e trupës gjykuese në shqyrtimin e kësaj çështjeje, nuk kam ende arsye procedurale për të hequr dorë nga gjykimi i saj, sikurse parashtrojnë Kërkuesit në kërkesë për përjashtimin tim,” shprehet Dvorani.
“Megjithatë, këtë Kërkesë për heqje dorë do ta paraqes, pashmangshmërisht dhe menjëherë, kurdo që të jetë rasti, nëse rrjedh nga shorti, që të ngarkohem me detyrimin për të marrë pjesë në këtë gjykim”,- përfundon ai./BIRN/