Binomi Trump-Putin, një histori e re botërore

Nga Marjana Doda

Takimi mes dy liderëve botërorë, Trump e Putin në Samitin G20 në Hamburg të Gjermanisë, ishte takimi që pati vëmendjen më të madhe të gjeopolitikës së fillim shekullit XXI.Vetem një shtrëngim duarsh midis Donald Trump dhe Vladimir Putinit në G20, bëri që menjëherë të nisin bisedimet mbi Sirinë dhe Ukrainën për të vendosur paqen në këto vende.

Pas takimit Trump do deklaronte: “Me Presidentin Putin kemi diskutuar tema të ndryshme. Presim të ndodhin gjëra pozitive për SHBA-në dhe Rusinë”. Ndërsa Sekretari i Shtetit Rex Tillerson do shprehej se:”Takimi Trump-Putin zbuloi se një kimi e qartë dhe pozitive ekziston midis dy udhëheqësve”.

Takimi ndodhi pikërisht në momentin kur në pika të ndryshme të globit situata është e nxehtë. Ndodh në momentin kur vetë situata e brendëshme në SHBA po karikohet çdo ditë e më shumë me energji negative kundër vetë Presidentit për ndërhyrje ruse gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjes së tij. Ndodh atëherë ku çështja e Ukrainës ka krijuar një tension në rritje, gati në një precedent që në rast moszgjidheje të mirkuptimtë, situata mes Ukrainës e Krimesë mund të sjellë “Murin e ri të Berlinit”. Ndodh në momentin ku programi atomik e bërthamor i Koresë Veriut çdo ditë e më shumë konsiderohet rrezik për Gadishullin Korean, ku çështja e Sirisë dhe lufta kundër ISIS mbetet sfidë mes superfuqive, ku njëra palë akuzon tjetrën, ku njëra palë vë veton dhe pala tjetër kërkon të jetë pjesë e zgjidhjes, ku nga njëra palë NATO konsiderohet “ombrellë” e paqes, ndërsa për palën tjetër si kërcënim për rritje tensionesh në lindje të Evropës e në Ballkanin Perëndimor, ku secili kërkon të mbrojë aleatët dhe tjetri të largojë rrezikun nga aleatët e tij, ku Marrëveshja për Klimën ndodhet në krizë, etj,

Gjithë ky elektricitet duket sikur shkarkohet në marrëdhëniet mes SHBA e Rusisë që janë në një armiqësi rreth 70 vjecare me njëra-tjetrën, por që në momente të rëndësishme liderë të tyre kanë gjetur gjuhën e mirkuptimit për vendosjen e paqes. Do të ishte Lufta e Dytë Botërore që do ti bashkonte në kauzën për fitore të përbashkët dhe Konferenca e Jaltës ( në Krime), më 1945, ku nga takimi Rosvelt-Stalin- Churchill do vendosej paqja botërore, ndërsa tashmë duket sikur po shfaqen sërish retë e luftës, dhe pikërisht aty ku dikur u vendos paqja, në Krime. Ndaj takimi i dy liderëve duhet parë nën përgjegjësitë që kanë për qindra milionë qenie njerëzore, jo vetëm në vendin e tyre, por në mbarë botën.

Për rëndësinë e këtij takimi ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, më 30 qershor do të deklaronte se takimi i Presidentit të Rusisë me homologun amerikan në Samitin e G20 -ës do qartësojë marrëdhëniet e ardhëshme mes dy shteteve, dhe se;” Rëndësi të veçantë në botën e sotme u jepet marrëdhënieve Rusi-SHBA prej të cilave varet zgjidhja e shumë krizave rajonale. Në kohën kur shumë shtete janë të shqetësuara rreth marrëdhënieve “anormale” ndërmjet Rusisë dhe SHBA-së”.

Rëndësia historike e takimit mbart peshën e ngjarjeve të mëdha për të mos u përsëritur më gabime e faje të së shkuarës.Mjafton të kujtojmë periudhën e Luftës së Ftohtë mes Lindjes dhe Perëndimit( nënkuptuar Rusi-SHBA), e cila fillojë jo më shumë si rezultat i luftërave rajonale, si në Kore, Vietnam, Afganistan, etj por si rezultat i krijimit të dy blloqeve ushtarake, NATO(1949) dhe Pakti Varshavës(1955), duke filluar një garë të shfrenuar armatimesh, konfliktesh e spiunazhi mes tyre.

Pas vdekjes së Stalinit më 1953, takimi në korrik 1955 në Gjenevë të Zvicrës mes Presidentit Ajzenhauer dhe kryetarit të Bashkimit Sovjetik Nikolai Bulganin, për hir të një kursi të ri ndyshimi, dhe pse nuk arritën marrëveshje të mëdha, u konsiderua me rëndësi historike, qoftë thjesht për faktin se dy liderët e dy vendeve më të fuqishme në botë dhe kundërshtarë në Luftën e Ftohtë i dhanë dorën njëri-tjetrit.

Ndoshta nuk mund të hiqen paralele, por të mendosh për ngjarje të zhvendosura në kohë e hapsirë, duket sikur dhe aktualisht jemi në të njëjtat sfida si në vitet ’60-të, ndaj interesi dhe vëmendja e takimit në Samitin G20 të dy liderëve botërorë vlerësohet me rëndësi historike. Ajo çfare e vështirëson realitetin, ndoshta janë kultura dhe rivaliteti, skepticizmi që ekziston në rolin dhe fuqinë e dy Presidentëve. Nga njëra anë natyra e ftohtë e Putin, i veshur me histori konspirative dhe të eksperiencës së mbajtjes gjatë të pushtetit, dhe nga ana tjetër natyra kontraverse e Trump dhe pa eksperiencë në fushën e politikës, i cili për fat të keq ka dështuar që në fillim ne disa vendimarrje të tij e për rrjedhojë ndihet i rrethuar nën mbrojtjen e institucioneve amerikane që nuk e lënë për të gabuar, në më të keqen e mundshme.

Takimi mes dy liderëve më të fuqishëm të botës mbart dhe peshën e krenarisë dhe lavdisë së shkuar të vendeve të tyre. SHBA, përveçse i proklamuar si vendi i demokracisë më të zhvilluar, mban vendin e merituar dhe të pazëvëndësueshëm të rolit të saj prej afro një shekulli në mbrojtjen e paqes botërore, që në Konferencën e Paqes në Paris më 1919, pas Luftës Parë Botërore, në kontributin dhe vendosjen e paqes pas Luftës Dytë Botërore, në zhvillimin e demokracisë në botë dhe luftën për shembjen e Komunizmit në shumë vende lindore, etj. Ashtu sikurse Rusia që ka mbajtur barrën më të rëndë dhe koston më të lartë në jetë njerëzore në Luftën e Dytë Botërore dhe vendosjen e paqes, në mbajtjen e ekuilibrave të ndryshëm botërorë në sajë të qenurit të saj superfuqi. Për rrjedhojë takimi i dy liderëve mbart mbi supe të kaluarën historike dhe lavdinë e vendeve të tyre për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët më të sigurt, larg amerikanofobisë dhe rusofobisë. Historia ka treguar se në të mirë të popujve njerëz të mëdhenj marrin vendime të mëdha. A do munden vallë Trump dhe Putin të mbeten në histori si lider që e ndryshuan atë, apo do kthejnë kohën pas si në periudhën e Luftës së Ftohtë? Ndoshta takimi do të jetë fillimi i një ndryshimi të madh. Ish Sekretari i Shtetit të SHBA-ve Henry Kissinger, i cili në vitin 1960 ka patur rolin e ndërmjetësuesit në në uljen e tensioneve mes Moskës dhe Washingtonit, lidhur me takimin Trump- Putin, do shprehej:” Mendoj që në këtë moment vendet tona kanë përgjegjësi dhe mundësi për një përparim të dukshëm duke rregulluar marrëdhëniet, jo vetëm mes dy vendeve, por në gjithë botën”. Optimizmi që të dy liderët shprehen gjatë takimit, lë të kuptosh se do të ketë zhvillime pozitive. Vetë Presidenti Putin në këtë takim do t’i drejtohej Presidentit Trump me fjalët : “Ne duam të kemi zhvillime pozitive në takimet dypalëshe, dhe të jemi në gjendje të zgjidhim çështjet më të mprehtat ndërkombëtare si dhe çështjet që do kenë nevojë për takime personale. Jam i kënaqur që ju takoj personalisht, Zoti President, dhe shpresoj, siç e keni thënë, që takimi ynë do japë rezultate pozitive”. Më shumë se sa komenteve, skeptikëve, apo më shumë se sa paranojave j’u duhet besuar deklaratave fjalëpakta për vepra të mëdha të tyre, që sigurisht, duhet ti projektojnë e zhvillojnë për një të ardhme botërore më të sigurt në të mirë të popujve në cdo skaj të botës. Vec kështu ata do do të mbeten në histori si dy liderë që më në fund ndryshuan botën.

SHKARKO APP