Fatos Lubonja: Qeveria e Ramës, edhe më e korruptuar se e Berishës
Fatos Lubonja mendon se qeveria e drejtuar nga Edi Rama, është edhe më e korruptuar se ajo e Berishës.
Sipas tij, tashmë po asistojmë në funeralin e saj.
“Kjo Rilindje erdhi me gjoja premtimin e një terapie të re, por mënyra se si po sillet dhe po qeveris jo vetëm i ngjan si dy pika uji asaj të paraardhësve, për sa i përket ruajtjes së një sistemi të kapur nga krimi, të korruptuar, klientelar dhe jodemokratik, ku shumica e njerëzve punon për një grusht mashtruesish dhe abuzuesish me shtetin, por, në disa aspekte, duket se e ka thelluar këtë prirje.
Kjo e ka vrarë shpresën përfundimisht dhe ne po asistojmë në funeralin e saj.
Karvani i funeralit të shpresës së fundi po shfaqet si një karvan refugjatësh që ikin jashtë shtetit”, shkruan Lubonja për “Panorama”.
Lubonja ka komentuar edhe shkrimin e pak ditëve më parë të Blushit, për funeralin e “Rilindjes”.
Sipas Lubonjës, në fakt nuk po përjetojmë funeralin e “Rilindjes”, por funeralin e shpresës që lindi në dhjetor “90.
“Më tërhoqi vëmendjen së fundi një shkrim i deputetit të maxhorancës Ben Blushi, i cili ecjen dyvjeçare të Rilindjes e quajti si një procesion funeral.
Sipas meje, kjo që po përjetojmë, nuk është funerali i një maxhorance që sapo ka ardhur në pushtet, por funerali i shpresës që lindi në dhjetor të ‘90-s u sëmur shpejt dhe që ka qenë gjatë gjithë këtij çerek shekulli e sëmurë, ndërkohë që fjala tranzicion është përdorur për ta mbajtur atë gjallë”.