Fushata duhet të prekë masakrën që po i bëhet Tiranës

 

Nga Mero Baze

Në zemër të bllokut në Tiranë, pranë “Foto Kumi”, një kantier i ri i rrethuar dy javët e fundit, ka shembur një vilë të vjetër karakteristike, e cila ishte nën mbrojtjen paraprake të Institutit të Monumenteve dhe ka filluar të ndërtohet një pallat 9 katësh. Një sërë kantieresh të tjerë janë gjallëruar në qendër të Tiranës, në çdo vend ku ka hapësirë mes pallateve, tek ish-Stadiumi Dinamo, tek Aneksi i Stadiumit Qemla Stafa, tek Komuna e Parisit, tek Liqeni Artificial etj. Shtypi dhe disa segmente të shoqërisë civile po tentojnë të ngrejnë zërin, por maskara është me përmasa shumë më të mëdha seç duket. I qartë se nuk do të rikandidonte më dhe i sigurtë se kandidati që ka nxjerrë është sa për të larë gojën me Tiranën, Lulzim Basha dhe rrethi i tij i ngushtë kanë shpërndarë me urgjencë leje ndërtimi kudo ku kanë kërkuar klinetët e tij, duke i dhënë Tiranës dërmën e fundit si një qytet jashtë standardit.

Kolegu ynë, Ben Andoni ka bërë një raport të hollësishëm për pallatin që po ngrihet në bllok, duke dëshmuar dhe përgjegjësinë që ka Instituti i Monumenteve në këtë histori. Në disa raste të tjera ka shkeje të standardeve për zonat e mbrojtura, apo standardeve që vet Plani Rregullues i Bashës për Tiranën ka vendosur.

Në këto kushte me të drejtë duket sikur qytetarët janë të pafuqishëm për të vendosur për fatin e qytetit të tyre, edhe pse Basha u tall sa mundi katër vjet më parë, duke theksuar se “qyetarët janë të parët”.

E gjitha kjo masakër e orëve të fundit, po bëhet ndërsa kandidatët që garojnë për Bashkinë e Tiranës, duket se akoma nuk kanë bërë nxemje të hyjnë në fushë e të prekin me dorë problemet.

Së paku dy prej tyre, Erion Veliaj dhe Gjergj Bojaxhiu, duhet të bëjnë betejë konkrete kundër kësaj masakre që po zhvillohet paralel me fushatën e tyre.

Katër vjet më parë, Basha tha se nuk do të lejojë ndërtime nga Liqeni, por atje tani janë së paku nja pesë kantiere nëse ecën në unazën e re deri tek Komuna e Parisit.

Kandidatët e rinj për Bashkinë e Tiranës, duhet të prekin konkretisht këto kantiere. Duhet të bëjnë një tur të organizuar në secilin prej këtyre kantierëve, jo për të terrorizuar ndërtuesit, por për tu shpjeguar qytetarëve se çdo bëjnë ata me standarde të tilla të vendosura nga Lulzim Basha. Nuk është e thënë që të gjithë të jenë të paligjshëm apo jashtë standardeve, por të gjithë duhen verifikuar, pasi në këtë prag fushate Tirana është kthyer në një kantier gjigand ndërtimi, që duket i favorizuar nga shansi i fundit që Basha ka pasur për tu shërbyer klientëve të tij, meqë nuk arriti tu shërbejë dot qytetarëve.

Një udhëtim në gjithë këta kantierë dhe evidentimi i problematikës së çdo kantieri, dhe zotimi se çdo bëhet me to, do të ishte një fushatë shumë më e mirë sesa takimet e improvizuara me mbështetës të cilët shërbejnë për dekor, por nuk i japin zjarr fushatës.

Me këtë që Lulzim Basha po i bën Tiranës duke ikur, qytetarët ndjehen tërësisht të pafuqishëm dhe indiferent ndaj fushatës, pasi e shikojnë sesi u tall me ta kryetari i sotëm i opozitës katër vjet më parë. Që të zgjohet shpirti i revoltës së qytetarit dhe të përfshihet ai në betejë, duhet bërë aleancë me qytetarët, për secilin nga këta kantierë që Basha po ia lë peshqesh Tiranës, si një hakmarrje që dhe katër vjet më parë nuk ia dha dot votën, por iu desh t’ua vidhte.

Një udhëtim në këto kantire dhe një zotim para tyre, do t’i bënte qytetarët më të vëmendshëm dhe fushatën më konkrete. Kështu dhe shtypi që tenton të mbrojë Bashën për këtë që do të bëj, do ta ketë dhe pak më të vështirë të bëj sikur dhe kantierët janë fals.

Gazeta "Tema"

SHKARKO APP