
Nga Lorenc Vangjeli
Ky është portreti politik i Edi Ramës dhe i një trajektoreje të pazakontë: nga sporti dhe arti, te politika dhe drejtimi i vendit. Është historia e një figure që në fillimet e pluralizmit u perceptua si rebel, antikonformist dhe kundërshtar i sistemit të vjetër, për të përfunduar dekada më pas si njeriu që ka përqendruar rreth vetes një pjesë të madhe të pushtetit politik në Shqipëri.
Rama fitoi fillimisht vëmendjen publike përmes stilit të tij polemik dhe publicistik. Më pas hyri në politikë pothuaj rastësisht, por në një moment që përkonte me një ambicie të hershme personale. Gjatë rrugëtimit të tij ai arriti të manovrojë mes Fatos Nanos, Ilir Metës, Pandeli Majkos dhe Sali Berishës, duke krijuar me secilin raporte të ndryshme politike dhe personale.
Ai arriti më pas atë që asnjë kryeministër shqiptar i periudhës pluraliste nuk e kishte realizuar më parë: katër mandate qeverisëse radhazi. Sot, megjithatë, ndodhet përballë protestuesve që kërkojnë largimin e tij.
Historia politike e Ramës ndërthuret me tiparet e një personaliteti kontravers, me një besim të jashtëzakonshëm te vetja dhe te roli i tij në drejtimin e vendit. Kritikët e tij e përshkruajnë si një lider të prirur drejt narcizizmit politik, makiavelizmit dhe populizmit, ndërsa mbështetësit kanë parë tek ai për vite me radhë figurën e politikanit modernizues dhe të aftë të imponojë një vizion.
Në ditët e vështira di të shfaqet modest dhe i përmbajtur; në momentet e forcës politike, kritikët e tij e kanë akuzuar shpesh për arrogancë dhe përçmim ndaj kundërshtarëve.
Kjo është historia e njeriut që e personalizoi Partinë Socialiste, transformoi mënyrën e funksionimit të saj dhe krijoi një sistem ku vendimmarrja politike lidhet gjithnjë e më shumë me figurën e liderit. Por është edhe historia e një pushteti që sot përballet me pakënaqësinë që vetë modeli i tij ka prodhuar.
I – Si nisi gjithçka?
Dëshmitë e para për interesin e Edi Ramës ndaj pushtetit shkojnë në fundin e viteve ’80. Ish-kolegë të tij universitarë kanë kujtuar batuta të asaj kohe, kur Rama shprehej se një ditë mund të bëhej president i Republikës.
Do t’i duheshin rreth dhjetë vjet për të hyrë realisht në korridoret e pushtetit.
Në një klasë politike të dalë me shpejtësi nga fundi i komunizmit, Rama ishte krejtësisht atipik. Për nga veshja, mënyra e të folurit dhe sjellja publike, ai dallohej dukshëm nga politikanët e parë të tranzicionit.
Mundësia e parë serioze iu dha kur hyri në qeveri si ministër i Kulturës. Edhe pse posti nuk ishte ndër më të fuqishmit politikisht, Rama arriti ta kthente atë në skenën e parë ku ndërtoi profilin e tij publik.
Më pas erdhi Bashkia e Tiranës, kontrolli mbi Partinë Socialiste dhe, në fund, qeverisja.
Në dhjetor 1990, Rama kishte qenë pranë lëvizjes studentore dhe kishte tentuar të luante një rol më të madh në të. Por në atë hapësirë po ngrihej një tjetër figurë me ambicie të jashtëzakonshme politike: Sali Berisha.
Mes tyre do të lindte më vonë rivaliteti politik që shënjoi një pjesë të mirë të tranzicionit shqiptar.
Ekzistojnë edhe regjistrime të fillimit të viteve ’90, ku Rama dëgjohet duke folur qartësisht për nevojën e rrëzimit politik të sistemit komunist dhe marrjen e pushtetit prej forcave të reja. Në krahasim me retorikën më emocionale të protagonistëve të tjerë të kohës, Rama shfaqej më konkret në mënyrën se si e shihte betejën politike.
II – Ftesa për të hyrë në politikë
Ftesa vendimtare erdhi nga Fatos Nano.
Nano e përfshiu Ramën në qeverinë socialiste, ndoshta duke menduar se po sillte në kabinet një figurë publike energjike, e aftë për t’u përballur me Berishën në terrenin mediatik dhe politik.
Por dhurata më e madhe politike për Ramën do të vinte nga Ilir Meta.
Ishte Meta ai që e mbështeti për kandidaturën në Bashkinë e Tiranës, duke vënë në dispozicion të tij strukturën elektorale të Partisë Socialiste.
Fitorja në Tiranë e transformoi Ramën.
Për herë të parë ai kishte në dorë një pushtet të madh ekzekutiv dhe një tribunë të përditshme publike.
E përdori këtë pozicion për të manovruar mes dy poleve kryesore të socialistëve, Nanos dhe Metës, por edhe për të krijuar rreth vetes një grup gjithnjë e më të madh mbështetësish.
Rama kuptoi shumë herët rëndësinë e medias. Ndërtoi marrëdhënie të forta me pronarë televizionesh, botues dhe gazetarë. Për një pjesë të medias së viteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000, ai përfaqësonte një figurë ndryshe nga politikanët tradicionalë.
Vetë Rama vinte nga publicistika dhe polemika.
Stili i tij ishte agresiv, ironik, shpesh provokues, por pikërisht për këtë arsye tërhiqte vëmendje.
Shumë prej gazetarëve që dikur e shihnin si një figurë të afërt me botën e tyre, vite më vonë do të bëheshin ndër kritikët më të fortë të tij.
Në atë kohë, Rama nisi të perceptohej edhe si figura e vetme e së majtës që mund të rivalizonte realisht Sali Berishën.
Berisha, edhe pas humbjes së pushtetit në vitin 1997, vazhdonte të dominonte emocionalisht skenën politike shqiptare. Për socialistët ishte njëkohësisht kundërshtari më i madh dhe faktori që i mbante të bashkuar.
Në këtë klimë, Rama ndërtoi gradualisht edhe një qendër ekonomike e politike rreth Bashkisë së Tiranës, sidomos përmes zhvillimit urban dhe industrisë së ndërtimit.
Kritikët e tij kanë ngritur prej vitesh akuza për afrimin me interesa të fuqishme ekonomike dhe individë me të kaluar problematike, akuza që kanë qenë pjesë e debatit publik gjatë gjithë karrierës së tij.
Një tjetër çështje e diskutuar është marrëdhënia e Ramës dhe e një pjese të brezit të politikanëve të afërt me të me Fondacionin Soros. Shumë figura që më vonë hynë në administratë ose në politikë kishin kaluar më parë në organizata të shoqërisë civile të lidhura me këtë fondacion.
III – Pushteti mbi partinë
Pasi kishte kaluar vite duke manovruar mes Metës dhe Nanos, Rama sfidoi Fatos Nanon në Kongresin e Partisë Socialiste të vitit 2003.
E humbi betejën. Por humbja nuk ishte përfundimtare.
Ajo e vendosi emrin e tij për herë të parë qartësisht në pozicionin e alternativës së ardhshme për drejtimin e së majtës.
Në atë fazë, Rama kishte interes që Partia Socialiste të hynte në një krizë të brendshme dhe që lidershipi ekzistues të dobësohej.
Humbja e zgjedhjeve të vitit 2005 krijoi pikërisht këtë terren.
Fatos Nano u largua dhe Rama u shfaq praktikisht si kandidati i vetëm me peshë të mjaftueshme për të marrë drejtimin e partisë.
Socialistëve të tronditur nga rikthimi i Berishës në pushtet, Rama u premtoi rikthim të shpejtë.
Ai e kishte kuptuar se rruga drejt Kryeministrisë kalonte fillimisht nga kontrolli i plotë i partisë.
Për katër vjet, deri në zgjedhjet e vitit 2009, iu desh të bashkëjetonte me një grup parlamentar të ndërtuar kryesisht nga Fatos Nano dhe strukturat e vjetra socialiste. Pastaj erdhi viti 2008.
Marrëveshja Rama-Berisha për ndryshimet kushtetuese transformoi sistemin politik shqiptar.
Ndryshimet forcuan pushtetin e kryetarëve të partive mbi listat e kandidatëve dhe, për pasojë, mbi grupet parlamentare.
Në praktikë, dy liderët kryesorë morën një kontroll shumë më të madh mbi partitë e tyre.
Shqipëria po hynte në një model politik ku gjithnjë e më shumë gjithçka kalonte përmes liderit.
Zgjedhjet e vitit 2009 u humbën nga Rama, por ai fitoi diçka tjetër: një grup parlamentar të strukturuar kryesisht nga njerëz të zgjedhur nën drejtimin e tij.
Kalimi i Ilir Metës në koalicion me Sali Berishën e bëri edhe më të lehtë konsolidimin e Ramës në PS.
Partia kishte humbur zgjedhjet, por Rama kishte fituar kontrollin mbi të.
IV – I gjithë pushteti
Në vitin 2013 Rama u rikthye në aleancë me Ilir Metën.
Koalicioni PS-LSI e solli në pushtet, por bashkëqeverisja nuk ishte destinacioni përfundimtar.
Synimi politik i Ramës ishte një mazhorancë që nuk kishte më nevojë nga një aleat vendimtar.
Kjo ndodhi në vitin 2017.
Dobësitë e opozitës, konfliktet e brendshme, gabimet politike të Lulzim Bashës dhe raportet e komplikuara me Ilir Metën ndihmuan Ramën të fitonte i vetëm shumicën.
Në terminologjinë e vetë Ramës, ai mori “tepsinë dhe timonin”. Pas zgjedhjeve të vitit 2017, modeli i tij politik ndryshoi ndjeshëm.
Opozita u dobësua më tej nga vendimet e saj të gabuara, veçanërisht djegia e mandateve parlamentare dhe bojkoti i zgjedhjeve vendore.
Në mungesë të një kundërpeshe të fortë politike, Rama arriti të konsolidonte kontrollin mbi Partinë Socialiste dhe mbi institucionet e drejtuara nga mazhoranca.
Nga ky oment, karriera politike e shumë njerëzve brenda PS-së filloi të varej gjithnjë e më shumë nga vendimi personal i kryetarit.
Ministra, deputetë, drejtues lokalë dhe zyrtarë të administratës shihnin tek Rama burimin kryesor të promovimit ose largimit të tyre.
Në të njëjtën kohë, sipas kritikëve, kriteri i besnikërisë ndaj liderit filloi të peshojë gjithnjë e më shumë përballë meritës ose autonomisë politike.
Në vitet 2018-2019, pas protestave studentore, Rama largoi nga qeveria disa prej figurave me profil politik tradicional dhe i zëvendësoi me emra më teknikë dhe më pak të fuqishëm politikisht. Ky proces dobësoi edhe më shumë peshën e strukturave tradicionale të Partisë Socialiste.
Gradualisht, “Rilindja” u shndërrua nga një platformë brenda PS-së në identitetin kryesor të pushtetit.
Një nga paradokset e këtij sistemi është se shumë prej atyre që u promovuan drejtpërdrejt nga Rama mund të kenë sot interesin politik për t’u distancuar prej tij në momentin kur perceptojnë dobësimin e pushtetit.
Njerëzit që dikur e shihnin afërsinë me liderin si mënyrën më të shpejtë për t’u ngritur, mund ta shohin të njëjtën afërsi si barrë në një moment krize.
Paralelisht, gjatë qeverisjes së gjatë të Ramës u rrit ndjeshëm edhe pesha e një grupi të kufizuar kompanish të mëdha në ekonominë shqiptare.
Kjo solli vazhdimisht debat mbi përqendrimin ekonomik, koncesionet, partneritetet publike-private dhe marrëdhënien mes pushtetit politik dhe biznesit.
Kritikët e qeverisë e kanë përshkruar këtë si një model ku pushteti politik dhe interesat ekonomike janë bërë gjithnjë e më të ndërvarura.
Me kalimin e viteve, personalizimi i pushtetit, centralizimi i vendimmarrjes dhe komunikimi gjithnjë e më shumë i kontrolluar nga vetë kryeministri krijuan një model politik të ndërtuar rreth një figure të vetme.
Rama përdori gjithnjë e më shumë monologun publik, komunikimin direkt dhe rrjetet sociale, duke anashkaluar shpesh format tradicionale të debatit politik. Pikërisht këtu qëndron edhe paradoksi i pushtetit të tij.
Sa më shumë pushtet grumbullohet rreth një personi, aq më pak mundësi ka ai për ta ndarë përgjegjësinë kur sistemi hyn në krizë.
Në këtë kuptim, forca e jashtëzakonshme politike e Ramës mund të jetë edhe dobësia e tij më e madhe.
Kur pothuaj çdo sukses i atribuohet liderit, çdo dështim përfundon gjithashtu në adresën e tij.
Edhe shpallja “non grata” e Sali Berishës, që në një moment dukej se do ta dobësonte përfundimisht opozitën, nuk e çliroi Ramën nga presioni politik.
Përkundrazi, pas më shumë se një dekade në pushtet, konsumimi i qeverisjes është bërë një faktor më vete.
I mbështetur fort te sondazhet, komunikimi digjital, teknologjia dhe së fundmi edhe inteligjenca artificiale, Rama rrezikon gjithnjë e më shumë ta shohë realitetin përmes filtrave të njerëzve dhe sistemeve që e rrethojnë.
Por Shqipëria reale mund të jetë shumë më e komplikuar se Shqipëria që shfaqet në ekranet televizive, në sondazhe apo në sallonet ndërkombëtare.
Dhe pikërisht aty qëndron dilema e fazës së fundit të pushtetit të tij: lideri që për vite me radhë ndërtoi një sistem rreth vetes, tani duhet të përballet pothuaj i vetëm me pasojat e atij sistemi.
