Dy keqkuptime mbi qeverinë e Edi Ramës

50 për qind gra në kabinetin e ri nuk domethënë edhe favorizim i barazisë gjinore. Ndërsa Pandeli Majko, pa marrë parasysh se në Kosovë e duan dhe e çmojnë pa masë, nuk është ministër për Kosovën dhe diasporën e saj, por për diasporën e Shqipërisë, në radhë parë dhe për pakicat shqiptare (si në Luginën e Preshevës).

Nga Enver Rrobelli

1.

Me emërimin e disa grave në kabinetin “Rama II”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk tregon ndonjë interesim për barazi gjinore. I hoqi ministret me staturë politike si Mimi Kodheli dhe Eglantina Gjermeni, por edhe Milva Ekonomin, një eksperte e shquar e statistikave. Çfarë bie në sy: të gjitha këto janë zonja në moshë të pjekur, supozoj mbi 50-vjeçare, me përvojë në profesionet e tyre përkatëse dhe si të tilla nuk kanë asnjë nevojë të tërheqin vëmendjen e opinionit me dukjen e tyre. Për shkak të invadimit të jetës sonë publike nga televizionet private të përqendruara kryesisht në shou, është krijuar një mendësi primitive se gratë në politikë duhet të jenë këmbëgjata, me flokë të rregulluara mirë, të veshura me kreacionet e fundit të Milanos. Në vend të zonjave me përvojë Rama, siç shkruan publicisti Mero Baze në një koment, i avancoi drejtoreshat dhe sekretaret e tij, që s’i njeh kush, në ministre. Në tërësitë e tyre, shkruan ai, drejtoreshat e Ramës janë “të bukura, arrogante, shpesh kokëboshe dhe nga pak hajdute”. Tash kemi sasi në kabinetin e Tiranës, por jo cilësi.

2.

Keqkuptimi i dytë, kësaj radhe nga ana e disa shqiptarëve jashtë Shqipërisë, ka të bëjë me emërimin e Pandeli Majkos si ministër për Diasporë dhe, siç po thuhet, “shqiptarët jashtë kufijve”. Shqipëria ka larg më shumë se një milion qytetarë në botën e jashtme. Majko është, në radhë të parë, ministër që duhet të kujdeset që këta njerëz të marrin shërbime të mira nga shteti shqiptar. Nuk është sekret se shërbimi diplomatik dhe konsullor i Shqipërisë (ngjashëm si ai i Kosovës) ka nevojë për profesionalizëm, për reforma rrënjësore dhe efikasitet. Pandeli Majko, pa marrë parasysh se në Kosovë e duan dhe e çmojnë pa masë, nuk është ministër për Kosovën dhe diasporën e saj, por për diasporën e Shqipërisë, në radhë parë dhe për pakicat shqiptare (si në Luginën e Preshevës). Natyrisht të dy shtetet – Shqipëria dhe Kosova – mund të realizojnë së bashku shumë projekte me interes të përbashkët. Këtu mund të bashkëpunojnë edhe me ministrin e Diasporës të Republikës së Maqedonisë, i cili, nëse ndokush ka harruar, është shqiptar.

Nëse ka një sëmundje prej së cilës shqiptarët në Ballkan vuajnë shumë – ajo është: folklorizmi. Çfarë u bë me mbledhjet mes qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë? Përse pas zhurmës dhe pompozitetit nuk po shihet pothuaj asnjë rezultat i projekteve të përbashkëta? Madje shpesh shfaqen probleme banale me eksportin e perimeve nga Kosova në Shqipëri. Përse ka një pakënaqësi të heshtur në Prishtinë me paradat e Edi Ramës në politikën rajonale dhe përse për këtë s’po flitet hapur nga politikanët e Kosovës, por vetëm në besim? Si është e mundur që i vetmi politikan shqiptar që i bën jehonë propagandës së Aleksandër Vuçiçit për Kosovën është Edi Rama?

Sali Berisha ka mundur t’i bëjë dëm dhe i ka bërë me vetëdije nganjëherë Kosovës, kuptohet për interesa të politikës së brendshme, por ai e ka njohur mirë historinë e Kosovës dhe e ka ditur ku është kufiri i ndërhyrjeve. Kur harronte, kufirin ia tregonte Ibrahim Rugova. Edi Rama, ndërkaq, nuk shquhet si njohës i raporteve delikate mes shqiptarëve të Kosovës dhe Serbisë, andaj mund të bëjë dëm më shumë se Berisha. Vitet ’90, kur drama e Kosovës hyri në një fazë të re, Rama i ka kaluar kryesisht nëpër botë si “mondialist”, ndërsa dekadën e parë të shekullit aktual si kryetar i Tiranës, ku si kontribut në politikën rajonale mund t’i numërohet dekorimi me Çelësin e Tiranës të një këngëtari serb.

Për të evituar keqkuptimet e mëtutjeshme mes shqiptarëve në rajon, do të ishte mirë që ministri Majko të koncentrohej në punën e tij primare: kujdesin për qindra-mijëra shqiptarë në Greqi dhe në Itali. Mund të angazhohet edhe për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Me kaq mbaron puna e tij. Madje as shqiptarët e Maqedonisë nuk mund të konsiderohen më pakicë, sepse gjuha shqipe ka gjasa të bëhet gjuhë zyrtare në tërë Maqedoninë dhe shqiptarët kontrollojnë një pjesë të mirë të qeverisë. Në Tiranë, Prishtinë dhe në Shkup sidomos tani duhet të ketë një angazhim këmbëngulës për reforma dhe kapjen e trenit të fundit për në Europë. Lojërat e tjera me projekte të mëdha mund të luhen – tani për tani – vetëm me muzikën e shteteve që tradicionalisht kanë synuar t’i shfarosin shqiptarët. Busulla e politikës shqiptare duhet të shërbejë vetëm për të matur këndin e drejtimit perëndimor. Kështu Kosova është pavarësuar dhe Shqipëria është anëtarësuar në NATO – dy arritjet më të mëdha të shqiptarëve në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Dialogplus.ch

SHKARKO APP