Drejtësia – problemet në “parkim”!

Nga Lutfi Dervishi

Muaji gusht është muaji i pushimeve, por për disa pushimet kanë nisur javë dhe muaj më parë.
Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, janë pothuaj me “pushime” dhe në rradhë për “pushime” është Gjykata Apelit. Muaji gusht është muaji që deputetët dhe zyrtarët parkojnë makinat. Si rregull në këtë kohë “parkohen” edhe problemet. Problemi i problemeve mbetet Drejtësia. Më 21 korrik 2016, dy vjet më parë, 140 deputetë, nën presion të shtuar ndërkombëtar, votuan për Reformën në Drejtësi. Një eksperiment unik për të pastruar pallatin e Drejtësisë nga çatia deri në themele.
Vettingu- kryefjala e reformës ka dhënë rezultate e para. Gjyqtarë dhe prokurorë të niveleve të larta të sistemit, janë larguar nga detyra- pasi nuk kanë kaluar as testin e verifikimit të pasurisë që vetë kanë deklaruar. Prokuroria e krimeve të rënda vendosi dje në sekuestro pasuritë e ish Prokurorit të Përgjithshëm.
Por dy vjet pas ribërjes së Kushtetutës vendi është pa gjykatë Kushtetuese dhe ky është një problem më shumë se serioz. Institucionet e reja që do të bëjnë të mundur funksionimin e “godinës së re të drejtësisë” nuk janë ngritur ende. Vettingu ndërkohë ka marrë kritikat e para: vonesa dhe shigjetimet e opozitës për standarte të dyfishta në vlerësim. Sistemi i vjetër po shembet, por i riu nuk po ngrihet. Një sërë institucionesh të reja që duhet të ishin ngritur, si Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, Struktura Antikorrupsion.- ende janë në letër.
Në vakumin e krijuar mes shembjes të së vjetrës dhe ngritjes së të riut- kanë lindur edhe dilemat e para.
Nëse për një palë reforma po ecën mirë, për tjetrën reforma është instrumet për kapjen e gjyqësorit. Nëse për një palë po bëhet pastrim, për tjetrën është spastrim.
Po bëjmë reformë apo revolucion në drejtësi? Pyetja kur do të ngrihen institucionet e reja të drejtëisë është lidhur me shpejtësinë, cilësinë e Vettingut, por edhe me vullnetin politik. Të gjithë ata që do të futen në drejtimin e institucioneve të reja do t’i nënshtrohen vetë të parët vettingut. Kriteret e vendosura po sjellin situaten kur mund te mos kemi kandidate. Këshilli i Lartë i Prokurorisë është një prej tyre.
Dy vjet më parë konsensusi pozitë-opozitë për ndryshimet kushtetuese u arrit pas një presioni të fortë ndërkombëtar.
Sesioni i fundit i Parlamentit u mbyll dje pa gjetur zgjidhje për ecurinë e Shkollës së Magjistraturës, inkubatorit të Drejtësisë së re. Sipas kushtetutës në fuqi, numri i atyre që do të studiojnë duhet të zgjidhet nga KLP dhe KLGJ- të cilat ende nuk janë ngritur.
Dy vjet pas reformës ka shumë për të folur për gjërat e thëna dhe të pathëna.
Për institucionet e reja, rrugëdaljen dhe mësimet e para nga vettingu do të flasim sot në #Përballë me zv/ministrin e Drejtësisë Toni Gogu dhe analistin politik Afrim Krasniqi. Ora 20.35, RTSH 1.

https://www.facebook.com/dervishi.lutfi/posts/1310890155709268:0

SHKARKO APP