Është më mirë të heqim Kryeministrin, se sa të vriten njerëz

Nga Çlirim Gjata

Në vitet e fundit prokuroria jonë ka hapur shumë çështje penale për shpërdorim detyre për zyrtarë të ndryshëm. Mjaft prej tyre kanë rezultuar fiasko edhe për shkak se janë hapur për interesa politike, madje deri edhe nga nderhyrjet e këtij Kryeministri.
Gjithsesi ajo vuri standartin penal, që kur një punonjës poshtë në herarki, kryen një vepër penale, përgjegjsi mbajnë edhe drejtuesit lart për shpërdorim detyre, që s`e kanë ndjekur si duhet problematikën. Mbeten të famshme rastet kur janë dënuar, ose kanë rezultuar flluskë sapuni në ngarkim të personaliteteve.
Në rastin e vrasjes së të riut Klodian Rasha nga punonjësi i policisë, prokuroria përveç akuzës së ngritur ndaj vrasësit duhet të ecë sipas standartit të veprës penale të shpërdorimit të detyrës nga drejtuesit e policisë së shtetit. Kjo për faktin se policia e shtetit është organ i centralizuar ushtarak, e cila vepron në mënyrë të rreptë jo vetëm me ligj, por edhe me urdhëra direkte. P.sh., nëse është e vërtetë, se polici që qëlloi të riun ishte rekrutuar në forcën policore “Shqiponja” pa bërë tre vite përvojë, atëherë këtu kemi shpërdorim të pastër detyre nga ata që e kanë rekrutuar.
Prandaj prokuroria duhet të marrë në ndjekje penale dhe ta pezullojë nga detyra Ardi Veliun të parin, për shpërdorim detyre. Ai si drejtor i përgjthshëm mban përgjegjsi administrative dhe penale, për elementët që janë inkorporuar në radhët e policisë. Elementë të paaftë, pa shkollimin profesional përkatës, të patrajnuar, militantë në shërbim të mazhorancës politike, elemntë kriminal, jashtë kritereve ligjore (duhet ta themi se Ardi Veliu vetë është drejtor jashtë kritereve), etj. Ai mban përgjegjsi dhe për deklaratat manipulative të policisë ditën e ngjarjes.
Sa kontrolle dhe masa ka ndërmarrë Ardi Veliu për eleminimin dhe parandalimin e këtyre shkeljeve në radhët e policisë?? Por mbi të gjitha, Ardi Veliu duhet marrë në ndjekje penale dhe ta pezullohet urgjent nga detyra për shkakun madhor, atë të induktimit të dhunës në radhët e policisë së shtetit kundër qytetarëve. Sepse nuk mund të ushtrosh këtë dhunë me policë të shkolluar e profesionistë. Për këtë lloj policie duhen pikërisht ata elementë, që i cekëm më lart. Prandaj dhe kjo dhunë kulmoi me vrasjen e të riut 25-vjeçar, “bigari hak”.
Gjithashtu për shpërdorim detyre duhen ndjekur penalisht edhe përfaqsues të niveleve më të ulta në herarki të policisë. A mban dikush përgjegjsi në drejtorinë e Tiranës për gjithë sa ndodhi në raport me ato elementë, që përmenden më lart, si për drejtorin e përgjthshëm?? Po për faktin se, policët ishin pa kamera trupore, kush përgjigjet? Dhe është pikërisht mungesa e këtij elementi, që i dha mundësi policisë të manipulojë me deklaratat. E nëse do të kishim një pasojë më të leht, përsëri duhet mbajtur përgjegjsi administrative. E jo më në këtë rast që kemi të bëjmë më vrasje. Përgjegjsia është penale: Shpërdorim i pastër detyre.
Po për sa i takon deklaratve të policisë ditën e gjarjes, që janë një skandal më vehte, a ka elementë të veprës penale dhe jo vetëm të shpërdorimit të detyrës?? Vetëm atë ditë u janë shpërndarë shtypit tre deklara kontradiktore dhe të rrejshme në lidhje me ngjarjen. Atje manipulohej biografia e djalit të vrarë, sikur kishte qenë i dënuar, një gënjeshtër e tmerrshme kjo; flitej për një pistoletë të hedhur diku, aludim për të nxjerrë të larë policin që qëlloi; u inskenua në këto deklarata edhe një sulm nga ana e viktimës për ta justifikuar vrasjen në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme. E pra, dikush duhet të përgjigjet për deklaratat, pasi nuk janë hartuar kot, por pikërisht për të manipuluar ngjarjen.
Gjithashtu në kushtet e shpërdorimit të detyrës është edhe ai, që e përcaktoi veprën penale si kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme. Mbrojtje të nevojshme kemi kur ka sulm për jetën dhe për tu mbrojtur kundërvepron dhe madje, mund ta kapërcesh kufirin e mbrojtjes pa dashur. Pra ndodh aty për aty, në përleshje e sipër. Si mund të konsiderohet mbrojtje e nevojshme në kapërcim, kur viktima është vrarë më plumb pas shpine shumë metra larg duke ikur me vrap?? S`ka nevojë të jesh profesionist për ta kuptuar këtë.
Prokuroria e ndryshoi kualifikimin nga kapercim… në vrasje me dashje edhe për një shkak: nuk kishte nga levizte, sepse provat u bënë evidente. Dhe më mirë të shpëtonte fytyrën e vet, se atë të policisë. Protestat dhanë rezultat. Mirëpo, në këto kushte, kur kemi të bëjmë me vrasje me dashje dhe jo “aksidentale”, prokuroria nuk ka si mbulon shpërdorimin e detyrës dhe tentativat e njëpasnjëshme për manipulimin e ngjarjes. Polici ka vrarë, shefat e tij e çuan deri aty.
Pra vetëm nga një vështrim i përgjithshëm, pa u detajuar shumë dhe na dalin pa fund elementë të shpërdorimit të detyrës dhe manipulimit në të gjitha hallkat drejtuese të policisë së shtetit, ku prin, kuptohet, drejtori i përgjithshëm. Dhe këtu po flasim vetëm për ngjarjen e rëndë të vrasjes së djalit, nuk po shtyhemi në ato të protestave, që janë një libër më vehte shpërdorimesh.
Prandaj, nëse në raste të tjera, prokuroria u tregua mjaft e zellshme në arrestime, sepse ashtu ja kërkoi Kryeministri, në rastin e tanishëm, prokuroria nuk vepron ndaj Ardi Veliut, sepse kështu ja kërkon Kryeministri.
E deri kur vazhdon kjo?? Deri sa të vritet një tjetër?? Mendoj se, është më mirë të heqim Kryeministrin, se sa të vriten njerëz.

SHKARKO APP