DRITAN HILA IRONIZON KRITIKAT E BLUSHIT PËR RAMËN

Ish- zëvendësministri i Mbrojtjes Dritan Hila që u dorëhoq kohë më parë ka sulmuar deputetin Ben Blushi, i cili këto ditë po shfaqet shumë kritik me Ramën. Përveç tij, Hila ironizon edhe punën e Pandeli Majkos, tezat e Koço Kokëdhimës dhe deklaratat e Aleksandër Frangajt për Sokol Ballën.

 

 

“Ben Blushi pas 15 vjetesh si deputet i partisë se fukarenjve, zbulon se ky vend është i varfër, Pandi Majko pas pesë herë deputetë dhe dy herë Kryeministër, zbulon se nuk zbatohen ligjet. Koço Kokëdhima vazhdon betejën e tij për hashashin që edhe në mos e legalizoftë e ta bëjë këtë vend më hale nga ç'është, të paktën na bën estradë.", shkruan Hila në profilin e tij në ‘’Facebook’’.

Hila ironizon edhe deklaratat e Frangajt për videon intime të Sokol Ballës.

"Aleksandër Frangaj, pronari i një televizion kombëtar, me deklaratën e tij për rastin Balla, tregoi se në çfarë duarsh banale është një nga dy TV-të kombëtare.”, shkruan Hila në profilin e tij në ‘’Facebook’’.

Ai ironizon edhe Anastas Angjelin dhe Sali Berishën.

“Anastas Angjeli kishte marrë një çmim në Austri për ekonominë, të cilën të gjithë jemi dëshmitarë se e qan. Sala, po dihet. Dhe pastaj habiten pse spektatorët i janë sulur derës!”, e mbyll komentin e tij Hila, duke nënkuptuar eksodin e shqiptarëve.

SHKARKO APP