Gjendet letra e humbur e Galileit, si ia hodhi Inkuizicionit astronomi italian
Nga Alison Abbott
Në Londër është rizbuluar së fundmi letra origjinale, përmes së cilës astronomi italian Galileo Galilei kundërshton doktrinën e Kishës Katolike Romake. Letra origjinale, e humbur prej shekujsh, dhe në të cilën Galilei i fshehu argumentet e tij kundër doktrinës së kishës, sipas së cilës Dielli rrotullohet rreth Tokës, u zbulua në një katalog të gabuar të Bibliotekës së Londrës. Analiza dhe zbulimet e saj, zbulojnë detaje të reja rreth sagës që çoi në dënimin e astronomit për herezi në vitin 1633.
Letra me shtatë faqe, drejtuar një miku më 21 dhjetor 1613, dhe e nënshkruar me gërmat “GG”, siguron faktet më kokëforta, se në fillim të betejës së tij me autoritetet fetare, Galilei u angazhua aktivisht në kontrollin e dëmeve, dhe u përpoq të përhapë një version më të moderuar të pretendimeve të tij.
Asokohe u bënë shumë kopje të letrës, dhe ekzistojnë dy versione të ndryshme – një që iu dërgua Inkuizicionit në Romë, dhe një tjetër me një gjuhë më pak polemizuese. Por, për shkak se letra origjinale supozohej të humbiste, nuk ishte e qartë nëse klerikët e linjës së ashpër e përdorën këtë letër për të forcuar akuzat e tyre për herezi – diçka për të cilën Galilei u ankua tek miqtë e tij.
Mesa duke ai e bëri vetë redaktimin. Letra e sapo-zbuluar, është e mbushur me ndryshime dhe analiza – dhe analiza e dorëshkrimit sugjeron se autori është vetë Galilei. Ai i dha një kopje të atij versioni një miku të tij, duke pretenduar se ishte origjinali i tij, dhe i kërkoi atij që ta dërgonte në Vatikan.
Letra ka qenë në zotërimin e Shoqërisë Mbretërore Britanike për të paktën 250 vjet, por humbi nga syri i historianëve. Ajo u rizbulua në Bibliotekën e Londrës nga Salvatore Rikardo, një historian i shkencave post-doktorale në Universitetin e Bergamos në Itali, i cili vizitoi bibliotekën më 2 gusht të këtij viti për një qëllim tjetër, dhe më pas shfletoi katalogun online.
“Mendova:S’mund të besoj, që kam zbuluar letrën që pothuajse të gjithë studiuesit e Galileos mendonin se kishte humbur”- thotë Rikardo. Ngjarja dukej edhe më e pabesueshme, pasi letra nuk ndodhej në një bibliotekë të dorës së dytë, por në bibliotekën e Shoqërisë Mbretërore.
Rikardo, së bashku me mentorët e tij Franko Xhudiçe në Universitetin e Bergamos, dhe historianin e shkencës Mikele Kamerota nga Universiteti i Kaljarit, përshkruajnë detajet dhe implikimet e letrës në një artikull në revistën zyrtarë të Shoqërisë Mbretërore.
Disa historianë të shkencës, nuk pranuan të komentonin gjetjen para se të shqyrtonin me imtësi artikullin. Por Alan Çhapman, historian i shkencave në Universitetin e Oksfordit në Mbretërinë e Bashkuar dhe president i Shoqërisë për Historinë e Astronomisë, thotë se “ajo ka kaq shumë vlerë, sa që do të sjellë njohuri të reja mbi atë periudhë kritike”.
Galileo Galilei e shkroi letrën në vitin 1613 drejtuar Benedeto Kastelit, një matematikan në Universitetin e Pizës në Itali. Në të, Galileo shqyrtoi për herë të parë argumentet e tij, se kërkimi shkencor duhet të jetë i lirë nga doktrina teologjike.
Ai argumentoi se referencat e pakta në Bibël mbi ngjarjet astronomike, nuk duhet të interpetohen fjalë për fjalë, pasi skribët i kishin thjeshtuar këto përshkrime, në mënyrë që ato të mund të kuptoheshin nga njerëzit e thjeshtë. Autoritetet fetare që argumentonin ndryshe, shkroi ai, nuk kishin kompetencë për të gjykuar.
Më e rëndësishmja, ai arsyetoi se modeli heliocentrik i Tokës në orbitën e Diellit, i propozuar nga astronomi polak Nikola Koperniku 70 vjet më parë, nuk ishte i papërputhshëm me Biblën. Galilei, që asokohe jetonte në Firence, shkroi mijëra letra, shumë prej të cilave janë traktate shkencore. Kopjet e më të rëndësishmit, u lexuan menjëherë nga lexues të ndryshëm dhe u qarkulluan gjerësisht.
Një nga 2 versionet e njohura që mbijetoi, ndodhet në Arkivat Sekrete të Vatikanit. Ky version iu dërgua Inkuizicionit në Romë më 7 shkurt 1615, nga një prift dominikan me emrin Nikolo Lorini. Historianët e dinë se Kasteli ia ktheu më pas letrën Galileut. Dhe se më 16 shkurt 1615 Galilei i shkroi një letër mikut të tij Piero Dini, një klerik në Romë, duke sugjeruar që versioni që Lorini i kishte dërguar Inkuizicionit, mund të ishte i redaktuar.
Galileo dërgoi në atë letër një version më pak polemizues të sistemit heliocentrik, për të cilin ai tha se ishte i saktë, dhe kërkoi nga Dini ta kalonte atë tek teologët e Vatikanit. Letra e tij ndaj Dinit, ankohet për “ligësinë dhe injorancën” e armiqve të tij, dhe paraqet shqetësimin e tij se inkuizicioni “mund të jetë pjesërisht i mashtruar”.
Së paku një duzinë kopjesh të versionit të letrës së Galileit dërguar Dinit, ruhen tashmë në koleksione të ndryshme. Ekzistenca e dy versioneve krijoi konfuzion mes studiuesve, mbi atë se cili i përket origjinalit të Galileut. Kopja e zbuluar nga Rikardo, tregon formulimin origjinal të Galileos – dhe është e njëjtë si në kopjen e Lorinit.
Ndryshimet janë shumë domethënëse. Në një rast, Galilei iu referua disa thënieve në Bibël si “të rreme, nëse dikush i analizon në kuptimin e tyre të fjalëpërfjalshëm”. Ai ndryshoi përdorimin e termit “false”, dhe e zëvendësoi atë me “me duken ndryshe nga e vërteta”. Në një seksion tjetër, ai ndryshoi referencën e tij ndaj shkrimeve biblike, duke ”rënë dakord” me dogmat e saj më themelore.
Kjo sugjeron se Galileo Galilei e moderoi gjuhën e tekstit të tij, thotë Xhudiçe. Për të qenë të sigurt, që letra është shkruar vërtet nga Galilei, 3 studiuesit krahasuan fjalët të veçanta në të, me fjalë të ngjashme në veprat e tjera të shkruara nga Galileo të së njëjtës periudhë.
Historianët, po përpiqen tani të gjejnë më saktsi, se prej sa kohësh letra ndodhej në bibliotekën e Shoqërisë Mbretërore, dhe se si shkoi atje. Ata e dinë se ka qenë atje prej së paku në mesin e shekullit XVIII, dhe kanë gjetur të dhëna se mund të ketë qenë atje edhe një shekull apo më herët.
Studiuesit, spekulojnë se letra mund të ketë ardhur në bibiliotekë falë lidhjeve të ngushta midis Shoqërisë Mbretërore dhe Akademisë së Eksperimenteve në Firence, e cila u themelua në vitin 1657 nga studentët e Galileit, por u mbyll brenda një dekade apo më shumë. / bota.al