Droga në shkollë, emisioni “Stop” dhe Policia e Shtetit
Nga: Luan Rama
Emisioni “Stop” risolli këto ditë edhe një herë në vëmendjen e opinionit publik me pamje, pra me zë e me figurë siç është bërë e modës të thuhet, problemin e madh të shpërndarjes, shitjes e përdorimit të drogës nëpër shkollat e kryeqytetit! E vërteta është alarmante, gjendja është skandaloze, e më alarmante e skandaloze se kjo e vërtetë, është indiferenca kriminale dhe mosveprimi i institucioneve shtetërore përgjegjëse!
Emisioni “Stop” na zbulon vetëm majën e aisbergut të një epidemie që përhapet shkollë më shkollë, ndërkohë që nëse kthehemi vetëm pak ditë më pas në kohë e të kujtojmë ceremonitë e çeljes së vitit mësimor, do të na rishfaqen fjalimet bajate e fytyrat e impostuara deri në ngërdheshje që ngjallin neveri prej grimasava të pështira, të Kryeministrit e të të tjerëve pas tij që e imitojnë shëmtuar, për gjoja “masat e shkëlqyera të marra për fillimin e vitit të ri mësimor”.
E në gjithë këtë butafori të transmetuar prej ERTV-së, nuk munguan as deklaratat e Policisë së Shtetit, sipas të cilës, “…policia ka marrë një sërë masash për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike me nisjen e vitit të ri shkollor. Midis masave është shtimi i patrullave në orët e lëvizjeve më të mëdha në afërsi të shkollave… mbylljen apo largimin e lokaleve të tregtisë dhe pikave ambulante të shitjes që tregtojnë pije alkoolike, produkte ushqimore të skaduara apo në ndonjë rast dhe lëndë narkotike pranë shkollave” e të tjera e të tjera si këto!
Ballafaquar me të vërtetat që transmetoi emisioni “Stop”, rezulton se masat paskan qenë vetëm në fjalimet e pështira, për sa kohë oborret e korridoret e shkollave janë “pushtuar” prej trafikantëve të drogës! Dhe si për ironi, ndërsa pas emisionit “Stop” duhej të ngrihej menjëherë në alarm e në këmbë i gjithë shteti, gjithçka u kalua me një përgjigje klishe nga ana e drejtorisë së policisë së Tiranës, a thua se ky problem është çështje që ju përket vetëm strukturave të Policisë së Shtetit!
Asnjë analizë se përse nuk kanë funksionuar masat që u proklamuan në nisje të vitit të ri shkollor, asnjë konkluzion se kush mban përgjegjësi për gjëndjen kriminale në mjediset e shkollave të kryeqytetit dhe se përse shërbimet e policisë pranë shkollave nuk kanë funksionuar, dhe ç’është më kryesorja, asnjë masë konkrete që të na bindë se situata do të përmirësohet!
Pra thënë shkurt, droga do të vazhdojë të shpërndahet e të mbysë nëpër shkolla, emisioni “Stop” do të vazhdojë të denoncojë përsëri me të njejtën ndjenjë përgjegjësie qytetare, e drejtoria e policisë së Tiranës do të bëjë përsëri deklaratën e rradhës!…
Ndërsa institucionet në varësi të ministrisë së arsimit, ato të shëndetësisë, një varg i tërë inspektoriatesh e vetë drejtoritë e shkollave, do të vazhdojnë të na flasin e shkruajnë për masat e shkelqyera që kanë marrë për sigurinë dhe normalitetin nëpër shkollat tona!