Edi Rama: Ja si më arrestuan në Itali,

Me një italishte të rafinuar diti sesi të ngrejë moralin e një vendi në zi. Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë të vogël por me zemër të madhe, jo vetëm dërgoi një trupë prej 30 mjekësh, por në të njëjtën kohë i riktheu dinjitet kontinentit të vjetër, duke mbushur me shumë kuptim fjalët “memorie” dhe “mirënjohje”.

Dhe nga Italia mike nuk kishte sesi ndaj të tij të mos vërshonte një dallgë dashamirësie, duke qenë se për 2-3 ditë me radhë Edi Raa është “kryefjala” dhe i ftuari special e shumë prej mediave vizive dhe të shkruara në gadishullin Apenin. Për gazetarin Filipo Kontiçelo të prestijiozes “Gazzetta dello Sport”, Edi Rama është një luftëtar.

Këtë kërkonte ta bënte në parketet sportive të Tiranës, kur në rini luante basketboll, por është gjithashtu këmbëngulës si Juventusi, skuadër të cilën e mban jo vetëm me vete në zemër, por edhe në… xhup. Një metaforë futbollistike që shfaqet aty ku më pak e pret, në intrervistën e plotë të dhënë për “Gazzetta dello Sport” në numrin e ditës së martë, datë 31 mars në versionin print.

Kryeministër, si lind ky mision shqiptar për Italinë?

Lind nga një memorie e fortë. Gjenerata ime ka jetuar mbi lëkurë qoftë kohët e shëmtuara të diktaturës, ashtu sikurse ashpërsinë e detit të lirisë, kur dolëm nga bunkeri i komunizmit për të notuar drejt Amerikës sonë, Italisë! Por ndoshta lind edhe nga frika se katenaço europiane që po vërehet ndaj koronavirusit të transformohet në një vetëvrasje kolektive, ndërsa armiku i padukshëm po na bën një presing të paparë ndonjëherë. Të shohësh Italinë të lënë vetëm bëhet çdo ditë e më e turpshme. Çdo anëtar i shtëpisë europiane nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojë i mbyllur në dhomën e tij. Prandaj për mua ishte shumë herë më mirë që të ndiqja këshillën e Nënë Terezës: “Në vend që të mallkojmë errësirën, le të ndezim qiriun tonë”.

E prisnit që vetë drita të ishit ju?

Shkëndijën e parë e mora nga reagimi i ministrit Di Maio, kur ia propozova me strukje idenë time. 30 persona janë vetëm një qiri i cili nuk mund t’i japë ngrohtësi një katedraleje të vuajtur si Italia në të ftohtin e sotëm europian. Por sapo ia thashë idenë time, Luixhi (Di Mario) më tha: “Tallesh! Do të ishte e paharrueshme”. Realisht nuk e prisja këtë mallëngjim, i cili më lumturon aq shumë, por edhe më drithëron.

Por kjo zgjedhje e imja erdhi si rrjedhojë e vuajtjes në vetmi që po përjeton Italia. Ne e bëjmë këtë gjest pikërisht sepse ndoshta jemi të varfër dhe në detin e mesazheve që kam lexuar në italisht, ai që më goditi më shumë ishte i një djali nga jugu:

“Shqipëria më kujtoi babain. Ai më thoshte: mos e harro të varfrin. Në momentin e nevojës do të jenë të vetmit që do të të ndihmojnë.

Ka pasur një kohë kur shqiptari vuante shumë racizmin në Itali…

Shumë e vërtetë, por dilnim nga 50 vite në bunker. Dukej sikur ne dolëm në sipërfaqe nga deti vetëm për të trembur fëmijët. Një herë më kanë arrestuar në Bolonja, pasi u revoltova ndaj një polici, i cili pyeste një grua shtatzënë se çfarë kishte në bark. I afroi qenin dhe ajo, e cila nuk dinte italisht, ra në gjendje të fikëti.

Ne ishim gjyshërit tuaj në Amerikë, ku për të gjithë, ju ishit mafiozë e hajdutë. Kemi vuajtur, po, por dashuria e pakushtëzuar për Italinë na ka ndihmuar që t’i mbijetojmë poshtërimit, për t’jua bërë të njohur më mirë se kush ishim dhe të pranoheshim për atë që ishim.

Si është situata në Shqipëri, gjatë kësaj pandemie?

Luftojmë, si të gjithë. Por të ndërgjegjshëm mbi dobësinë tonë, ishim të parët që vendosëm të parkojmë autobusin përpara portës, siç do të thoshte i madhi Zhoze Murinjo. Fatmirësisht dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu, numrat aktualë të të prekurve deri tani po na japin të drejtë për vendimin e marrë.

Ju citoni Murinjon, por mbani tjetër gjë brenda zemrës suaj, apo jo?

Unë kam qenë juventin që fëmijë. Mbi kokën e krevatit tim ishte fotografia e Dino Xofit. Çdo nate, përpara se të fikja dritën e shihja dhe i kujtoja gjyshes sime se Dino ishte madhështor falë gjyshes së tij që i jepte të hante shumë vezë. Dje, sot e në vazhdim, Xof mbetet lojtari im i preferuar. Por edhe pse juventin, e pranoj njollën time për Zhoze Murinjon. Kur stërviti në Itali, u afeksionova aq shumë ndaj tij, sa festova për të gjitha fitoret e Zhozesë. E di, mund të duket një mëkat vdekjeprurës, por si një lexues i rregullt i “Gazzetta dello Sport” nuk mund ta fsheh.

Çfarë përfaqëson për ju Juventusi?

Shpirtin e grupit që të garanton fitoren, madje duke thyer shpesh edhe parashikimet. Më kanë fotografuar me xhupa të ndryshëm të Juves, por ato janë shumë të bukur. Mbi të gjitha më shkojnë për kohët e vështira si këto. Madje, ia vlen të rrezikoj që të humb edhe ndonjë votues timin interist…

Le ta hapim pak sirtarin tuaj të kujtimeve bardhezi…

Ato jo të bukurat lidhen me dy emra konkretë dhe më vijnë drithërima vetëm për t’u cituar mbiemrat: Rep dhe Magat (ndëshkuesit e Juventusit në finalet e vitit 1973 dhe 1983, respektivisht ndaj Ajaksit dhe Hamburgut, në finalet e Kupës së Kampioneve). Dhe mjaft me kaq sepse nuk dua të flas as për atë tipin e çuditshëm me bilbil në dorë, që arbitronte në Madrid… Ndërsa kujtimet e bukura janë aq të shumta sa më mirë të mos flas dhe mbi të gjitha të mos provokoj lexuesit e shumtë të frontit anti-juventin.

Po nga vizita juaj e kohëve të fundit në “Allianz Stadium” çfarë kujtoni?

Më tepër se një stadium i bukur, ajo që më godet është fakti i të qenit një strofkë mahnitëse që mbështjell shpirtin juventin. Gjithsesi, “Air Albania” ynë është më i bukur dhe nuk është një provokim… Për mua ishte një nder që të takoja presidentin Andrea Anjeli, të cilit i vlerësoj guximin për t’i mbijetuar hijes së rëndë të “Avokatit”.

Fëmijët që i mbijetuan realisht tërmetit iu dhurua të takonin Kristianon dhe Bufonin, dy fëmijë kolosë me një zemër madhështore.

Ju ka bindur deri tani Juventusi i Sarrit?

Ah, nuk dua të them asgjë këtu, pasi Italia ka mjaft njerëz që dinë gjithçka për futbollin, ndonëse nuk e kanë prekur asnjëherë topin. Ne futboll unë shoh fragmente jete, mësoj mënyra të ndryshme për të arritur te fitorja. Për mua, trajnerët e mëdhenj janë mestro të lidershipit, si Murinjo.

Po futbolli në Shqipëri si shkon? Pas shpërthimit të De Biazit keni nisur një cikël të ri me Edi Rejën…

Jam krenar për miqësinë me De Biazin, jo vetëm sepse frymëzoi një komb të tërë, por sepse ka shpirt dhe një inteligjencë mahnitëse. Ndërsa me Edi Rejën më takoi miku i vëllait tim, Igli Tare. Personalisht jam i lumtur që kemi me ne një dhelpër të vjetër, një figurë atërore edhe për futbollistët tanë.

Jo të gjithë e dinë, por basketbolli është sporti i jetës suaj?

Kur luaja isha shumë i gjatë për standartet shqiptare dhe në këtë mënyrë u shndërrova në një pivot shumë të vogël për standartet ndërkombëtare. I kërkova federatës sonë që të bëja përkthyesin për skuadrën e madhe të Skavolinit, e cila na bëri vizitë në Tiranë për eliminatoret e Kupës së Kampioneve. Aty njoha Valerio Biankinin dhe ndihmësin e tij të ri, një Serxho Skariolo. Me “Vate”-n më pas u bëmë miq shumë të mirë dhe e prita që ta vizitonte siç duhej Shqipërinë.

Po NBA-së i hidhni ndonjë sy tashmë?

Që kur i madhi “Air” Xhordan dhe banda e tij e Çikagos nuk janë më, NBA-ja më duket thjesht një paradë yjesh madhështorë, por pa asnjë betejë deri në pikën e fundit të gjakut.

Gjeni shkëndija personale në sporte të tjera?

Unë apasionohem me copa, ose më saktë lidhem me personazhe të ndryshme si për shembull: saga e Italisë së volejbollit të Velaskos; mrekullitë e Zhan Todit dhe Shumakerit; imagjinatën e Kasparovit; hakmarrjet e Federika Pelegrinit; sprintin e pastërtisë etnike të arit olimpik të Majlinda Kelmendit; goditjet dhe rigoditjet pa moshë të Federerit dhe Xhokoviçit, apo edhe të Nadalit së fundmi; por edhe luftën ekzemplare jashtë fushe të Sinisha Mihajloviçit. Këto janë mrekullira që vetëm sporti mund t’ia dhurojë zemrës dhe mendjes.

Përktheu:Jeton Stamolla – PANORAMASPORT.AL

SHKARKO APP