Fuqia e grave dhe pushteti ndaj burrave: Tregtia me brekë të përdorura

Lin, maj 2013. Një mace erdhi me hapat e saja elegante dhe u zhduk nën tarracën e restorantit ku po pija kafe me mikun tim amerikan. Pastaj e kthyem shikimin për t’i kënaqur sytë në drejtim të liqenit, sipërfaqja e të cilit shkëlqente nga rrezet e diellit të atij mëngjesi. Nga aty shihej kufiri dhe pjesa e Maqedonisë. Më vonë, vëmendjen tonë e tërhoqën edhe dy mace tjera që erdhën nga i njëjti drejtim dhe hynë nën tarracë, sikur e para. Macet ecnin me shikim të koncentruar në sipërfaqen e ujit.

‘Gjuajnë peshk’ – tha pronari i restorantit, një burrë i moshës së mesme. Kurrë nuk kisha parë e as nuk kisha dëgjuar që macet rrinë në breg për të zënë peshk. Por, atë ditë unë do të mësoja edhe gjëra tjera. Kur hyni në Shqipëri nga Maqedonia dhe sapo e kaloni kufirin, atje poshtë, në anën e majtë, rreth liqenit shihet Lini që ofron pamje spektakolare të një fshati peshkatarësh. Gjatë komunizmit Lini ka qenë një vend i stërngarkuar me personel ushtarak dhe sidomos me njerëz të sigurimit. Prezenca e tyre ka patur për qëllim që të parandalohen ikjet e qytetarëve në Maqedoni.

Por, Lini sot njihet për koranin që është një lloj peshku i cili kultivohet në këtë fshat. Një pikë tjetër turistike është mozaiku i dyshemesë së një bazilike që daton nga shekulli IV apo V i erës sonë. Ajo që duhet të thuhet është se fshati, nga brenda, nuk e ka pamjen e bukur sikur që duket nga kodra kur hyni në territor të Shqipërisë.

Në mes të fshatit dhe afër bregut të liqenit gjendet një xhami. Dera e saj është e mbyllur me dry kurse minarja është karakteristika tjetër e saj. Minarja nuk është e kapur me ndërtesën e xhamisë siç dikton arkitektura e zakonshme, por qëndron e ndarë nga ajo. Hyrja në minare është e bllokuar nga mbeturinat. Nga kjo mund të themi se kohëve të fundit hoxha nuk ka hipur në këtë minare.

Në një shesh të vogël me kalldrëm dhe afër minares u ndal një makinë. Dy gra, që nga pamja dukeshin jevge, dolën nga makina dhe i nxorën dy thasë të mëdhenj nga bagazhi. E shtruan një çarçaf të madh në tokë dhe i zbrazën thasët. Sipërfaqja u mbush me brekë të grave. Të të gjitha llojeve dhe ngjyrave, por dominonte e bardha. Pa ndonjë mundim shihej se brekët ishin të përdorura apo të vjetra, por të pastra.

Derisa unë po e shikoja këtë ngjarje me habi, njëra nga gratë, me siguri me qëllim që të më joshte, më tha: ’Janë greke’. Për mua kjo ishte një arsye shtesë që të mos i blija. Unë për vetë kam blerë rroba ‘second hand’ (të dorës së dytë) apo të përdoruar dhe i veshi edhe sot. Ta zëmë, i kam një palë farmerka dhe disa jakne. Por, brekë? Kush blenë brekë, rroba që mbulojnë pjesët intime që shpesh janë vende jo edhe aq të pastra të trupit?

Derisa unë po i bëja këto pyetja, erdhën dy gra të cilat më vonë u shoqëruan nga një grup jo edhe aq i vogël. Ato i futën duart e tyre në grumbullin e brekëve dhe po kërkonin numrin dhe llojin apo dizajnin që ju pëlqente. Për këtë pamje të pazakonshme dhe të vështirë unë e fajësova varfërinë. Nuk i tregova as mikut amerikan i cili shkoi para meje që ta shihte mozaikun. E kam mbajt në heshtje këtë ndodhi dhe nuk besoj që deri sot t’i kem treguar dikujt pos gruas sime.

Disa vite më vonë unë mora vesh detaje tjera të këtij fenomeni i cili, në fakt, nuk ishte i izoluar vetëm në Lin siç kam menduar. Një natë, derisa në TV po kërkoja program të përshtatshëm dhe derisa i ndërroja kanalet, papritmas i dëgjova fjalët ‘second hand knickers’ (brekë të përdorura). I thashë vetes: ’Hëh… prit, prit’. E ktheva në kanalin (më duket se ishte Channel 4) dhe po e shikoja një fenomen shumë të rëndësishëm. Tregtia me brekë të përdorura të grave ishte biznes serioz dhe ndodhte gjithandej në botë.

Programin që e shikoja kishte të bëjë me brekët e grave të Japonisë që shiteshin në shumë vende të Azisë, por më së shumti preferoheshin në Korenë Jugore. Të merremi vesh, këtu nuk kemi të bëjmë me varfërinë siç mendoja unë. Dizajni dhe materiali i brekëve të bartura më parë nga gratë japoneze ishte aq i mirë sa që në shumë shtete këto brekë shiteshin më shtrenjtë se ato që janë të reja e të prodhuara diku tjetër. Në fakt, edhe në vendet evropiane kishte mjaft dyqane ku shiten brekët e përdorura të grave, sidomos ato që kanë karakter ‘vintage’ apo klasik.

Një hulumtim i shkurtër në internet zbulon edhe detaje tjera të këtij fenomeni dhe efektin që kanë brekët e grave ndaj burrave. Për burrat asgjë nuk është më joshëse se kur shikojnë gratë me brekë të bukura. Gruaja lakuriq është më pak interesante. Kështu është edhe për mua. Por, tashti nuk është e udhës që unë në këtë postim të shprallosem dhe të flas për stilin, llojin apo për ngjyrat dhe stofat e brekëve që më pëlqejnë. Këtë punë e dinë më mirë ata të ‘Victoria’s Secret’ dhe fabrikave tjera që merren me prodhimin e kësaj rrobe delikate dhe shumë të rëndësishme.

Por, të kthehemi te brekët e përdorura të grave. Ato nuk i blejnë vetëm gratë, por i blejnë edhe burrat. Këtu është fjala për fetishizmin. Pra, brekët e përdorura të grave janë ‘fetish’ për disa burra që numri i tyre duket se nuk është i vogël. Në Japoni ekzistojnë ‘automata’ (nickers vending machines) ku shiten brekët e përdorura të grave sikur edhe cigaret apo diçka tjetër. Pastaj, përsëri sipas burimeve online, merret vesh se një numër i madh i grave mbesin gjallë, madje edhe pasurohen, duke ua shitur burrave (online) brekët që i kanë përdorur.

Gratë, siç duket, janë të vetëdijshme për fuqinë që posedojnë në relacion me burrat. Prandaj, ato ushtrojnë pushtet të pakufishëm ndaj burrave duke përdorur pjesët më të vogla të rrobave që kanë./Telegrafi – Daut Dauti/

SHKARKO APP