Edmond Budina: Na sfilite e na çkëthe, o Salep Sulltani ynë

Nga EDMOND BUDINA –

Nuk na mjaftoi e keqja, që na ka rënë mbi kokë me Coronavirusin, po na duhej edhe Salep Sulltani ynë, që si asnjë lider politik mbi glob, nuk na çkolitet pe ekrani. Na hiqet si i dhemsur, që na do të mirën, që na mëson të lahemi, të sillemi, të… e sa e sa të tjera dhe mos dëgjojmë çpifjet e armiqve të popullit, por veç broçkullat e tija.

Bëj, o katran me bojë, punën tënde, sillu si kreu (nuk po them rradakja) i qeverisë. Sado mirë t’i ujdisësh llafet, asnjëherë nuk do t’i arrish ata, që e kanë mjeshtëri. Do të mbetesh përherë një kallajxhi, që kallais tenxherkat, kusitë e tepsitë pe bakri, të cilat, po nuk i bëre si duhet – se duan mjeshtëri ato punë – do t’u dalë helmi shpejt a vonë. Leri të flasin mjekët, doktorët e profesorët. Pse të pimë ujë pe lumi, kur mund të pimë ne burimi?

Na mollois orë të tëra e na fanepset me ato mustaqka e mjekër të shpupurisur (sikut të kish fjetur në kotec të pulave), si Osama – atje i qoftë! Ai dërgonte mesazhe përherë para ndonjë shkëmbi a guri për të mos u zbuluar. Rrofshin ato pula, që kakarisnin në sfond, të cilat na kujtuan, se qe në sarajet e tija pe Betoni, të bëra me lekat në emigracion!!!

M’u desh të bëja një telefonatë dhe zëri i Atij, si zbritur pe qielli, më kalli datën, se mendova, që i kisha rënë gabim. E mbylla dhe i rashë përsëri, po ç’ne, qe gjene AY. Kuptova, se Salep Sulltani ynë nuk na qenkësh i dërguari i Allahut mbi tokë, por AY dora vetë, që i binte në një vërë: “Lani duart…” Ujë, or ujë, nuku kemi! Gjënë e parë në këta gjashtë vjet, ujin të na kishit sjellë, pastaj të na çukullitnit orë e orë të tëra për gjithëdituritë tuaja mburravece të politikave globale, agjërimit e… deri te seksi i mizave.

Realiteti ynë i këtyre kohëve i ngjason kaq shumë atij Oruellian, që na trallis mendjet me propagandën e Ministrive të Llapaqenllëkut, Dashurisë, Paqes, Bollëkut. Me Parlamentin e Zoçkave e Lepurushkave të tredhur, me Psikopolicinë. Me parullat:

LUFTA ËSHTË PAQE.

LIRIA ËSHTË SKLLAVËRI.

INJORANCA ËSHTË FORCË.

SHKARKO APP