Bixhozi, Presidenti, Propaganda dhe unë kundër të treve!
Nga Erjon Braçe
President, mendojmë ndryshe ndaj kemi votuar ndryshe!
Ju dhe Unë natyrisht!
Lexova dje herët në mëngjes, qyshkur Dekreti juaj u bë prezent në Kuvend, arsyet përse Ju keni kthyer pas në Kuvend, Ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”!
Më lejoni të them se,
Jam jo vetëm kundër jush-argumentave tuaj, por jam i tmerruar nga propaganda, akoma më shumë nga e pavërteta!
Por mbi të gjitha, nga një fakt që po e zhbën akoma edhe më shumë përmbajtjen e akteve, për pasojë seriozitetin e disa prej institucioneve të këtij shteti; Mungesa e të lexuarit!
Jo të shkrimeve të një “gagaçi mendor”, është dikush aty që i lexon këto.
Por të dokumenteve zyrtare që duhet të jenë baza e argumenteve në një akt të fortë si Dekreti i Presidentit që kthen pas një ligj.
Nëse do ishin lexuar dokumentet, atëherë do mësohej se e vërteta është krejt tjetër nga sa ju propagandoni në dekretin e radhës.
President,
Ju jeni kundër nenit 6 të ligjit, por argumentet tuaj janë thjesht propagandë.
Ka dy arsye pse unë jam kundër jush, tyre;
E para, neni 6 përcakton tatimin 15% mbi të ardhurat bruto për lojërat e fatit, saktëson se të ardhura bruto janë ato që mbeten kur nga shuma totale e luajtur nga lojtarët në lojërat e fatit, zbritet shuma e fituar prej tyre.
Neni 6, referon nenin 52/2 të ligjit “Për lojërat e fatit”.
Ky nen, në këtë ligj, përcakton tatimin 15% mbi të ardhurat bruto.
Po ta kishit lexuar këtë ligj nga fillimi, neni 1 e në vijim, në nenin 4- Përkufizimet, pika 40, shpjegon qartë se: të ardhurat bruto nga lojërat e fatit, janë ato që mbeten pasi nga shuma totale e luajtur zbritet shuma e fituar nga lojtarët.
Pra, në nenin 6 të ligjit që ju keni kthyer, ne kemi njehsuar dispozitat e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, me dispozitat e ligjit “Për lojërat e fatit”. Asgjë më shumë! Zero!
Ligji “Për lojërat e fatit”, me këto dispozita, është votuar në vitin 2015. Ju personalisht, LSI që ju drejtonit, keni votuar PRO! Unë kam qenë kundër jush, kam abstenuar ligjin dhe meqë është kërkesë e kohës tani, Edi Rama nuk ka marrë pjesë në votim – për transparencë kjo.
Procesverbali i votimit është ky. Natyrisht, Unë nuk isha kundër për shkak të dekretit që ju do të nxirrnit pas tre vitesh. Jo! Isha kundër, sepse ligji i ardhur nga Qeveria, i ashpër kundër lojërave të fatit, i miratuar i tillë në Komisionin e Ekonomisë, u tjetërsua në seancë plenare nga Ju dhe jo vetëm, posaçërisht në pjesën e basteve sportive, taksimit të tyre, rregullave që i kufizonin në hapësirë, territor, lagje, aty ku janë përhapur tani pa fund!
Unë i refuzova këto ndryshime;
Kjo është arsyeja që në raportin e Komisionit të Ekonomisë këto ndryshime nuk janë;
Kjo është arsyeja që seanca plenare është thirrur 21 ditë pas vendimit të Komisionit të Ekonomisë;
Ne, anëtarët socialistë të Komisionit refuzuam të mblidheshim përsëri për të ndryshuar projektligjin, sipas ndryshimeve tuaja.
E dyta, unë jam kundër që Presidenti, apo cilido institucion tjetër – përtej Qeverisë që propozon dhe Kuvendit që miraton, të bëjë politikën fiskale!
Siç ju thoni në argumentet tuaja, Ne dimë ta bëjmë shumë mirë këtë gjë, për ato çështje që na kanë votuar shqiptarët pasivisht – atyre i jemi përgjigjur edhe me ligjin që ju po ktheni pas.
Ndërkohë, për cilindo të interesuar, Ministria për Financat dhe Ekonominë po shqyrton mundësinë e taksimit të ri për bastet, në rritje, ashtu siç ishte në 2015-tën e u ndryshua në seancë plenare.
Kjo është e vërteta dhe dokumentet e mbrojnë atë! Ato e zhbëjnë propagandën, ndaj dekreti është thellësisht i papranueshëm dhe i rrëzueshëm menjëherë!
Për mua, nëse do kishit pyetur, ishte dhe është i panevojshëm!
VO: Ndjesë për vonesën, por dje ishte dita të nderonim një mik, jo të bënim “lajm” me propagandën!