Gazetari i Top Channel: Këta fusin në burg të varfërit. Mbani të ndenjurat

 

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe është treguar mjaft i rreptë sot me gazetarët. Ai nuk i ka lënë ata të hyjnë në komision për të ndjekur raportimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Si mësues fillorje, Braçe u tha gazetarëve se nuk mund të hynin në komision pas tij. Gazetarët reaguan ndaj egërsisë së beftë të Braçes në këtë rast, ndonëse ai egërsinë e tij e ka shfaqur disa herë edhe në parlament ndaj kundërshtarëve politikë. Më i ashpër ishte reagimi i gazetarit të Top Channel, Klodian Tomorri. Në një status të gjatë në Facebook ai shkruan se rregulli i Braçes është tregues i frikës që po shfaqin pushtetarët ndaj medias dhe i arrogancës së tyre.

“Komisioni parlamentar i ekonomisë, si flamurtar i Pushtetit Popullor, ka vendosur një rregull që pas fillimit të mbledhjes nuk lejohet të hyjë askush. Por rregulli forcohet vetëm mbi gazetarët dhe pshurret nga gjithë të tjerët, të cilët mund të hyjnë e të dalin sipas qefit. Rregulli qenka vetëm për gazetarët. Ah jo, ata të TVSH që edhe këta hyjnë e dalin sipas qefit. Shkurt, rregulli ka degjeneruar në standard të dyfishtë. Që këta kanë frikë nga fjala e dinë të gjithë. Po kjo është arrogancë, mendësia e standardit të dyfishtë. Ajo që fut në burg të varfrin se lidh energjinë për fëmijën e sëmurë, por jo hajdutin me faturë qindra milionë lekësh. Pushteti korrupton të mirën. Karrigia i rëndon të ndenjurat. Por këta e harrojnë gjithmonë. Të ndenjurat i kanë të tyret. Karrigia është e të tjerëve. Mbani të ndenjurat”, shkruan gazetari i Top Channel.

Erjon Braçes, që nuk i shpëton rast pa reaguar në Facebook, edhe atëherë kur nuk e përmend njeri, nuk mund t’i kalonte ky rast pa replikuar me gazetarin. Ja si e justifikon ai rreptësinë e vendimit të tij.

 “Për ca tekanjozë banalë që kurrë nuk kuptuan ç’është rregulli, kur raporton Guvernatori i Bankës dhe për më tepër kur këtë nis ta bëj në orarin e lajmëruar. Nuk është etike, po fare, fare që një gazetar të vijë pas gjysmë ore dhe për më tepër të sillet vërdallë nëpër sallë, thjesht sepse dikush i ka mbushur mendjen se është më i madh se kushdo tjetër. Nuk e di nëse gazetari në redaksinë e tij shkon pasi ka filluar mbledhja, por edhe nëse e bën atje, s’ka për ta bërë në kuvend. Nëse mikrofoni dhe kamera e TCH është në sallën e mbledhjes në orar, nuk ka pse i zoti i tyre gazetar të bëjë llogje lart e poshtë rrugëve kur ka interes të bëjë punën. Përndryshe, të ndenjurat duhet t’i shkojnë pas punës, jo tangërllëkut” shkruan Braçe.

Braçe është i njohur për shpërthimet e tij. Por deri tani ai kishte shpërthyer ndaj kundështarëve politikë, protestuesve apo tifozëve të Tiranës, pasi ai vetë bën tifo për Partizanin dhe nuk ishte përplasur me gazetarët, edhe për vetë faktin se ai nuk është ndonjë personazh i kërkuar nga mediat.

SHKARKO APP