Çfarë po ndodh me familjen shqiptare?

Në muajin gusht u vranë 5 gra nga burrat. Në 8 muaj, vetëm në Gjykatën e Tiranë janë kërkuar 670 urdhra mbrojtje. Pas ekzekutimit të gjyqtares rriten denoncimet

Nga Qamil Xhani

Vrasja e gjyqtares Fildes Hafizi ktheu vëmendjen drejt dhunës në familje. Kjo temë zakonisht përmendet nga shoqata kur aplikojnë për fonde e BE, nga partitë politike kur duan të tregojnë se janë perëndimorë dhe nga media, vetëm kur ka krim dhe ekzekutime. Të dhënat e fundit të institucioneve dhe sociologëve pas vrasjes në mes të Tiranës së gjyqtares janë alarmante.

Në dy ditët e fundit 25 gra kanë kërkuar mbrojtjen e policisë për shkak të dhunës nga burrat, ish-burrat apo dhe nga vëllezërit, apo fëmijët. Në Sarandë djali rrahu nënën duke thyer dhe urdhrin e mbrojtjes që i kishte dhënë gjykata. Ndërkohë në media u publikua një denoncim i një gruaje që deklaronte se kërcënohej me vrasje nga ish-bashkëshorti. Vetëm 48 orët e fundit policia ka arrestuar 8 persona për dhunë në familje. Për raste të tjera ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë si dhe janë nën vëzhgimin e policisë.

Shifrat e 8 muajve që lamë pas japin një panoramë edhe më te frikshme. Vetëm në Tiranë, rezulton se gjatë kësaj kohe gjykata ka lëshuar 673 urdhra mbrojtje ndaj grave dhe nënave. Mesatarisht gjykata e Tiranës jep tre urdhra mbrojtje në ditë për gratë që dhunohen. Këto shifra të publikuara nga avokatja e çështjeve penale, Vjollca Pustina  në “Ora Neës” tregojnë vetëm një fragment të asaj që ndodh në kryeqytet. Ndërkohë që në rrethet e Shqipërisë, jashtë Tiurane, situata është më e alarmante. Shifrat mendohen se janë shumë herë më të larta për shkak edhe të një fenomeni të njohur të shoqërisë shqiptare. Gratë, nga frika, në zonat rurale por edhe në qytete nuk e denoncojnë dhunën në familje. Vetëm në rastet ekstreme detyrohen ti drejtohen gjykatës dhe policisë për mbrojtje. Ndërkohë që pjesa më e madhe e rasteve të dhunës në familje as që shkojnë në dyert e institucioneve të drejtësisë dhe rendit. Arsyet janë të shumta.

Së pari, ende kultura e denoncimit të dhunës nga burri apo fëmijët konsiderohet si një çështje familjare që nuk duhet të dalë në publik. Ky mentalitet që vazhdon edhe në vitin 2017 bënë që shumë nga denoncimet të mos bëhen të njohura duke fshehur krimin, por edhe duke shtuar rastet e dhunës.

Arsyeja e dytë lidhet me shtetin që kemi ndërtuar këto vite. Vrasja e gjyqtares në mes të Tiranës tregoi se nuk mjafton as të hapësh një proces gjyqësor dhe as të njoftosh institucionet. Fildes Hafizi i ndoqi të gjitha hapat ligjore për të shpëtuar nga dhuna e ish-burrit të saj dhe askush nuk e mbrojti dot edhe pse ishte një prej njerëzve të sistemit të drejtësisë. Por edhe në rastet kur gjykatat kanë dhënë vendime të drejta kundër dhunuesve, sërish është e vështirë ndalja e fenomenit të dhunës. Gratë e divorcuara edhe pas denoncimit dhe dhunës dhe procesit gjyqësor, për shkak të kushteve ekonomike detyrohen të jetojnë në të njëjtën hapësirë sërish me dhunuesin, këtë herë më vendim gjykate. Kjo i kthen sërish në viktima potenciale. Gjatë 30 ditëve në gjithë vendin u vranë 5 gra nga burrat ose ish-bashkëshortët e tyre. Në të gjitha rastet policia, apo gjykatat kishin dhënë vendime që lehtësonin pozitën e dhunësit dhe dëmtonin viktimën.

Si gjithmonë media shkruan me tituj bombastikë ditën e ngjarjes, politika bën homazhe në Facebook dhe institucionet justifikohen duke lënë përgjegjësitë të njëra-tjetra. Ndërkohë shifrat vazhdojnë rriten dhe tregojnë se fenomeni po shkatërron gjithë familjen shqiptare duke sjellë tragjedi, viktima, fëmijë jetimë dhe probleme sociale pa fund.

Por kjo situatë nuk mund të vazhdojë më vetëm duke numëruar viktimat. As duke ja hedhur fajin shoqërisë maskiliste dhe mospërshtatjes së familjes shqiptare me fenomene si divorci. Në vitin 2017, teksa vendi aspiron të jetë pjesë e familjes europiane duhet të rishikojë dhe njëherë strategjitë dhe ligjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e gruas dhe krimin në familje.

SHKARKO APP