Fatos Lubonja: Për partinë e njerëzve të “Astirit”
Nga Fatos Lubonja
Fakti që qeveria, Policia, drejtësia, mediat më të rëndësishme, janë bërë palë me disa pak oligarkë e banditë kundër shumicës së shqiptarëve, kjo është e qartë tashmë kudo, por tek “Astiri” ky fakt ka kohë që ulëret në mënyrë të veçantë. Mjaft të kujtojmë që Prokuroria nuk ka hetuar aspak për planin e grabitjes së 20 milionë eurove me falsifikim dokumentesh te projekti “Astiri”, apo për shkeljet ligjore në projektin e shkatërrimit të pronave të banorëve, ndërkohë që ka goditur vazhdimisht protestuesit me arrestime.
Por, dhuna që u ushtrua para dy ditësh në prishjen e shtëpive të banorëve të “Astirit”, duke shkelur, e përsëris, ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare, na tregoi, si kurrë herë tjetër, dhëmbët e një regjimi që po fashistizohet dita-ditës. Ajo na paralajmëroi se ose frymëzuesit dhe bashkëpunëtorët e këtij regjimi duhet të ndëshkohen sa më parë, jo vetëm politikisht e moralisht, por edhe ligjërisht, ose dëmet e pariparueshme që po i bëjnë këtij vendi do të rriten në mënyrë dramatike sipas thënies “krimi ndjell krimin”. Por që ndëshkimi të bëhet i mundur, situata e krijuar meriton të analizohet thellë, për të diagnostikuar sëmundjen që ka kapluar vendin dhe për të gjetur rrugët e shpëtimit.
* * *
Diagnostikimi duhet të fillojë me pyetjen: si ka mundësi që interesat e dy-tre njerëzve tek “Astiri” rezultuakan më të forta sesa interesat e mijëra njerëzve, edhe kur këta të fundit kanë ligjin me vete? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet shtruar një pyetje tjetër: a kanë njerëzit e “Astirit” një parti që t’i përfaqësojë e mbrojë realisht? Unë them se jo dhe se ky është shkaku më i thellë se pse po ndodh ky fashistizim i vendit. PD, LSI dhe partitë më të vogla opozitare rreth tyre, sot, po përpiqen të frenojnë politikat e Edi Ramës, që po i heq sistemit edhe maskën e fundit demokratike, por, siç e tregoi edhe dhuna tek “Astiri”, kaq nuk mjafton për të ndaluar fashistizimin e vendit.
E vërteta e hidhur është se asnjëherë këto parti nuk kanë pasur në vizionin dhe programin e tyre përfaqësimin e interesave të shtresave më të pambrojtura të shoqërisë. E vërteta edhe më e hidhur është se, kur kanë qenë në pushtet, këto parti kanë përfaqësuar interesat e së njëjtës pakicë, që sot, së bashku me Ramën, Policinë, drejtësinë dhe shumicën e mediave, po lufton njerëzit e “Astirit”. Kujtoj se një nga oligarkët protagonistë të korrupsionit, nga i cili nisi edhe projekti “Astiri”, ishte Bashkim Ulaj, që është një nga katër oligarkët kryesorë, që Rama, kur iu desh t’u përgjigjej akuzave të opozitës për bashkëpunim me oligarkinë kundër njerëzve, e përmendi si një nga ish-mbështetësit kryesorë të PD-së, së bashku me Kastratin, Manen dhe Gecin.
E pra, në një vend ku partitë e ndryshme përfaqësojnë shtresa të ndryshme socialekonomike -mos të harrojmë se edhe vetë fjala parti ka kuptimin pjesë – njerëzit e “Astirit” do të duhej të përfaqësoheshin nga një parti e majtë, siç vetëquhet PS-ja. Mirëpo, duke pasur parasysh faktin se të katër oligarkët e përmendur nga Rama janë sot shtylla të pushtetit të tij, është e qartë se nuk ka asnjë shans ta shohim ndonjëherë Edi Ramën dhe rilindësit e tij në anën e barrikadës ku janë njerëzit e “Astirit”. Problemi është se ajo që ndodhi tek “Astiri”, pardje, tregoi se vështirë se do të shohim në atë anë.
Barrikade edhe opozitën. E them këtë, pasi për mua, si reagim ndaj asaj që ndodhi, nuk mjaftonte kurrsesi prania apo sakrifikimi i deputetit të PD-së, Balliu, apo vizitat në spital të Bashës te të plagosurit nga Policia. Atje do të duhej të ishte partia që mungon e njerëzve të “Astirit” me të gjithë militantët e saj, për të mbrojtur, nëpërmjet atij rasti, një kauzë kombëtare, për t’i thënë jo fashistizimit të mëtejshëm të vendit.
* * *
E vërteta e hidhur është se banorët e “Astirit” dhe, më në përgjithësi, pjesa më e brishtë e shoqërisë, ku mund të fusim edhe tregtarët e vegjël, nuk përfaqësohen nga ndonjë parti politike ekzistuese. Shkaku i këtij mospërfaqësimi është një fenomen jo vetëm shqiptar, por, që në vende si Shqipëria po shfaqet në mënyrën e tij më të egër. Sikurse e kam shpjeguar edhe më herët, ky është një kapitalizëm ku po shuhet kundërvënia midis partive e organizatave të borgjezisë dhe partive e organizatave të proletariatit që, duke u ndeshur dhe dialoguar, kanë bërë që, deri në vitet ‘90, të ketë në Perëndim arritje sociale të rëndësishme. Kapitalizmi i sotëm, produkt i neoliberizmit dhe globalizmit, është ai në të cilin më një anë kemi një pakicë që pasurohen, dhe, më anën tjetër, shumicën e kthyer në atome pa përkatësi dhe pa përfaqësim.
Problemi i të pasurve postborgjezë sot është se ndryshe nga borgjezia në shekullin XIX-XX, u mungon gjithnjë e më shumë një ndjenjë përkatësie dhe vlerash të saj, si edhe ajo që Hegeli e quante “vetëdija e palumtur” (pjesa e vetëdijes që e çon njeriun drejt Zotit, idealeve, vlerave që e kapërcejnë personalen, materialen, të përkohshmen) e që i ka çuar borgjezë si Marksi, Engelsi e shumë e shumë intelektualët të shquar perëndimorë në krah të lëvizjeve socialiste. Problemi i të atomizuarve është se nuk po gjejnë dot ende alternativën për të dalë nga kjo gjendje, por se gjithsesi janë në kërkim të ethshëm të saj dhe kriza që po përjetojnë partitë e majta dhe të djathta liberiste në Europë, e provon këtë.
Problemi shqiptar është se ne i kemi dhënë këtij lloj kapitalizmi trajtën më të shëmtuar dhe të egër, atë fashistoide. Një nga arsyet kryesore pse ka ndodhur kjo është se, ndryshe nga në Perëndim, ne kemi kaluar direkt nga kapitalizmi i djeshëm shtetëror: ku një organizatë banditësh, e quajtur Partia e Punës, i ktheu njerëzit në argatë për epshe pushteti e privilegjesh në këtë kapitalizëm të egër ku Kryeministri “socialist” nuk ngurron t’u thotë kapitalistëve perëndimorë, (që në frymën e globalizmit e neoliberizmit dominant nuk e kanë më problem të lenë pa punë bashkëkombësit e tyre), të vijnë në Shqipëri, sepse këtu nuk do të bezdisen aspak nga organizata të tilla si sindikatat (sigurisht, aq më pak nga ndonjë Parti Socialiste, sepse atë e ka kapur vetë në dorë së bashku me oligarkët dhe kriminelët e tij).
Pra, sipas fenomenit të ekstremeve që puqen: ne sot jemi katandisur në një situatë ku ashtu si partia e nomenklaturës së djeshme, edhe partia e oligarkëve të sotëm, kontrollon thuajse krejt ekonominë (në këtë rast edhe atë kriminale të trafiqeve të drogës), kontrollon plotësisht Policinë, kontrollon plotësisht drejtësinë, kontrollon thuajse krejtësisht mediat, ka nxjerrë jashtë tepsisë partitë e tjera rivale në përfaqësimin e oligarkëve dhe pretendon të përfaqësojë edhe të shtypurit prej tyre me kusht që të ulin kokën, se përndryshe i gjen ajo që i gjeti astirasit. Ja, kjo e shpjegon dhunën fashistoide që pamë tek “Astiri”.
* * *
Që të ndryshojë kjo situatë, duhet parë në sy fakti se nëse njerëzit e “Astirit” do të merrnin sot lekët e kompensimit që kërkojnë, do të shpërndaheshin, si atome që janë, për të banuar nëpër pika të ndryshme të Tiranës, pa menduar më gjatë se ka diçka që nuk shkon në këtë sistem, icili i ka sjellë në këtë gjendje e që mund të përsëritet në forma të tjera ndaj tyre. E njëjta gjë mund të thuhet për banorët e Kukësit, që pasi fituan një betejë me shtetin e Kastratit, u kthyen në jetën e tyre prej atomesh të pambrojtura, pa reflektuar asnjë çast se shteti i Kastratit do t’ua marrë ndryshe ato lekë që kursyen. Edhe atje, po të kujtojmë mirë, ishin njerëzit e pakënaqur, që me protestat e tyre të dhunshme, ndaluan zhvatjen e tyre, kurse PD u dha një mbështetje të vakët, që shpjegohet pa dyshim edhe me atë se, në pushtet ka qenë partia e oligarkëve, e cila i ka rrëmbyer ujin shumicës për t’ua dhënë oligarkëve që ta çojnë në hidrocentralet e tyre.
SI PËRFUNDIM
Fashistizimin e vendit deri në këtë shkallë nuk duhet ta shohim si diçka që na erdhi si rrufeja në qiell të kaltër. As si rezultat i psikopatisë dhe narcizizmit malinj të një personi si Rama. Sëmundja e tij do të kishte mbetur rrezik vetëm për të sikur të mos ushqehej nga sëmundja politike ekonomike-kulturore që ka kapluar vendin. Ai erdhi sepse njerëzit e “Astirit” protestojnë sot pa një vetëdije përkatësie dhe pa një parti politike apo lëvizje në nivel kombëtar, që t’u afrohet atyre për t’i vetëdijesuar dhe organizuar rreth një vizioni tjetër për të ardhmen e tyre e të vendit. Sikur PDja, LSI-ja e partitë e tjera të kishin qenë vërtet parti përfaqësuese të njerëzve të thjeshtë e të kishin punuar për ta, Edi Ramës dhe banditëve e shërbëtorëve të tij as do t’u shkonte ndërmend të bënte atë që bëri tek “Astiri”, sepse përndryshe dy kilometrat rrugë tek “Astiri” do të ishin kthyer në një fushëbetejë, nga e cila Policia e oligarkëve do të ishte tërhequr me turp dhe qeveria do të kishte rënë, në mos arratisur nga vendi. Puna është se si PS-ja, PD-ja edhe LSI-ja apo ndonjë parti tjetër më e vogël i kanë përdorur këta njerëz thjesht si mish për top kundër njëra-tjetrës, duke i tradhtuar sapo kanë ardhur në pushtet. Mjafton të kemi parasysh se ai që po u prish sot shtëpitë, kur mori pushtetin në 2013, u thoshte se jo vetëm nuk do t’i prishte, por do t’i legalizonte që ato t’i përdornin si kapitale hipotekare për të kërkuar hua zhvillimore nëpër banka.
E pra, nëse lufta midis partive të oligarkëve ka rritur sot në finish, është koha të fillojë lufta kundër partisë fashistoide të oligarkëve me partinë apo lëvizjen e shqiptarëve të nëpërkëmbur dhe poshtëruarve prej tyre. Me këtë nuk dua të them se PD-ja apo LSI-ja duhet të reshtin së ekzistuari apo që nuk duhet të vazhdojnë luftën e tyre, aq më tepër pasi shpresoj se përvoja e hidhur e këtyre kohëve të fundit mund t’u ketë dhënë mësime të vyera për vetëkorrigjim. Por, meqenëse tashmë duket sheshit se ato nuk mund të kapërcejnë limitet që u ka vënë një histori e gjatë, e cila i ka ndarë nga njerëzit e nëpërkëmbur të këtij vendi, them se ka ardhur koha që jo vetëm të vetëkorrigjohen e t’i bëjnë thirrje për vetëkorrigjim pjesës më të vetëdijshme të oligarkëve, duke u distancuar nga ky regjim fashistoid, por edhe t’i hapin rrugën e krijimit (e të bashkëpunojnë nesër) partisë së njerëzve të “Astirit”, për njerëzit e “Astirit” në të gjithë Shqipërinë.