Charlie Chaplin, gjeniu i filmit pa zë, komiku që na bëri të qeshim dhe të mendojmë
Albert Vataj
Ishte dhe mbeti një nga komedianët legjendar. Emri i Charlie Chaplin është përjetësisht sinonim i komedisë dhe humorit. Ai ishte një nga yjet më të mëdhenj në epokën e filmit pa zë dhe e përfshiu audiencën në një shpërthim të qeshurash dhe thellim mendimi, me personazhin e tij. Në një karrierë që përfshin mbi 75 vjet, Chaplin dha shumë shfaqje të paharrueshme dhe të shkëlqyera. Ky gjeni komik i gjithanshëm aktroi, drejtoi, prodhoi, shkroi dhe kompozoi muzikë për pothuajse të gjithë filmat e tij dhe u njoh si ‘Endacaku i Vogël’, personazhi që luante në filmat e tij. Një ikonë në kinemanë botërore, Chaplin është pranuar gjerësisht si një nga baballarët themelues të zhanrit të komedisë dhe ka ndikuar në një sërë kineastësh dhe humoristësh. Edhe sot, shumë nga filmat e tij janë jashtëzakonisht të njohur dhe cilësohen si klasikë. Disa nga filmat e tij më të mëdhenj përfshijnë ‘Modern Times’, ‘The Great Dictator’, ‘The Gold Rush’, ‘The Immigrant’ dhe ‘The Kid’.
Sot 135 vjet më parë u lind Charlie Chaplin, ishte dhe do të mbetet një prej personazheve më të rëndësishme të filmit pa zë dhe mesazhit që kjo sprovë e arti kinematografik u rrek të përcillte në një kohë zëshmërie të potershme të botës. Komiku më i spikatur dhe pantomima më therëse që kishte shpuar ndërgjegjen e një gjenerate, ishte krejtçfarë zgjodhi ai si komunikim, më shumë se si një modelim i mënyrës për të bërë lavdi. Loja, karakteret dhe tipat që jetësoi ai, ishin dhe mbeten emblematike në historinë e kremtimit të vlerës dhe shëmbëllimit të një botëkuptimi që guxonte të ngrihej kushtrueshëm kundër një sistem të kalbur. Ishte ai që pati fatin ta mbante artin ende në një mënyrë për të emancipuar masat, me të drejtën për të patur të drejtë dhe për të kremtuar në gjithçka nevojën për ndryshim progresiv, për përfshirje në realen që inspiron për impuls dhe reagim.
Regjisori dhe aktori anglez, Charlie Chaplin 16 prill 1889 – 25 dhjetor 1977 ishte një talent i jashtëzakonshëm, i cili i kushtoi gjithë jetën për t’i bërë njerëzit, jo vetëm të qeshin por edhe të mendojnë. Dhe ndoshta ishte ai si pakkush tjetër që i’a doli.
Kur bota vuante pasojat e Luftës së Parë Botërore, shumë njerëz gjetën shpresë në filmat e tij, edhe pse pas komikes së tyre fshihej një jetë e trishtuar. Në një sondazh mbarëbotëror të drejtuar nga kritikë të filmit, Chaplin votohet si aktori më i madh i historisë së kinemasë.
“Në çastin që bleni një biletë, ju papritur ndodheni në një botë tjetër” – shprehej Çaplini. Shfaqja tek ai, nga zbavitje e rëndomtë shndërrohet në art.
Ai i dha komedisë një frymë të re në një kohë kur paniku i pasluftës, fashizmi dhe depresioni ishin pjesë e jetës, në Evropë dhe Amerikë. Ndërsa jeta e tij pas ekranit ishte e tronditur, dhe ndoshta ky ka qenë shkaku i frymëzimit të thënies së famshme së “Jeta është një tragjedi kur e sheh me lupë dhe komedi në rrjedhën e saj.”