Franc Kafka, shkrimtari që himnizoi njeriun e dobët dhe shenjtëroi shpirtin e tij
SOT NE 100-VJETORIN E VDEKJES SE SHKRIMTARIT TE MADH
Nga Albert Vataj
Fali gjithçka prej vetes, si njeri dhe si penë. Jetoi i përkorë dhe u sakrifikua si një hyjlindur. Kthjelltësia si loti, i gjykimit të tij e transformojnë në një akuzator, por gishtin nuk e drejtoi askurrë ndaj askujt. Ishte ajo që jetoi, ajo që mëtoi, gjithçfarë mund të përbënte lëndën e pamjaftueshmërisë dhe papajtueshmërisë .
Nëse nuk do ta kishim njohur si shkrimtar, pa asnjë mëdyshje do ta pranonim si shenjt. I tillë ishte ai, i devotshëm dhe shëlbues.
Më 3 korrik 1883, do të vinte në jetë nga një çift hebreo-gjerman, Franz Kafka. Ishte Praga qyteti pritës, Praga e asokohjes si kryeqyteti i Bohemisë në mbretërinë, Austro-Hungarze. U nda nga jeta më 3 qershor, 1924 në Vjenë, ende pa i mbushur 41 vjeç, prej një tuberkulozit, i cili e përndoqi për 7 vite radhazi, deri sa e shuajt përgjithmonë.
Franc Kafka erdhi në letërsi si një nevojë e brendshme e një individi gjithnjë i papajtueshëm me realitetin. Ndoshta jo vetëm sëmundja, prej së cilës ai ishte i dënuar me vdekje, por edhe njeriu delikat e shpirtmirë, cilësi këto të përftuara nga e ëma një grua hebre, bënë që kjo penë ta ngjyente majën në zjarrin e vetëtimave. I ndryshtë, shumëçka tjetërqysh nga të tjerët, ishte kumti që mëtoi në një vepër, e cila për pak do të shuhej bashkë me të, nëse miku i tij do të ishte aq shpirtkazëm sa të çonte në vend amanetin e tij, asgjësimin e dorëshkrimeve.
Historia e letrave do ta njehte këtë shkelje amaneti si një shërbim i paçmuar që Maks Brodi, miku më i ngushtë i Kafkës i bëri letërsisë, po aq sa dhe besimit që Kafka mëkoi te vlerat e së njerëzishmes, të cilat në një kacafytje me përditshmërinë arrijnë të fitojnë betejat dhe veten.
Krijuesi nuk mund të fitojë vlera universale, në qoftë se vendos me ndërgjegje të tejkalojë dhe mohojë një pjesë të mirë të vetvetes. Kështu ka ndodhur me gjithë artistët e krijuesit e mëdhenj, veprat e të cilëve kanë fituar statusin e të qenit pasuri universale. Një format i tillë krijuesi është padyshim dhe Franc Kafka. Vepra e Franc Kafkës është një ndër piramidat e letërsisë së përbotshme, megjithëse sa qe gjallë nuk e kuptoi dhe se përfilli njeri, përjashtuar shokët e tij të ngushtë, pa të cilët ndoshta vepra e tij do të kishte humbur.
Vepra e Franc Kafkës ishte aq origjinale, aq e freskët dhe e aq patakuar më parë, sa kritika e kohës nuk ditën çfarë të bënin me të dhe e patën më të lehtë ta linin pas dore, d.m.th. ta injoronin. Nuk është për tu çuditur, pothuajse gjithmonë kështu ka ndodhur me krijuesit e jashtëzakonshëm: vepra e tyre me vlerë ka qenë telash i madh për kritikën. Gjithmonë përballë gjeniut, mediokrit, për ta kaluar lehtë e pa probleme, bëjnë kompromis mes tyre, dhe kompromisi më i suksesshëm është heshtja rreth tij.
Ndërsa Franc Kafka nuk ka ndërmend të presë kritikën. Ai ndjen e kupton se nuk ka kohë për të humbur dhe shkruan e shkruan: kur nuk ka inspirim për letërsi artistike, shkruan ditarët e tij dhe atje pa mëshirë e kompromis, bën pacientin e kirurgun me vehten. Një kritik i ashpër e i pakompromis, sa nuk mund ti gjendet shoku në historinë e letërsisë. Ai merret me veten, përqendrohet intensivisht aty dhe zbulon se dobësia e dhimbja e tij njerëzore, është shkaku madhor që e detyron të shkruajë.
Me gjithë organizmin i tij shumë delikat, Franc Kafka shfaq një forcë të jashtëzakonshme kur vjen puna të merrte penën për të shkruar. Franc Kafka njeri e krijues, është shembull i gjallë i madhështisë e heroizmit njerëzor, i cili e bën veten copë për të nxjerrë në dritë atë çfarë fsheh brenda saj. Kafka është një shembull i rrallë i vetëshkatërrimit me ndërgjegje të plotë, shkuarjes kundër jetës thjesht biologjike, i refuzimit të një jete të qetë e kënaqësive personale njerëzore, me një qëllim të vetëm: në shërbim të artit dhe përmes tij njeriut.
Perëndia e vetme e Kafkës ishte arti i tij. E konsideronte veten me fat që kishte mundësi të shprehej sa e si duhej, vetëm në formë e mënyrë artistike dhe kur flet diku në ditarët e tij se “beson në diçka të qëndrueshme e të pashkatërrueshme brenda tij”, patjetër e ka fjalën për artin e tij, perëndinë e vetme. Kafka është i qartë dhe i bindur se ajo gjë nuk ishte dogmë, por i vetmi mjet, e vetmja nevojë për të tejkaluar, jetën e zakonshme, mungesën e familjes, kohën e madje dhe veten. Dhe vërtetë ndodhi kështu, vetëm me artin e tij ai mundi të tejkalonte veten, mundi të transformonte përditshmërinë banale në një plan fantastik, të vizatonte të pazakonshmen, të jashtëzakonshmen në një plan krejt të zakonshëm e normal. Vetëm kështu ai mund të s’postonte të tashmen e ngrirë në një të ardhme artistike joshëse, vetëm kështu mundi që jetën ta shndërronte në një vepër artistike të mrekullueshme, ajo që ne njohim sot.
Diku në ditarët e tij, Kafka shkruan për veten:
“Nuk jam i pajisur me asgjë, nuk përmbledh në vetvete, për aq sa di unë, asgjë tjetër fituar nga jeta, absolutisht asgjë, duke përjashtuar dobësinë universale njerëzore. Por me këtë gjë, e në këtë kuptim, duhet të them se ajo është për mua një forcë kolosale. Unë kam thithur me forcë negativitetin e kohës që po jetoj dhe ai, më rri aq afër, ngjitur fare, sa që unë nuk kam të drejtë ta luftoj, bile jo vetëm kaq, në një farë kuptimi e ndjej për detyrë ta përfaqësoj”.
Franc Kafka inteligjent si rrallë kush, kupton shpejt se ku qëndron forca e tij e vërtetë, dhe me ndërgjegje e vë organizmin e vet në shërbim të krijimit të botës së tij, botës kafkiane. I përqendron gjithë energjitë e tij drejt artit që kërkonte me forcë të shpërthente te ai dhe jeton aq intensivisht në shërbim të këtij misioni sa nuk e lë veten me ndërgjegje të shpërqendrohet në gëzimet që jeta i ofron një njeriu normal. Refuzon me vendosmëri, pa hezituar asnjë herë një jetë të qetë që i siguronte bashkëpunimi me të atin, tregtar i pasur, i cili nga ana e tij kishte varur te i biri i vetëm gjithë shpresat që një prind e fabrikuar krejt ëndrrat që një njeri me shpirt tregtari mund të bëjë për të birin.
Franc Kafka ishte njeri super i ndjeshëm jo vetëm për gjendjen e tij personale humane por dhe më gjerë. Si mund të themi ishte megjithmend një i huaj i pashoq, në tërë kuptimin e kësaj fjale, për krejt pjesën tjetër të qenies së tij, që nuk kishte të bënte me njeriun, artin e krijimtarinë artistike.
Alkimia kafkiane e dobësisë dhe dhimbjes njerëzore, distilimi tyre gjatë një jetë të tërë, dhe pse ajo qe një jetë e shkurtër, bënë që vepra e Kafkës të fitojë përjetësinë.
Kafka njeri e kishte shumë më të lehtë ta administronte fatin e tij, duke pranuar apo dhe thjesht duke e ndihmuar projektin që kishin menduar prindërit e tij për të, sidomos i ati. Por jo, nuk ishte thënë të ndodhte kështu.
Në “Letër babait” ai sqaron gjithçka lidhur me këtë temë. Edhe se një gjë tepër e vështirë e komplekse kur vjen puna për të sqaruar marrëdhëniet në familje. Mund të jetë ndryshe e vërteta, sigurisht pa dyshim, por Kafka gjithë përgjegjësinë për këtë gjë e merr për vete. Gjendjen në opozitë, gjendjen mbi gjemba në familje, ai e përjeton dhe e tregon si fajin i tij ekskluziv, si pamundësi për tu sistemuar aty, si një i përzënë, sepse nuk kishte forcën dhe aftësitë e duhura për tu sistemuar si donte babai i tij.
Ndërkohë që nga njëra anë Kafka refuzonte, apo nuk guxonte të hynte në botën familjare, në botën e tregtisë, interesit, ai gati në mënyrë instinktive përqafonte vetminë e tij, mangësinë e tij dhe dalëngadalë filloi të përgatisë projektin përkatës.
Projekti i tij ishte i pakonceptueshëm për kohën. Projekti i tij ishte mitizimi i njeriut të dobët, e sidomos i dhimbjes së tij. Deri në kohën kur kafka mori formë të plotë si krijues, jo vetëm në jetë por dhe në letërsi respektohej pa hezitim, pa mësyshje, vetëm miti i heroit, miti i fitimtarit, miti i njeriut që kërkon me këmbëngulje e me çdo çmim fitoren, arritjen e qëllimeve të jashtme, mundjen e armikut dhe gjithë kush tjetër i del para.
Bashkëkohësi i tij i famshëm, novelisti, Herman Hese, kur ka thëne një herë se “Nuk besoja se shpesh herë duhet më shumë kurajë për të mos bërë heroin se sa e kundërta”, pa dyshim ka patur parasyshë dhe jetën e sidomos veprën e Franc Kafkës.
Kafka e njohu thelbin e njeriut, sepse njohu veten e tij shumë shpejt. Ai kuptoi se në themel të qenies së tij nuk qëndron gjë tjetër, përveçse një tension i përjetshëm kundërshtish e përplasjesh forcash. Kafka njeri e artist vazhdonte të transformonte veten dhe gjatë këtij transformimi vizitonte gjithmonë e më shumë shpirtin e tij. Atij i ndodhte përditë ajo që i ndodh një njeriu të zakonshëm kur fillon e i dhemb një organ i trupit, por me përmasa të tjera, me përmasa madhështore. Njeriut atëherë kur i dhemb një organ fizik i trupit të tij dhe vetëm atëherë kujtohet e bëhet i ndërgjegjshëm se filan organ ekziston dhe duhet dëgjuar, se çfarë po kërkon të thotë me ato sinjale të çuditshme. Dhembja fizike njeriun e zakonshëm jo vetëm e bën të vuaj, por njëkohësisht e detyron dhe të rritet psikologjikisht pak nga pak.
Kafka kupton përditë e më shumë se njeriu i dobët, njeriu që dhemb është një mëkatar pa faj. Ai nuk mund të guxojë, ose guxon. por ndryshe nga kuptimi klasik i kësaj fjale. Njeriu që dhemb e ka më të lehtë të sillet me veten si burracak, sepse e din se sa herë i duhet të luajë, do të humbë.
Në veprën e Kafkës vërtetë dominon ankthi, por ankthi këtu nuk është aspak ndjenjë meskine. Ankthi kafkian është ankth ndryshe. Njerëzit e botës kafkiane nuk kanë nevojë të presin që të hedhin vështrimin drejt të ardhmes, për tu ndjerë në ankth. Jo, ata lindin të plazmuar me ankth. Heroin kafkian e torturon natë e ditë mendimi se mos bëhet barrë për të tjerët, për jetën, dhe lufton me mish e me shpirt që kjo gjë të mos ndodhë. Ankthi i njeriut kafkian është i thjeshtë, por dhe i tmerrshëm: ai mund të shprehet krejt natyrshëm me pyetjen e pafajshme: “Mos nuk jam i nevojshëm?” Dhe ky ankth zgjidhet në dy mënyra ose shkrihet si qiri në mundësinë për të mos vendosur, ose vetëvritet në pasivitet të plotë.
Kafka është i ndërgjegjshëm e i përgjegjshëm, jo vetëm për atë çfarë bën kur shkruan e mendon, por sidomos për atë që është, atë që ndjen se është. Nuk shqetësohet t’u japë domethënie veprimeve të veçanta, por mënyrës të jetuarit.
Franc Kafka vetëm pasi arriti të njohë veten e tij, vetëm pastaj ishte i sigurt që të krijojë artistikisht njeriun si qenie e papërkryer, që nuk mund të përsoset kurrë, e si e tillë i mbetet vetëm një detyrë: të përpiqet e të luftojë për ta tejkaluar veten. Njeriu në fakt është shumë larg asaj që kujton se është. Vepra e Kafkës përpiqet dhe arrin të zbërthejë këtë gjendje paradoksale të njeriut. Për fat të keq njeriu nuk është i bërë, njeriu është i mangët. Njeriu gjatë jetës së vet mund të bëjë vetëm një gjë: të përpiqet ti japë domethënie sa më shumë të jetë e mundur asaj.
Gjendja personale e Kafkës kishte ngjashmëri të madhe me gjendjen shoqërore të kohës kur jetoj ai. Negativin e kohës së tij ai e shihte në detaje, më mirë se sa shohin njerëzit e zakonshëm një fotografi me ngjyra. Kafka është ndoshta krijuesi i parë që kapi, perceptoi ngrirjen e jetës së përditshme dhe çveshjen e njeriut e reduktimin e tij në një gjë pa vlerë. Njeriu në veprën e Kafkës nuk shkon aspak drejt përsosjes por drejt gjymtimit si një mundësi përtëritje dhe guximi për t’u ndeshur me sfidat e jetës dhe për të fituar.