
(Nderim dhe mirënjohje për bijtë e Kryeziut që gjakun e derdhën për Atdheun në tri epoka: (1).At Shtjefën Kostandin Gjeçovi-Kryeziu (lindur më 12.07.1874 në Janjevë të Kosovës, por me origjinë nga Kryeziu; vrarë më 14.10.1929 në Zym të Hasit të Thatë, në Komunën e Prizrenit, Kosovë), shpallur dëshmor i Atdheut me Vendimin nr. 850, datë 21.06.2021; (2).Dodë Mark Lleshi (lindur më 1887 në Kryezi dhe rënë më 7.11.1944 në Kryezi, Pukë), shpallur dëshmor i Atdheut me Vendimin nr. 59, datë 20.11.1969, të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Pukës. Dodë Mark Lleshi sakrifikoi jetën më 7.11.1944 për shpëtimin e një partizani të plagosur të Brigadës së XXII-të Sulmuese; (3).Nikollë Çun Vorfi (lindur më 1920 në Kryezi dhe rënë më 1944 në Kryezi, Pukë), shpallur dëshmor i Atdheut me Vendimin nr. 35, datë 10.04.1980, të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Pukës; (4)Nikollë Memë Çuku (lindur më 1924 në Kryezi dhe rënë më 1943 në Kryezi, Pukë), shpallur dëshmor i Atdheut me Vendimin nr. 03, datë 30.01.1974, të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Pukës. Nikollë Memë Çuku (1924–1943), i njohur si dëshmori i parë i Atdheut i LANÇ-it në krahinën e Pukës, ra në qershor të vitit 1943, në moshën 19-vjeçare; (5).Rasim Selman Kryeziu (1933 Kryezi–7.7.1949 Milot) rënë në aksident tragjik duke shkuart në aksion kombëtar, shpallur dëshmor i Atdheut me Vendimin nr. 56, datë 17.06.2005, të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”; (6).Allaman Nuh Dervishi (lindur më 20.09.1969 në fshatin Kryezi të Pukës dhe rënë në krye të detyrës më 24.05.2004, në moshën 35-vjeçare), shpallur dëshmor i Atdheut me Vendimin nr. 40, datë 16.11.2004, të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, si dhe (7).Mehmet Brahim Brahimi (Aga) (1834 -1880), 46 vjeçar dhe i biri (8) Brahim Mehmet Brahimi (Aga) (1860 -1880), 20 vjeçar të rënë në Shkodër në periudhën e LSHP dhe që janë në proces të përgatitjes së dokumentacionit për shpallje me titullin “Dëshmor”).
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI, MSC Vlash LEKA & Kujtim BISHAJ
Kryeziu kryelartë për kontributin në historinë kombëtare
Pesë dëshmorë të Atdheut, janë pesë histori sakrifice dhe trashëgimie atdhetare që meriton të ruhet në kujtesën krahinorë të Fushë Arrëzit, të Pukës dhe në kujtesën historike kombëtare. Kryeziu është sot në territorin administrativ të Bashkisë Fushë Arrëz, është një fshat me tradita të hershme historike, kulturore dhe atdhetare. Kryeziu është i vendosur në një luginë të bukur malore, ky vend ka nxjerrë personalitete që kanë lënë gjurmë në historinë shqiptare dhe ka ruajtur ndër breza vlera të rëndësishme të identitetit kombëtar. Kontributi i tij nuk matet vetëm me traditat, me historinë e familjeve apo me zhvillimin e jetës shoqërore, por edhe me sakrificat e bijve të vet për Atdheun, për Shqipërinë, për kombin. Kryeziu ka një arsye të veçantë për të qenë kryelartë, sepse pesë nga bijtë e tij edhe pse përfaqësojnë epoka të ndryshme të zhvillimeve shqiptare, janë shpallur zyrtarisht Dëshmorë të Atdheut si, At Shtjefën Kostandin Gjeçovi-Kryeziu, Dodë Mark Lleshi, Nikollë Çun Vorfi, Nikollë Memë Çuku dhe Allaman Nuh Dervishi. Ata i përkasin disa epokave të ndryshme historike dhe kanë dhënë kontributin e tyre në rrethana të ndryshme, por i bashkon lidhja me këtë trevë dhe vendi që zënë në kujtesën atdhetare të saj.
Nga martirizimi i një prifti, studiuesi dhe veprimtari të çështjes së gjuhës e kulturës kombëtare, te sakrificat gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe rënia në krye të detyrës së një punonjësi të Policisë së Shtetit, historia e këtyre pesë burrave përfaqëson periudha të ndryshme të përpjekjeve shqiptare për identitet, liri dhe siguri publike. Në mjaft burime shkrimore dokumentare flitet për historinë e Kryeziut, për lidhjen e fshatit Kryezi me trashëgiminë e At Shtjefën Gjeçovit, si edhe me dëshmorët e tjerë të Atdheut Nikollë Çuku, Nikollë Vorfi, Dodë Lleshi dhe deri tek dëshmori më i ri i policisë rrugore Allaman Dervishi. Të gjitha këto të dhëna e vendosin historinë e dëshmorëve të Kryeziut brenda një konteksti më të gjerë të traditave historike të zones së Fushë Arrëzit dhe të Pukës.
Pesë dëshmorët e Kryeziut dhe kontributi i tyre për shqiptarimën
At Shtjefën Kostandin Gjeçovi-Kryeziu (1874–1929), një figurë madhore e gjuhës, shokollave shqipe, e kulturës, çështjes kombëtare dhe bashkimit kombëtar
At Shtjefën Kostandin Gjeçovi-Kryeziu lindi më 12 korrik 1874 në Janjevë të Kosovës. Sipas të dhënave të përcjella për prejardhjen e tij, ai vinte nga një trung familjar me origjinë nga Kryeziu i Pukës. U vra më 14 tetor 1929 në Zym të Hasit të Thatë, në territorin e sotëm të Kosovës, pranë Prizrenit. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me Vendimin nr. 850, datë 21 qershor 2021. At Shtjefën Gjeçovi zë një vend të veçantë në historinë e kulturës shqiptare. Ai ishte meshtar françeskan, studiues i traditës popullore, mbledhës i së drejtës zakonore dhe veprimtar i kulturës kombëtare. Puna e tij për mbledhjen dhe dokumentimin e Kanunit të Lekë Dukagjinit, si dhe interesimi për zakonet, folklorin dhe trashëgiminë shqiptare, ndihmuan në ruajtjen e një pjese të rëndësishme të kujtesës shoqërore të vendit. Veprimtaria e Gjeçovit kishte rëndësi përtej kufijve të një krahine. Përmes kërkimeve, shkrimeve dhe punës së tij kulturore, ai kontribuoi në dokumentimin e identitetit shqiptar në një kohë kur ruajtja e gjuhës, traditave dhe vetëdijes kombëtare kishte rëndësi të veçantë. Vrasja e tij në Zym ishte një humbje e rëndë për kulturën shqiptare. Lidhja e prejardhjes së tij me Kryeziun i jep këtij fshati një arsye më shumë për të ruajtur dhe studiuar trashëgiminë e tij.
Figura e Gjeçovit dëshmon se kontributi për Atdheun nuk shfaqet vetëm në fushën e luftës. Ai shprehet edhe përmes dijes, kulturës, ruajtjes së gjuhës dhe dokumentimit të trashëgimisë kombëtare. Është mjaft domethënëse që edhe në institucionin më të lartë përfaqësues të shtetit shqiptar, në Parlament, vrasja e At Shtjefën Gjeçovit-Kryeziut u bë objekt diskutimi në vitin 1929. Një seancë e posaçme iu kushtua pikërisht kësaj ngjarjeje tragjike. Ky fakt dëshmon se rëndësia e tij kombëtare dhe pesha e krimit ndaj tij u kuptuan që në kohën kur ndodhi. Historia e tij nuk ishte thjesht historia e një meshtari të vrarë, por historia e një shqiptari që u bë shënjestër për shkak të përkushtimit ndaj gjuhës, arsimit dhe kulturës kombëtare. Shpallja e tij Dëshmor i Atdheut nuk e krijon madhështinë e At Shtjefën Gjeçovit, sepse atë ia kanë dhënë vepra, sakrifica dhe atdhetaria e tij deri në palcë. Ky titull e njeh zyrtarisht atë që brezat e kanë ditur dhe ruajtur në kujtesë, e kanë ruajtur si amanet për gati një shekull. Është një detyrim i përmbushur ndaj historisë, një vlerësim për një jetë të dhënë në shërbim të kombit, një mesazh për brezat e mbarë shqiptarizmës.
Është fakt se, At Shtjefën Gjeçovi thoshte se Atdhetarizmi nuk shprehet vetëm në fjalë të mëdha, por dëshmohet me punë, dije, guxim, me gatishmërinë për t’i shërbyer popullit në cdo lloj situate edhe kur kërkohet sakrifica sublime. Shtjefën Gjeçovi na mëson se gjuha duhet ruajtur, kultura duhet studiuar, historia duhet përcjellë me përgjegjësi dhe na kujton se kombi ndërtohet jo vetëm nga ata që luftojnë me armë, por edhe nga ata që e mbrojnë me penë, me shkollë, me dije, me kulturë, me krenari dhe me dinjitet. Faik Konica e ka cilësuar At Shtjefën Gjeçovin si, “njeri nga njerëzit më të lartë që ka pasur Shqipëria”, ndërsa albanologu austriak Norbert Jokli e ka quajtur, “punëtor i palodhur në fushën e letrave shqipe”. Shtjefën Gjeçovi bashkëpunoi me revistat e kohës: “Populli”, “Hylli i dritës”, “Albania”, “Brezi i ri”, ku ne e gjejmë me me pseudonimet “Komnen Kanina”, “Lkeni i Hasit”, “Zana e Prezës”, “A.Sh.K.Gj”, “O.F.M”, dhe nga ana tjetër la rreth 10000 faqe dorëshkrime. Ai ishte si një “makinë intelektuale” enciklopedike, i cili njihte tetë gjuhë të huaja dhe që konsiderohet “Instituti shkencor gjeçovian”, si dhe nga ana tjetër me shkrimety e veta At Shtjefën Gjeçovi dëshmon se ai firmoste edhe me firmën “Kryeziu”, që dëshmon lidhjen e fuqishme me fshatin e vendlindjes së origjinës të të parëve.
Dodë Mark Lleshi (1887–1944), sakrifica për shpëtimin e një partizani të plagosur
Dodë Mark Lleshi lindi në vitin 1887 në Kryezi dhe ra po në fshatin e tij të lindjes në Kryezi, më 7 nëntor 1944, po në vendlindjen e tij. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me Vendimin nr. 59, datë 20 nëntor 1969, të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Pukës. Historia e Dodë Mark Lleshit lidhet me ngjarjet e mëdha të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në një periudhë kur Shqipëria po kalonte ditët vendimtare të përfundimit të luftës kundër pushtuesve. Sipas të dhënave historike të këtij fshati të njohur në vendin tonë, ai sakrifikoi jetën më 7 nëntor 1944 për të shpëtuar një partizan të plagosur të Brigadës së XXII Sulmuese.
Ky akt sublim përbën thelbin e kujtimit të tij të vecantë. Në kushtet e një konflikti të armatosur të shqiptarëve me pushtuesit, përpjekja për të shpëtuar një partizan të plagosur ishte një veprim që kërkonte guxim dhe gatishmëri për të vënë jetën në rrezik, soliodaritet të lartë njerëzor. Rënia e Dodë Mark Lleshit e lidh emrin e tij me një akt konkret sakrifice dhe solidariteti njerëzor. Ndërkohë që studiuesi i shquar i Pukës profesor Xhemal Meçi e përmend shprehimisht këtë ngjarje në shkrimin e tij për Kryeziun, duke e identifikuar Dodë Mark Lleshin si dëshmor që dha jetën për shpëtimin e partizanit të plagosur. Për Kryeziun, kujtimi i Dodë Mark Lleshit është pjesë e historisë së LANÇ-it por dhe një dëshmi e rëndësisë që kanë veprimet konkrete njerëzore në rrethana ekstreme të jashtëzakonshme, prandaj dhe kujtimi për Dodë Mark Lleshin është plotësisht i ligjshëm. Gjaku i tij u derdh për lirinë e Atdheut për çimentimin e themeleve të lirisë.
Nikollë Çun Vorfi (1920- 23.10.1944) në altarin e lirisë së Atdheut
Nikollë Çun Vorfi lindi në Kryezi në pranverën e vitit 1920 dhe ra në vitin 1944, po në vendlindjen e tij në Kryezin ë një familje me tradita atdhetare dhe luftarake. Edhe pse të dhënat për të rënët për Atdheun nuk janë plotësisht të sakta edhe për Nikollë Çun Vorfi mendohet se kur është vrarë ka qenë më i vogël në moshë dhe mund të ketë lindur pas vitit 1920, sikurse është një listë e publikuar për dëshmorët e Pukës që e shënon më 1926 (ndoshta edhe pasaktësi) dhe e lidh rënien e tij me 23.10.1944. Nikollë Çun Vorfi është shpallur Dëshmor i Atdheut me Vendimin nr. 35, datë 10 prill 1980, të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Pukës. Nikollë Çun Vorfi i përket brezit që jetoi në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kur treva e Pukës dhe fshatrat e saj u përfshinë në ngjarjet e mëdha që shënuan historinë e Shqipërisë së re antifashiste, luftë e njohur ndërkombëtarisht kundër pushtuesve italianë e gjermanë. Rënia e tij në fshatin Kryezi e bën emrin e tij pjesë të historisë së drejtpërdrejtë të vendit dhe të kujtesës së familjeve që përjetuan ato vite të errëta pushtimi.
Biografia e saktë e këtij dëshmori qëndron thellë në kujtesën e shokëve e bashkëmoshatarëve të tij por edhe e treguart brez pas brezi si një postulat historik, edhe pse është e nevojshme të konsultohen dokumentet e shpalljes dëshmor, regjistrat përkatës dhe dëshmitë familjare të trashëguara dhe të shkruara. Kjo mungesë boshllëku në rregjistra të gjendjes civile vjen edhe nga funksioni i shtetit të asaj kohe që nuk kanë të përcaktuara saktësisht datëlindjet, por dhe të datërënies, si dhe në sqarimin e rrethanave historike të ngjarjeve të kohës. Ndërkohë që është e njohur se Shqipëria nuk trashëgoi regjistra të gjendjes civile, vetëm se më 7.9.1929 doli dekretligji “Mbi regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë”, me 8 nene, sipas së cilit në prill-maj 1930 do të bëhej regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë, mbi “bazën e vetëdeklarimi” (AQSH, Fletoren Zyrtare, Nr. 7, datë 29 janar 1930, faqet 1–2). Ndërkohë që rregjistrat e parë realë shqiptarë që gjenden praktikisht në gjendjet civile shqiptare janë ata që i përkasin periudhës 1945-1948. Megjithatë, edhe të dhënat themelore të njohjes së tij si dëshmor dëshmojnë se emri i Nikollë Çun Vorfit është pjesë e fuqishme e trashëgimisë atdhetare, luftarake e historike të Kryeziut.
Nikollë Memë Çuku (1924–1943) – Dëshmori i parë i LANÇ-it në krahinën e Pukës
Nikollë Memë Çuku lindi në vitin 1924 në Kryezi dhe ra në qershor të vitit 1943, në moshën 19-vjeçare, sipas të dhënave të publikuara për jetën e tij. Ai është shpallur Dëshmor i Atdheut me Vendimin nr. 03, datë 30 janar 1974, të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Pukës. Nikollë Memë Çuku njihet në historinë vendore si dëshmori i parë i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në krahinën e Pukës. Rënia e tij në vitin 1943 ndodhi në një periudhë kur lufta kundër pushtimit ishte intensifikuar dhe rezistenca shqiptare po merrte përmasa gjithnjë e më të gjera. Nikollë Çuku mjaft i ri në moshë, përfaqëson një brez shqiptarësh sikurse edhe të fshatit Kryezi, që u përballën me një realitet të vështirë historik.
Humbja e jetës që në moshën 19-vjeçare mbetet një kujtesë e çmimit njerëzor që shoqëroi atë periudhë luftarake me shumë të papritura. Për familjen e tij dhe për Kryeziun, humbja ishte një dhimbje e madhe, ndërsa për historinë vendore emri i tij u bë pjesë e kujtesës së qëndresës antifashiste shqiptare. Në shumë publikime dhe burime të ndryshme historiografike të luftës Nikollë Memë Çukun e përmendin si dëshmorin e parë të Luftës Nacionalçlirimtare në krahinën e Pukës, të rënë në qershor 1943. Përbashkimi i këtij dëshmori bashkë me dëshmorët e tjerë të Kryeziut ka rëndësi të veçantë, sepse historia e Kryeziut nuk mund të kuptohet pa kujtuar ngjarjet e mëdha luftarake të viteve 1943 e 1944 dhe fillimet e sakrificave të kësaj treve gjatë luftës. Emri i Nikollë Memë Çukut është një nga pikat e rëndësishme të këtij kujtimi historik.
Rasim Selman Kryeziu, gjimnazisti dëshmor që u nis për aksion dhe u flijua për Atdheun
Rasim Selman Kryeziu (1933–7.7.1949) ishte një nga të rinjtë që humbën jetën tragjikisht në aksidentin e Milotit, teksa udhëtonin për të marrë pjesë në aksionet vullnetare për rindërtimin e Shqipërisë së pasluftës. Ai ishte nga Kryeziu, por kishte shkuar për të ndjekur gjimnazin në Bicaj të Kukësit. Mbeti pjesë e kujtesës historike të dëshmorëve që sakrifikuan jetën në moshë të njomë për ndërtimin e Shqipërisë së re. Në fillimkorrik të vitit 1949, Rasimi ishte nxënës konviktor në Kukës, ku të rinj nga zona të ndryshme ndiqnin mësimet dhe përgatiteshin për të ardhmen. Në atë periudhë, Shqipëria kishte vetëm pesë vjet që kishte dalë nga lufta dhe po përpiqej të rimëkëmbet nga shkatërrimet e Luftës së Dytë Botërore, ndërsa aksionet vullnetare të rinisë shiheshin si një mënyrë për të kontribuar në ndërtimin e vendit.
Pasditen e 6 korrikut 1949, një grup konviktorësh u nis nga Kukësi me një automjet të tipit “ZIS”, drejt Tiranës, për të marrë pjesë në aksionin e ndërtimit të Kombinatit të Tekstileve. Udhëtimi, që duhej të shënonte fillimin e një përvoje të re për të rinjtë, u kthye në një tragjedi të rëndë. Rreth orës 01:30 të datës 7 korrik 1949, pranë Milotit, automjeti u përmbys dhe mori flakë. Në këtë aksident humbën jetën 20 gjimnazistë dhe dy oficerë. Gjimnazistët që humbën jetën ishin: Rasim Selman Kryeziu nga Kryeziu i Pukës, Ahmet Gjoni nga Tropoja, Benon Voshtina nga Vlora, Fatos Narazani nga Elbasani, Selim Kurpali nga Hasi, Shaban Boshnjaku nga Tropoja, Zenun Batusha nga Tropoja, si dhe Avni Gjana, Dalip Sapahiu, Et’hem Musallari, Gani Dizdari, Hasan Shehu, Haxhi Qejvani, Halim Sofia, Hazir Onuzi, Haziz Braha, Hasan Hallaçi, Qazim Haxhia, Sherif Kollovozi dhe Xhemali Shllaku, të gjithë nga Kukësi.Të mbijetuarit ishin Dan Doçi nga Tropoja, si dhe Ali Domi, Halit Cahani, Muhedin Prizreni, Xhemali Kërxhaliu dhe Zenel Muja nga Kukësi.
Sakrifica e të rinjve u përjetësua në kujtesën e komunitetit përmes një lapidari të ngritur në hyrje të Milotit dhe emërtimit „20 Dëshmorët”, që iu dha konviktit të Kukësit. Këto shenja përkujtimore, edhe pse të heshtura, dëshmojnë rëndësinë e ruajtjes së historisë së tyre dhe të nderimit të jetëve të humbura. Rasim Selman Kryeziu u shpall Dëshmor i Atdheut me vendimin nr. 56, datë 17.06.2005, së bashku me gjimnazistët e tjerë. Ky vlerësim zyrtar përbën një dëshmi të përfshirjes së tij në kujtesën kombëtare, edhe pse u bë me shumë vonesë. Historia e Rasim Selman Kryeziut mbetet një thirrje për të mos harruar të rinjtë që humbën jetën në Milot dhe për të ruajtur me dinjitet kujtimin e tyre për të gjithë brezat në Kryezi, në Fushë Arrëz, në Pukë dhe në të gjithë Shqipërinë.
Allaman Nuh Dervishi (1969–2004) – Dëshmor i Atdheut i rënë në krye të detyrës
Allaman Nuh Dervishi lindi më 20 shtator 1969 në Kryezi të Pukës. Ai humbi jetën në vitin 2004, në moshën 35-vjeçare, ndërsa shërbente si punonjës i Policisë së Shtetit. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me Vendimin nr. 40, datë 16 nëntor 2004, të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”. Ndryshe nga katër dëshmorët e tjerë, historia e Allaman Nuh Dervishit i përket Shqipërisë së pas vitit 1990 në periudhën e demokracisë, dhe përpjekjeve për ndërtimin e institucioneve demokratike e forcimin e rendit dhe të sigurisë publike. Allaman Dervishi shërbeu si punonjës i Policisë së Shtetit, në fushën e sigurisë rrugore. Ai humbi jetën në krye të detyrës, duke lënë pas familjen, kolegët dhe komunitetin e vendlindjes. Në mjaft libra dhe shkrime përkujtimore (të studiuesit Zaho Golemi, Sefer Pasha etj), e dokumenton jetën e tij, shërbimin në polici dhe vendimin për shpalljen Dëshmor i Atdheut. Eshtrat e tij prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut në Tiranë pas shpalljes së statusit. Rënia e Allaman Dervishit dëshmon se sakrifica për Atdheun nuk i përket vetëm periudhave të luftërave, por dhe në kohë paqeje, kur punonjësit e shtetit kryejnë detyrën për mbrojtjen e jetës, sigurisë dhe rendit publik. Për Kryeziun, ai përfaqëson vijueshmërinë e një trashëgimie atdhetare që shtrihet në periudha të ndryshme historike. Emri i tij e lidh kujtesën e fshatit me institucionet e Republikës së Shqipërisë dhe me sakrificën e atyre që shërbejnë për sigurinë në mbrojtje të jetës së qytetarëve.
Një trashëgimi që bashkon periudha të ndryshme të historisë shqiptare
Pesë dëshmorët e Kryeziut nuk i përkasin të njëjtës periudhë historike dhe as të njëjtës fushë veprimtarie. At Shtjefën Gjeçovi-Kryeziu u bë pjesë e historisë kombëtare përmes veprimtarisë së tij fetare, kulturore, hapjes së shkollave dhe mësimit të gjuhës shqipe, shkrimit të Kanunitt ë Lekë Dukagjinit dhe veprimtari të shumta atdhetare, ndërsa Dodë Mark Lleshi, Nikollë Çun Vorfi dhe Nikollë Memë Çuku lidhen me ngjarjet e mëdha të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ndërsa Allaman Nuh Dervishi përfaqëson sakrificën e një punonjësi të Policisë së Shtetit, të Policisë Rrugore në Shqipërinë e pas vitit 1990. Kjo shumëllojshmëri e bën historinë e tyre veçanërisht domethënëse, që tregon se kontributi për Atdheun nuk kufizohet në një periudhë të vetme dhe nuk merr vetëm një formë.
Ai mund të shprehet përmes ruajtjes së kulturës dhe identitetit, pjesëmarrjes në luftën për çlirim, solidaritetit me njerëzit në rrezik apo përmbushjes së detyrës shtetërore deri në sakrificën e jetës. Për këtë arsye, emrat e këtyre pesë dëshmorëve meritojnë të ruhen së bashku në kujtesën historike të Kryeziut, si pjesë e historisë së familjeve të tyre, e vendlindjes dhe e historisë kombëtare shqiptare. Ndërkohë që dokumentimi i historisë është detyrë ndaj brezave, pasi përtej nderimit për pesë dëshmorët e njohur zyrtarisht, Kryeziu ka nisur edhe përpjekjet për përgatitjen e dokumentacionit për dy të rënë të tjerë të fisit “Dervishi”: Mehmet Brahim Brahimi (Aga) (1834 -1880), dekoruar nga Presidiumit të KP, dhe i biri 20 vjeçar Brahim Mehmet Brahimi (Aga) (1860 -1880), kontributi i të cilëve kërkon shqyrtim institucional, arkivor, museal dhe dokumentyar. Ky proces duhet të mbështetet në dokumente autentike, dëshmi të besueshme dhe kriteret ligjore për njohjen e statusit përkatës.
Njëkohësisht, është e nevojshme të përgatitet një dosje e plotë historike për secilin nga pesë dëshmorët e njohur. Ajo duhet të përfshijë vendimet e shpalljes, të dhënat biografike, dokumentet e kohës, fotografitë, dëshmitë familjare dhe burimet e publikuara. Kështu, historia e tyre do të mbështetet jo vetëm në kujtesën gojore, por edhe në një bazë dokumentare që mund të përdoret nga studiuesit dhe institucionet, ndoshta edhe këngët e kënduara në breza do të jenë të dhëna që populliu e ka dokumentuart historinë edhe në këngë trimërie. Një nismë e tillë mund të pasohet nga një botim i posaçëm për dëshmorët e Kryeziut, një veprimtari përkujtimore dhe një ekspozitë me dokumente e fotografi. Këto do të ishin mënyra konkrete për t’ua përcjellë historinë brezave të rinj dhe për t’i dhënë kontributit të fshatit vendin që meriton në historinë e Pukës dhe të Shqipërisë. Kujtesa historike kërkon jo vetëm respekt, por edhe saktësi. Çdo emër, datë dhe ngjarje duhet të ruhet me përgjegjësi, sepse historia e dëshmorëve është një trashëgimi që u përket jo vetëm pasardhësve të tyre, por të gjithë shoqërisë shqiptare. Dhe e gjithë kjo në përputhje të plotë me ligjin nr. 109/2018 “për statusin e dëshmorit të Atdheut” neni 5 kriteret e shpalljes dëshmor i Atdheut.
Kryeziu, krenari e historisë krahinore dhe kombëtare
Kryeziu është kryelartë për dëshmorët e tij në tri epoka historike. At Shtjefën Kostandin Gjeçovi-Kryeziu, Dodë Mark Lleshi, Nikollë Çun Vorfi, Nikollë Memë Çuku dhe Allaman Nuh Dervishi përfaqësojnë histori të ndryshme, por bashkohen në një pikë thelbësore, sepse emrat e tyre janë pjesë e kujtesës atdhetare të këtij vendi dhe janë trupëzuar me kujtimin e dëshmorëve të tjerë të Atdheut. Ata dëshmojnë se historia kombëtare është ndërtuar edhe nga fshatra të vegjël, nga familje që kanë përballuar humbje të rënda dhe nga njerëz që, në rrethana të ndryshme, kanë dhënë kontributin e tyre për vendin. Për Kryeziun, krenaria nuk duhet të mbetet vetëm në përkujtimin e së kaluarës. Ajo duhet të shndërrohet në përgjegjësi për të ruajtur dokumentet, për të studiuar historinë dhe për të përcjellë të vërtetën te brezat e ardhshëm. Pesë dëshmorët e njohur zyrtarisht janë një pjesë e rëndësishme e kësaj trashëgimie. Përpjekjet për dokumentimin e dy rasteve të tjera tregojnë se puna për njohjen e historisë së vendit vazhdon dhe se çdo kontribut duhet të shqyrtohet me seriozitetin që meriton.
Kryeziu nuk është kryelartë vetëm për historinë që ka trashëguar, por edhe për përgjegjësinë që ka marrë përsipër për ta ruajtur dhe për ta trashëguar atë, edhe përmes ngritjes së një lapidari të ri për dëshmorët, për bijtë e këtij vendi me traditë dhe histori. Kujtimi i dëshmorëve është nder për familjet e tyre, krenari për fshatin Kryezi dhe një vlerë e çmuar për historinë krahinore dhe historinë kombëtare shqiptare. Megjithatë, të tetë dëshmorët e Kryeziut, përfshirë edhe dy rastet që janë ende në proces dokumentimi dhe njohjeje, meritojnë një lapidar madhështor, si dhe një basoreliev në qendër të tij, që të përfaqësojë të gjitha epokat në të cilat bijtë e fshatit Kryezi kanë derdhur gjakun për Atdheun.
