Disa pushkë model 56 për paqen mes Ramës dhe Bashës

Ky është gjumi i zakonshëm letargjik që Shqipëria merr në verë, aq më tepër në verat elektorale dhe këtu nuk ka asnjë gjë të re. As edhe në sherret që ndjekin njëri-tjetrin si të shtënat tek e tek dhe me breshëri të ministres Karabina. E cila nga dje është vetëm nje “ish”…

Nga Lorenc Vangjeli

Ishin në luftë, por e siguruan paqen duke përdorur edhe Big Mac-un si ushqim, edhe armët si mjete. Hamburgeri që ju shërbye Ramës e Bashës në natën e kompromisit në 18 maj, ishte garnitura që shoqëroi emrat e shtatë ministrave që PD i la “peng” në oborrin e Ramës; “armët” që do të garantonin se standartet e zgjedhjeve të 25 qershorit nuk do të merreshin peng Ndër ta, më e njohura është tashmë ish-ministrja e arsimit, me mbiemrin e të cilës, kritikët e shumtë që ajo thithi gjatë qendrimit në detyrë, bënin pothuaj gjithmonë të njëjtën lodër fjalësh. Zonja Karabina ishte ministrja atipike në këtë kohë tërësisht atipike për qeverinë në ikje Rama 1. Ajo ja doli të krijojë vatra të pafundme tensioni dhe konflikte me pothuaj gjithë personelin teknik që ajo trashëgoi në ministri nga paraardhësja e saj duke dhënë provën ulëritëse të pamundësisë për qeverisje me bazë të gjerë. Në vit më parë lajmi kryesor që vinte nga arsimi kishte të bënte me mënyrën e re të regjistrimit në universitetet publike të maturantëve.

Pati dhe një serial protestash përpara Këshillit të Ministrave dhe madje edhe një debat të fortë politik që shoqëroi atë pjesë të reformës në arsim. Dy partitë kryesore në pushtet patën përplasje të dukshme dhe të padukshme, të cilat u bënë edhe më të egra në fushatën elektorale të këtij viti. Edhe opozita ishte përfshirë fort, me aq forcë e takat sa kishte në fakt, në këtë çështje duke bërë aq sa diti dhe aq sa mundi. Gjithë vendi u përfshi në këtë çështje shumë të mprehtë, e cila bënte bashkë prindër e gjimnazistë si hallexhinj nga njëra anë dhe politikanë nga ana tjetër si shkaktarë dhe zgjidhës  të hallit në të njëjtën kohë. U bënë protesta në rrugë, por pastaj ato mbaruan me fillimin e vitit të ri shkollor.Një vit më pas, çfarë ngjante dramatike për një brez të tërë adoleshentësh, sot është kthyer komike për një shoqëri të tërë. Protestat e adoleshentëve në rrugë, janë zëvendësuar me protestat e të rriturve në korridoret e ministrisë së arsimit.Çfarë u duk si e papritur dhe gallatë atëherë, vazhdon të jetë gallatë dhe të papriturat nuk mungojnë pothuaj asnjë ditë. Ministria e arsimit prej ditësh e ditësh të tëra nuk prodhon lajme me gjimnazistë në rrugë, por me sherret prej gjimazistësh që prodhohen në korridoret e pushtetit të saj të përkohshëm, mes ministres teknike dhe stafit të dikurshëm teknik të ish-ministres Nikolla.Eshtë e pamundur të ndiqet dinamika e hënës së keqe me të cilën ministrja e re, për shembull, u pa me sekretarin e përgjithshëm. Denoncimet jo vetëm në media, për kërcënime dhe armatime, nuk kanë ndodhur pothuaj kurrë më parë në administratën shqiptare që edhe pse është shpesh qesharake, nuk kishte arritur më parë në pikën e sherreve pothuaj ushtarakë në korridore.

Mbas sekretarit të përgjithshëm me të cilin ka një seri denoncimesh penale reciproke, ministrja hapi një të tillë me shtatë nëpunës të lartë të ministrisë së saj. Ata e kanë paditur se ajo shkakton frikë, stres e terror në korridore. Ministrja ju kundërpërgjigjet në të njëjtën mënyrë.Brenda 24 orëve një tjetër lajm plot shkëlqim të zymtë nga i njëjti digaster: shkarkime dhe emërime në bordin e mjekësisë. Rektori i universitetit të mjekësisë proteston, çon letra ankese në ministri e qeveri, por nuk ka kush t’i pergjigjet. Ndërkohë që në media pilotohet një letër – email zyrtar i ministrisë së arsimit, që kërkon të gjejë se pse ministren në një vizitë në Kosovë, nuk e kanë vënë të flejë në hotel me pesë yje, siç e kërkon sëra dhe një VKM e firmosur nga Rama. Apo dhe pse kondicioneri në sallën e mbledhjes nuk punonte mirë.Deri në këtë episod, gjasat që ministrja ta merrte seriozisht veten në detyrë edhe kur të tjerët, përfshi dhe kryeministrin, refuzonin ta bënin, ishin goxha të mëdha. Ajo që Rama e dha në maj me një llaf goje përballë Bashës nuk mund të kufizojnë të drejtat që një antari kabineti i takojnë me kushtetutë. Teknikë apo politikë, cilido qoftë emri që ju vunë ministrave të opozitës në qeveri, ata kanë po të njëjtat detyra dhe të drejta si dhe ministrat socialistë apo dhe ata të LSI-së së mbetur ende në qeveri.

Por nëse mund të kishte dilema për çfarë po ndodhte në korridoret e ministrisë së arsimit dhe në marrëdhëniet e ministres me vartësit e saj, sherri për Kosovën e nxorri gjithçka në një dritë tjetër. Ankesat për akomodim në Gjakovë, për punë temperaturash në sallën e seminareve e të tjera budallallëqe si këto, dëshmuan vanitet dhe meskinitet të jashtëzakonshëm. Ato e bënë dhe sjelljen e denoncuar të ministres në Tiranë të ngjashme me zhurmën e njohur të armëve lindore model 56. Të cilat mund të asgjesonin armikun me zjarr, me qytë dhe me bajonetë.Deri në javën e dytë të shtatorit kur me gjasë do të mblidhet qeveria e re, pra edhe një muaj më tepër, ministria e arsimit do të jetë në të njëjtën situatë.  Jo vetëm ministritë e darovitura për Bashën në maj, tashmë me ministra të dorëhequr, por gjithë qeveria që nuk është mbledhur që nga marrëveshja e 18 majit, është në gjumë. Ky është gjumi i zakonshëm letargjik që Shqipëria merr në verë, aq më tepër në verat elektorale dhe këtu nuk ka asnjë gjë të re. As edhe në sherret që ndjekin njëri-tjetrin si të shtënat tek e tek dhe me breshëri të ministres Karabina. E cila nga dje është vetëm nje “ish”, si shumë të tjerë para e pas saj, që e mendonin pushtetin të përjetshëm dhe veten e tyre, si të përjetshëm në pushtet. (Javanews.al)

SHKARKO APP