CDU në ethe: Kush do ta pasojë Angela Merkelin
Nga Sabine Kinkartz, Christoph Strack
Edhe tre javë kanë mbetur nga kongresi i Partisë Kristiandemokrate në Hamburg, ku Angela Merkel, pas 18 vjetësh dorëzon postin e kryetares së partisë. Për herë të parë kandidatë janë disa politikanë. Shanset më të mira i ka Sekretarja e Përgjithshme e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer dhe ish-kreu i grupit parlamentar të CDU/CSU-së, Friedrich Merz. Kramp-Karrenbauer është e favorizuar nga Merkel dhe konsiderohet si kandidate e qendrës. Merz dhe Spahn shihen si pjesë e krahut konservator të partisë dhe kundërshtarë politikë të Merkelit.
Në prezantimin e parë të enjten (15.11) në Lübeck para 900 anëtarëve të partisë, konferenca e parë rajonale në kuadër të garës, Annegret Kramp-Karrenbauer bën të qartë lidhjen me bazën, ndërsa kur flet Friedrich Merz për rikthimin e tij “është mrekulli të jesh prapë këtu”, shpërthen entuziazmi. Jens Spahn rrëfeu personalisht. Nëna më ka pyetur në fundjaë tha ai, pse e merr mbi kurriz të gjithë këtë garë. Jens Spahn përmend transformimet shoqërore në vend dhe përmend shkurt edhe homoseksualitetin e tij. Të tre kandidatët kanë rënë dakord që të bëjnë garë por të flasin vetëm mirë për njëri-tjetrin.
Debat për orientimin e ri të partisë
Sipas një sondazhi të institutit “Infratest dimap” se kush shihet si kandidati më me shanse për postin e partisë, gati çdo i dyti kandidat, dhe 43% e kanë dhënë votën për kandidaten femër, Kramp-Karrenbauer. Dallime të ndjeshme vihen re mes meshkujve dhe femrave. Ndërkohë që tek meshkujt si Kramp-Karrenbauer ashtu edhe Merz janë gati njësoj të preferuar, sekretarja e përgjithshme e partisë kryeson sondazhin tek femrat me 50% ndërkohë që Merz kap 26%.
Pavarësisht se kush do të marrë kryesinë e partisë, ajo apo ai do të përcaktojë edhe kursin e ardhshëm të partisë. Një shumicë e qytetarëve gjermane 87% preferojnë që të diskutohet edhe për orientimin e ri të partisë. Tek përkrahësit e CDU-së madje 92% kërkojnë riorientimin e partisë.
Gati gjysmës së të anketuarve i mungon një përmbajtje e qartë e CDU-së. Ndërkohë që mes përkrahësve të saj është rritur dëshira për një orientim konservator të partisë.
E ardhmja e kancelares
Por çfarë do të ndodhë me Angela Merkel pas dorëzimit të postit të kryetares së partisë. A mund dhe a duhet të qëndrojë ajo në postin e kancelares? Shumica e të pyeturve janë pro kësaj. Vetëm përkrahësit e Partisë Liberale, FDP dhe Alternativa për Gjermaninë, AfD janë me shumicë për largimin e Merkelit si kancelare para përfundimit të legjislaturës aktuale.
Megjithatë CDU është e përfshirë nga entuziazmi i ndryshimit . “Ky proces i bën mirë partisë, këtu ka ndjenjë ndryshimi dhe dëshirë për debat”, tha Jens Spahn pas konferencës së parë rajonale në Lübeck. Me qëndrim të hapur, serioz, dhe herë pas here edhe me grindje, një atmosferë që nuk ka qenë prej kohësh në partinë e Merkelit. “Një fillim shumë i mirë”, thotë Daniel Günther, kryeministër i landit të Shlesvig-Holshtajnit në fund të takimit. DW