Çfarë fshihet pas hezitimit të PD-së për dekriminalizimin?
Nga Mero Baze
Projektligji i paraqitur sot në Kuvend, kërkuar fillimisht prej Partisë Demokratike dhe zgjeruar me amendamente prej Partisë Socialiste, nuk ka gjasa të miratohet. Kundërshtimi i Partisë Demokratike ndaj tij ka të bëj me probleme konkrete që ligji mbart lidhur me figurat kryesore të Partisë Demokratike dhe si i tillë ai nuk ka për të marrë konsesusin e PD-së. Për të shmangur thelbin e debatit, PD ka bërë një kërkesë shtesë për shenjat e gishtrinjëve, çka dhe pse është qesharake, nuk ka asnjë ndikim mbi cilësinë e ligjit, pasi shenjat e gishtrinjëve janë të depozituara për çdo njeri që ka marrë një pasaportë apo kartë Identiteti. Madje ky sistem është bërë në kohë të PD-së dhe nuk ka arsye që vet PD-ja të dyshojë se ka falsifikuar sistemin.
Por përtej kësaj alibie qesharake, projektligji i paraqitur sot në Kuvend ka disa probleme reale me PD-në. Po shikojmë disa prej tyre.
Neni 1 i ligjit, që prek personat e dënuar me vendim të formës së prerë nxjerrë nga politika Arben Ristanin, Sekretarin e Përgjithëm të PD-së, i cili ka marrë një vendim të formës së prerë. Po ky ligj mund të prek dhe Fatmir Mediun për një dënim të formës së prerë që ka marrë në Itali në Gjykatën e Apelit dhe që më vonë, për shkak të ndërhyrjeve politike është amnistuar. Por ky i fundit mbetet i disktueshëm dhe preket nga një nen tjetër më poshtë.
Në pikën 2 të nenit, ku përfshihen persona të dënuar jashtë shtetit, preken së paku tre kandidatë për kryetarë bashkie të PD-së dhe ndoshta një i PS-së.
Në pikat 3 dhe 4 të këtij neni, parashihet që personat që janë në proces penal dhe që u është shqiptuar dënimi të pezullohen dhe në këtë rast Xhelal Mziu është viktima e parë. Po ashtu ky nen kap dhe kandidaten Grida Duma, e cila përveçse ka shlyer një penalitet duke paguar me rrogën e saj detyrimet që ka prodhuar një mashtrim ligjor, është në proces hetimi për çështje të ngjashme.
Po ashtu projektligji parashikon çështjet e papërfunduara në gjykatë, ku mund të interpretohet dhe gjyqi i pazhvilluar ndaj Lulzim Bashës dhe Fatmir Mediut, të mbyllur me procedurë.
Në projektligjin e propozuar në nenin 184/3 i jepet kompetencë KQZ-së të pezullojë personat që nuk plotësojnë kushtet për zgjedhje sipas këtij ligji, shpalljen e pavlfeshme të rezultatit dhe përsëritje zgjedhjesh atje ku kandidati rezulton me probleme.
Nuk dihet nëse socialistët i kanë shtrirë kaq gjerë amendamentet e tyre, duke pasur parasysh persona konkret apo për ta bërë ligjin sa më të plotë, por konkretisht ligji është i paqortueshëm nëse bëhet fjalë për dekriminalizim. Ai vepron mbi kandidatët aktualë dhe e ka tepër të gjerë rrezen e veprimit.
Kundërshtimi i PD-së, buron nga fakti se ligji do të ketë ndikimim politik brenda saj, sidomos në disa kandidat dhe figura politike në Partinë Demokratike.
Taktika e PD-së, që të bëj sikur nuk është dakord me amendamentet për të mos dhënë konsesusin është paksa banale. PD-ja duhet të dalë publikisht dhe të kritikojë konkretisht ato nene dhe pika të tyre që shpëtojnë ndonjë të inkriminuar nga Partia Socialiste dhe jo të ankohet pse është kaq i gjerë ligji për të prekur sa më shumë persona të inkriminuar.
Në fund të fundit kjo është një nismë e PD-së dhe thellimi i saj është në interes të PD-së, nëse e ka pasur seriozisht. Nëse e ka pasur si justifikim dhe tani i dhimbset dhe Mziu, atëherë të vendosë kryetar të PD-së Mziun, se ai nuk bën shakara të tilla dhe nuk na ha kohën kot me fjalë bosh.
I vetmi kundërshtim logjik i këtij projektligji është të thuhet kë shpëton, jo kë prek. PD duhet ta bëjë këtë para se ta kundërshtojë. Ndryshe është duke bërë një autogol të madh.
Gazeta "Tema"