Diktaturat “budallaqe” dhe vrasjet e Orlando Letelier e Jamal Khashoggi
Nga Mark Tooley
Pardje në Uashington, ishte një pasdite e shënuar. Në Rrugën e Ambasadave, ku gjenden statujat e shumë patriotëve nacionalistë si Çërçill, Mandela, Ataturk, Masarik, Gandi etj, u përurua një monument i vogël i vendosur kohët e fundit për vrasjen e kundërshtarit kilian anti-Pinoçet, Orlando Letelier.
Ai vdiq në Sheridan Circle në vitin 1976 nga shpërthimi i një bombe të vendosur në makinë nga shërbimi sekret kilian, nëpërmjet operativëve të djathtë kubanë. Letelier ishte ministër i Jashtëm nën presidentin e majtë Salvador Alende, deri kur grushti i shtetit i Pinoçetit në vitin 1973 e përmbysi regjimin marksist, dhe ngriti një diktaturë ushtarake 17 vjeçare.
SHBA mendoi se vrasjen e kishte urdhëruar Pinoçeti. Letelier, i cili ka të ngjarë të ishte i lidhur me shërbimet sekrete të Kubës, dhe ato komuniste të Bllokut Lindor, ishte një organizator kryesor i rezistencës kundër Pinoçetit në Amerikë.
Ai ndihmoi në ndërprerjen e huave ndërkombëtare për regjimin e Pinochetit, duke krijuar shqetësim të madh për këtë të fundit. Por Pinoçeti fitoi pak ose gati asgjë nga vrasja e Letelier, pasi ajo e diskreditoi më tej regjimin e tij, dhe u bë një pengesë e përhershme në marrëdhëniet me Amerikën.
Pinoçeti ishte një lloj aleati antikomunist në Amerikë, dhe ndoshta supozoi se shkelja e tij do të anashkalohej. Si sekretar i Shtetit, Henri Kisinger e këshilloi butësisht Pinoçetin për respektimin e të drejtave të njeriut, por lavdëroi shpëtimin e Kilit nga marksizmi. Presidenti Xhimi Karter, edhe pse kishte në fokus të drejtat e njeriut, e priti Pinoçetin në Shtëpinë e Bardhë, i vetmi president amerikan që e bëri këtë.
Por, ndërsa hetimi mbi vrasjen e Letelier u zgjerua, marrëdhëniet e SHBA-së me Pinoçetin u përkeqësuan, me Kongresin që vendosi sanksione ndaj rregjimit të tij më 1980. Fillimisht administrata Reagan synoi të përmirësonte marrëdhëniet me Pinoçetin, derisa e kuptoi se diktatura e tij qe në fund të fundit destabilizuese.
Regan nisi presionin ndaj Pinoçetit për të demokratizuar vendin e tij, çka përfundimisht çoi në zgjedhjet të lira dhe largimin e Pinoçetit nga pushteti në vitin 1990. Ndoshta Pinoçeti fitoi një kënaqësi personale nga vrasja e Letelierit. Por nëse kjo ishte vërtet kështu, ky qe e vetmi përfitim nga akti i tij.
Diktaturat dhe regjimet autoritare, janë shpesh budallaqe. Ata nuk kanë sfida të brendshme, transparencë dhe debat serioz. Ato kanë një besim të tepruar në vetvete, dhe njëherazi janë të pasigurta. Ato teknikisht nuk kanë nevojë për mbështetje publike, por janë paranojake për opozitën.
Edhe sundimtarët e dobët dhe jopopullorë të demokracive të qëndrueshme, mund të mbështeten tek elektorati në mbajtjen e premtimeve, dhe zbatimin e politikave të tyre të ligjshme. Diktatorët, nuk e kanë një besim të tillë, dhe shpesh reagojnë ndaj kërcënimeve të vogla.
Sigurisht që Putini me vrasjet e ndryshme të regjimit të tij, i përshtatet këtij modeli. Viktimat e tij, janë kryesisht të parëndësishme në rrafshin politik. Me gjasë vrasjet e tyre, kanë për qëllim t’i japin një mesazh kundërshtarëve të tjerë. Por ka të ngjarë që këto vrasje të thellojnë urrejtjen dhe kundërshtimin ndaj Putinit.
Regjimi i tij shfaqet si i sigurt, por këto vrasje dëshmojnë shenja të pasigurisë dhe marrëzisë. Po ashtu edhe vrasja e mundshme e disidentit dhe gazetarit saudit Xhama Kashogi, për të cilin Turqia thotë se u torturua, u vra dhe u shkri në acid në konsullatën saudite në Stamboll nga një skuadër e madhe e agjentëve sauditë të sigurisë.
Ashtu si me Letelierin dhe disidentët rusë të vrarë, zhdukja e Khashogit thuajse me siguri u sugjerua, në mos u urdhërua nga udhëheqja e Riadit. Shkrimet e rastësishme të Kashogit në “The Washington Post”, nuk përbënin një kërcënim të vërtetë për marrëdhëniet 70-vjeçare të monarkisë saudite me Amerikën.
Vrasja e tij, është një reagim i tepruar tipik paranojak, nga një regjim autoritar që është sa i plotfuqishëm, aq dhe i pasigurt. Partneriteti strategjik i SHBA me Arabinë Saudite do të vazhdojë, siç e kërkojnë interesat e përbashkëta. Por ngjarja e tmerrshme e Kashogit, do të mbetet një njollë e përhershme në perceptimet demokratike të Amerikës ndaj represionit autoritar saudit.
Demokracia kushtetuese është irrituese, por politikisht aplikon të kuptuarit e krishterë mbi mëkatin dhe dobësinë njerëzore. Të gjithë personat, nëse janë të fuqishëm dhe të papërgjegjshëm, mund të bëhen monstruozë. Dhe përbindëshat që forcohen në egoizmin dhe izolimin e tyre, janë shpesh shumë budallenj. Demokracia, duke u mbështetur tek ligjet në vend se tek personat, ofron mbrojtje kundër monstrozitetit dhe marrëzisë.
Burimi: ProvidenceMag