“Brexit”, Britania “kopjon” sistemin doganor të BE-së
Britania e Madhe pritet të “kopjojë” pjesën më të madhe të sistemit doganor të Bashkimit Europian, si gjatë ashtu edhe pas “Brexit”-it. Të paktën kështu thuhet në planet e reja qeveritare, duke e penguar Sekretarin e Shtetit për Tregtinë Ndërkombëtare, Liam Fox, të implementojë marrëveshjet e reja tregtare.
Panorama e parë e detajuar në strategjinë negociuese zbulon gjithashtu kërkesa të reja ndaj bizneseve për raportimin, si një mënyrë për të shkurtuar sa më shumë vonesat në kufijtë ndërkombëtarë, si dhe për të shmangur nevojën për të ndërtuar infrastrukturë shtesë fizike.
David Davis, Sekretari britanik për “Brexit”-in, tha se kjo qasje do të shmangë situatën “buzë gremine” për bizneset dhe individët, por Guy Verhofstadt, koordinatori i Parlamentit Europian për “Brexit”-in reagoi menjëherë ndaj propozimeve të reja, duke i përshkruar ato si “fantazi”.
Një zëdhënës i Komisionit Europian tha se “do të studiojmë tashmë planin në letër të Britanisë për doganat, bazuar mbi udhëzimet dhe direktivat për negociimet nga Këshilli i BE-së”.
“Siç e ka thënë Michel Barnier në disa raste, tregtia e butë dhe pa pengesa nuk është e mundur jashtë tregut dhe bashkimit doganor të përbashkët”, tha ai.
Edhe kryeministrja skoceze, Nicola Sturgeon reagoi menjëherë, duke e quajtur pozicionin e fundit të qeverisë si “të paarsyeshëm”.
Kompromiset janë të përcaktuara në dokumentin e shumëpritur të politikave të ardhshme mbi marrëveshjet doganore, që premtojnë “sistemin më të lirë dhe më të butë” të mundshëm, nëpërmjet një serie komplekse modifikimesh të sistemit ekzistues.
“Strategjia që po shpallim sot do të jetë në dobi të BE-së dhe Britanisë, duke shmangur ‘humnerat’ për bizneset dhe individët nga të dyja anët”, tha Davis. TCH