E vërteta qëndron vetë në këmbë, qëllimi nuk i justifikon mjetet

Nga Lorenc Vangjeli –

Një vajzë e dhunuar, një dhunues i pandëshkuar, struktura policie që nuk kryejnë detyrën, deputetë të shumicës që bëhen palë me dhunuesin dhe dhunojnë me armë punonjësin e policisë që heton, një polic që pezullohet, një tjetër që i shkruan presidentit, kryeministrit, prokurores së përgjithshme, drejtorit të tij dhe që ikën në arrati për të marë azil politik: denoncimi i Partisë Demokratike i ka brenda të gjithë këto elementë të frikshëm. Eshtë një skenar që nëse do të bëhej film, do të quhej ose i ekzagjeruar, ose pjellë fantazie. Edhe pse shpesh në Shqipëri ka ndodhur që realiteti të jetë më shpesh me barrë edhe se vetë fantazia.

Në fakt, siç u sinjalizua që në fillim dhe siç po dëshmohet ditë pas dite, ky skenar është një përzierje mes të vërtetës dramatike dhe trillimit të pistë, mes nevojës dëshpëruese për ndëshkim të fajtorëve dhe hesapeve meskine dhe amorale të individëve të caktuar, mes plagës së vërtetë të viktimës reale të ngjarjes dhe llogaritarëve të ftohtë e cinikë që kërkojnë të përfitojnë nga bursa e kronikës së zezë. Kështu ka ndodhur gjithmonë kur politika ndërhyn me teknologjinë e manipulimit të së vërtetës, atëherë kur politika dhe krimi kanë më shumë se një bashkëjetesë të çastit.

Deri më tani është provuar dhuna ndaj vajzës Xh. M.

Është provuar kalvari i saj për të bërë kallëzimin dhe tërheqja e tij.

Është provuar se në listën e gjatë të akuzave që duhet të rëndonin mbi dhunuesin e saj, disa prej tyre, akuza publike i ndjek kryesisht. Tërhiqet apo jo denoncimi i viktimës, heqja e paligjshme e lirisë, dhuna seksuale dhe tortura fizike apo dhe armëmbajtja pa leje, janë vepra penale që ligji nuk i le në mëshirë apo në vullnet të individëve. Ato hetohen. Nëse provohet që kanë ndodhur apo jo, kjo është tjetër gjë, por ato nuk kanë nevojë për kallzim. Qoftë dhe ky fakt provon se në trekëndëshin aspak të lavdishëm: oficerë të policisë gjyqësore, prokurorë dhe postë e policisë në Fushë Krujë duhet gjetur së paku një fajtor.

Me të gjitha gjasat, mbi të vërtetën e dhunës, ishte ngritur shpresa e ish-oficerit Nuhu për të siguruar edhe ai pjesën e tij në bursën e vogël të qytetit të vogël. Një burrë që duket se llogariti gjithçka për të pasur pasaportën që i siguron Perëndimin mbi vuajtjen dhe dhunën e një vajze që kishte për detyrë ta mbronte.

Hapat e tij për interes vetjak sa kohë mbante uniformën e shtetit nisin që nga kontakti – rreptësisht i ndaluar – me personin nën hetim e deri tek mundësia e llogaritur për të jetuar jashtë me paratë e azilit politik. Por në të përkundërt, po kaq e vërtetë është se nëse ish-oficeri Nuhu nuk do të kishte bërë denoncimin e tij, më shumë gjasa, pluhuri tradicional që organet ligjzbatuese në Shqipëri hedhin pak nga pak mbi ngjarje të tilla, do të mbulonte dramën e vajzës së dhunuar. Dhe dhunuesi do të ishte sërish në rrugë duke e bërë dhe njëherë si përherë për rahmet pastë, domosdoshmërinë e shpagimit për çdo krim.

 

Edhe deklaratat e njëpasnjëshme të policisë dhe strukturave të saj se pavarësisht tërheqjes së denoncimit të vajzës, hetimet kanë vazhduar, janë vetëm një pjesë e të vërtetës. Dy muaj të gjatë me hetim pa asnjë rezultat konkret, më së paku dëshmojnë mungesë profesionalizmi, por pa munguar vullneti për ta çuar çështjen deri në fund. Edhe topi që I hidhet në prehër prokurorisë për mosveprim – organi zyrtar që drejton hetimin – është sërish loja e zakonshme pa top për të gjetur bashkëfajtorë. Cinikët stoikë dhe filantropët e e harlisur, njëlloj si profetët e rremë, janë njëlloj të dëmshëm në tentativën për drejtësi.

Kaq elementë të provuar e bëjnë këtë histori dramatike. Dhe një fotografi shumë të errët të gjithë shoqërisë shqiptare.

Këtu ndërhyn politika. Basha akuzon Ballën se ka qenë pjesë e kërcënimeve për ta mbyllur ngjarjen. Balla përgjigjet me kallzim për shpifje. Dhe ky epilog bën të harrohet gjithçka ka ndodhur më parë. Dueli mes politikanëve errëson gjithçka tjetër duke harruar thelbin e fenomenit dramatik që u rishfaq këto ditë: një shoqëri me kulturë pandëshkueshmërie, ku humb i dobti dhe fiton gjithmonë më i forti.

Edhe njëherë kësaj here si përherë, qoftë duke gënjyer, qoftë duke u përzjerë, politika rrëmbeu hisen e vet të vëmendjes dhe të rëndësisë. Tani vetëm arkivi do të meret me dramën e vajzës dhe fatin e nesërm të dhunuesit të saj. Edhe arresti i mundshëm i tij do të jetë një psherëtimë lehtësimi për të gjitha palët që do ta heqin nga rruga si peshë të bezdishme. Tani projektorët janë krejt tjetër kund. Janë tek ajo që nga “halli i tij vetjak”, Taulant Balla e konsideron si një pikë kthese historike për mënyrën sesi politika mer përsipër të ngrejë akuza në të nesërmen.

Në një botë të gënjeshtërt si ajo që vizaton ditë mbas dite politika, kjo gjë është një mundësi, është një hap, por jo rruga e vetme dhe fundi i saj. E vërteta qëndron vetë në këmbë. Përpjekjet për ta shoqëruar të vërtetën me hamendje dhe gënjeshtra, në fakt e rrëzojnë atë. Ngjarja e Fushë Krujës është para së gjithash një leksion moral për një shoqëri moralisht të sëmurë. Ajo dramë njerëzore që nisi si kronikë e zezë, po luhet ende si avazi i vjetër i një politike që është tashmë e sëmurë kronike. Që nuk shërohet pa rifituar koordinata evropiane morali. Që nuk kupton se në demokraci, qëllimi nuk i justifikon kurrë mjetet.

Javanews.al

SHKARKO APP