Do punë?! Nis me “gallata” “Panairi i 5 mijë vendeve të reja pune”

Kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës, Erjon Veliaj, pritet të japë dorëheqjen si Ministër i Mirëqenies Sociale & Rinisë. Ndërkohë ai lëshoi një status mbi punësimet, “Mos e humb Panairin e Punës, 29 prill – 1 maj. Përvish mëngët, merr disa CV dhe eja për intervistat në Pallatin e Kongreseve! 60 kompani, 5 mijë vende pune.”  I tillë ishte njoftimi i Erjon Veliaj në profilin e tij Facebook, por që ndeshi reagimet e shumë të rinjve .

Ndër reagimet e të rinjve, ato kanë qenë përgjithësisht mosbesuese, sa i përket procesit të punësimit në Shqipëri. Shumë prej tyre e kanë kaluar edhe me humor, duke pretenduar se  koha tani që po afron stina e verës  premton dhe se “nuk është nevojë të përveshin mangët, pasi mund të shkojnë me mangë të shkurtra në këtë panair.”

 Por siç edhe duket, shumë nga të rinjtë e kanë humbur shpresën, se mund të vlerësohen edhe nga kjo qeveri në bazë të aftësive, sepse ata e njohin mirë njëri-tjetrin dhe e dinë më mirë, se shumë prej tyre janë të arsimuar por e kanë humbur garën me të tjerë të “mbivlerësuar” . Ata kujtojnë se zgjidhje për shumicën dërrmuese të të rinjve pa lidhje me politikën, ka mbetur punësimi në “call center”.  

Në këtë aspekt shihet edhe mosbesues punësimi nga kompanitë private. Qeveria aktuale, të vetmin nder që mund t’iu bëj të rinjve, që janë aktualisht pa punë, është që të japë një përgjigje për nivelin dhe seriozitetin e punonjësve të administratës, të atyre që janë punësuar para se të vinte në pushtet e majta dhe të tjerëve që janë punësuar gjatë dy viteve të fundit.

Me dhjetëra e qindra zyrtarë të lartë po denoncohen çdo ditë për fshehje të pasurisë,  ndërkohë që praktikat e punësimit mbeten të njëjta. Pjesëmarrja e disa individëve në fushatat elektorale pranë deputetëve dhe ministrave është vlerësuar si kriteri më i fortë për punësimin e tyre. Por nëse ata do të marrin vetëm votat e atyre që janë treguar “të zellshëm” në fushata dhe kanë fituar më pas një vend të mirë punë në administratë, dhe pavarësisht se kalojnë sipas interesit sa nga një kamp në një tjetër, në zgjedhjet e ardhshme përfundimi mund të jetë i hidhur për shumë deputetë, apo për praktikat me të cilat është bazuar historikisht politika shqiptare në këto 24 vjet.  Të rinjtë e sotëm duket se po kuptojnë më në fund diçka më shumë se prindërit e tyre, shumica “të djegur” nga kjo klasë politike.

A.Muraçi/ Koha Jonë

SHKARKO APP