Fushata model e Hilari Clinton

 

Sa për fillim, Klinton mbërrin me makinë. Brenda një një furgoni të quajtur “Scooby”, me të cilin në dy ditë ka përshkuar mbi një mijë milje, për të ardhur nga shtëpia e saj në Chappaqua deri në këtë cep të humbur të Ajouas rurale. Në vitin 2008 kishte udhëtuar me helikopter, ndërsa toka e Xhon Uejnit e pati refuzuar: mendjemadhe, e largët, perandorake, a thua sikur e kishin për detyrë t’ia ofronin në pjatë të argjendtë fitoren.

Ndërkohë e detyruan të pranojë një humbje poshtëruese në konventë, duke u renditur pas Barak Obamës dhe Xhon Eduardsit. Asokohe, ai çast shënoi fillimin e fundit të saj në atë garë. Por këtë herë, Hilari Klinton ka nxjerrë mësime, ndërsa duket e vendosur të nisë fushatës më e shpenguar dhe më modeste, për t’i dërguar një mesazh klasës së mesme, e cila mezi arrin që të mbyllë fundin e muajit: “Familjet kanë luftuar fort për t’u ringritur gjatë një periudhe të vështirësive të mëdha ekonomike. Por kjo nuk mjafton, kur mesatarisht një drejtor i një ndërmarrje të madhe, fiton 300 herë më shumë sesa punonjësi i tij me pagë mesatare”. 

Peisazh “Far West-i”

Ja kjo është Hilaria e re, me këmbë në tokë, e përulur, populiste, që shfaqet në “Kirkwood Community College”, për të rifilluar mbi baza të reja diskutimin presidencial me Amerikën. Montiçelo është e ngjashme me një fshat të Luginës Padane, minus qytetet e artit që kanë bekuar Italinë: fusha të pafundme të mbjella me misër, kapanone, ferma, dhe dy kompanitë e mëdha “New Holland” dhe “John Deere” që kanaqin konsumatorët me traktorët e tyre.

Në “First Street”, rruga kryesore ku mungon vetëm Xhon Uejni me kalin e tij, në dyqanin e veglave të punës jeta rrjedh si gjithnjë: “Të gjithë politikanët – thotë duke qeshur pronari i tij, Fil Hana – vijnë këtu, i kemi vaksinuar”. Pse nuk po shkoni të dëgjoni fjalimin e Hilarisë? “Bah, më keq se Obama nuk mund të bëjë”. Çfarë? Por Obamën, në thelb e çuat ju në Shtëpinë e Bardhë. “Po, por bujqësia po ecën shumë keq. Do të ishte mirë, që politikanët të bëjnë diçka për të na ndihmuar, në vend se të mendojnë vetëm të grinden ndërmjet tyre. Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi bllokojnë njëri-tjetrin, dhe ne këtu po falimentojmë. Presidenti mund të bëjë shumë pak, kështu që unë dyshoj tek Hilaria. A do të jetë ajo e vërtetë në ato që thotë?”.

Kirkwood është një kolegj i vogël me 373 studentë. Nxënësit e shkollës kryejnë kurse të avancuara për të hyrë në universitet. Ndonjë syresh ia del të marrë diplomën 2-vjeçare, ndërsa të rriturit ndjekin kurse teknike për infermierë, mekanikë, operatorë bujqësorë. Kajli është një prej tyre, një vajzë bjonde që nuk ka mbushur ende moshën për të votuar: “Do të arrij në kohë moshën për të votuar për zgjedhjet presidenciale, dhe mendoj se do të mbështes Hilarinë. Do të ishte bukur, në moshën time, të shihja presidenten e parë grua”.

Programi përfshin një takim me dyer të mbyllura me 6 studentë dhe profesorë, pikërisht për të filluar një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë, që do të rindërtojë imazhin e Hilarisë. Do të ketë kohë për tubimet e mëdha: tani duhen dëgjuar njerëzit, duke fshirë imazhi prej snobeje që e pati nxjerrë në një dritë të keqe në sytë e publikut, duke e paralizuar tërësisht 7 vite më parë.

Kundër zakonit të saj, Hilaria arrin në kohë. Një kolonë me 3 makina, duke përfshirë edhe eksortën e Shërbimit Sekret. Me asistentin e saj të pandashëm Huma Abedin, dhe zëdhënësin Nik Meril. Përgjatë rrugës ndaloi madje edhe në një restorant meksikan në Maumee në Ohajo, ku porositi një burrito, dhe askush nuk e njohu.

Ndërkohë, këtu në hyrje e pret edhe një demonstrues, Xhoi Galager. Ai mban një parullë që kujton: “Hilari votoi për luftën në Irak”. Pastaj një të dytë, për ta goditur në zemër të fushatës së saj populiste, e cila po vjedh kauza dhe parulla nga goja e senatores liberale nga Masaçusetsi, Elizabet Uoren: “Hilaria është kandidatja e Uoll Stritit”.

Dyshimet e emigrantëve

Një prej djemve të përzgjedhur për tryezën e rrumbullakët është Korej Xhons, student i dizajnit grafik. Pyetja e tij është e shpejtë dhe e drejtpërdrejtë: E keni seriozisht me çështjen e imigracionit? Sepse pashë që Presidenti Obama donte të legalizonte njerëzit që jetojnë dhe punojnë ndershmërisht në Shtetet e Bashkuara prej vitesh, ose që janë sjellë këtu nga prindërit e tyre kur ata ishin fëmijë. Kjo është një inisiativë e vërtetë, apo thjesht një dredhi për të marrë vota?”.

Në kokën e Hilarisë drejtohen fytyrat e miliona hispanikëve, të cilët së bashku me zezakët, gratë dhe të rinjtë formuan koalicionin fitues Obama, dhe që ajo duhet ta rikonfirmojë. Por në fund, Korej nuk është në tavolinë. Me Hilarinë me kostum blu dhe këmishë të gjelbër, ishte drejtori i kolegjit Mik Starkeviç, 6 studentë dhe instruktorë, sikurse ishte nëna e vetme e 3 fëmijëve Betani Mur, dhe Endrju Lorimer që do të bëhet pjesë e Akademinë Detare.

Sulmi ndaj padrejtësive

Klinton e filloi me sulmet e saj populiste: “Diçka nuk funksionon, kur drejtori i një kompanie fiton 300 herë me tepër, sesa paga e një punonjësi të tij, menaxher i një fondacioni financiar paguan më pak taksa, se një familje e klasës së mesme, dhe kur studentët dalin nga universitetet me borxhe që i mbysin ata”.

Pastaj shpjegon: Jam futur në garë me 4 objektiva: të ndërtoj ekonominë e së ardhmes, forcoj familjet, korrigjoj sistemin politik jofunksional, dhe të mbroj vendin nga kërcënimet e jashtme, që i shohim dhe ende nuk i njohim si të tilla”. Pastaj fillon të bëjë pyetje: dëshiron të dijë se çfarë duan këta 6 votues të parë, të cilët ajo zgjodhi t’u shtrëngojë duart.

Pas një ore bisedë të përqëndruar veçanërisht tek arsimi, Hilaria rikthehet tek politika dhe shpall fushatën e saj: “Duhet të veprojmë jashtë ideologjive, dhe të mendojmë më shumë për rezultatet. Nuk mund të vazhdojmë të jetojmë në një vend, ku në mbrëmje ju telefonon punëdhënësi tuaj, dhe ju thotë se nesër s’ka më nevojë për ju. Duhet fleksibilitet, por edhe stabilitet e drejtësi. Unë gjithmonë kam menduar se nëse do të punoja shumë, Amerika do të më jepte ndonjë mundësi. Kam garuar për presidencën, pasi dua që ky premtim të bëhet i vërtetë për të gjithë”.

Messaggero- bota.al

SHKARKO APP