Gjithçka duhet të dini për çfarë ndodhi 1 vit më parë me “Grushtin e Shtetit” në Turqi
Autobusët ndalen gjysmë kilometri para gjykatës: të burgosurit duhet të zbresin. Pjesën e fundit të rrugës duhet ta kalojnë në këmbë. Dy roje e fusin të burgosurin në mes, e shtyjnë, pranë tyre marshojnë ushtarë me uniforma të luftës, me pushkë automatike të gatshme për të shtënë. Pas gardhit shtyhen demonstruesit, bërtasin «Tradhtarë!», «Vrasës!». Dora dorës britma e turmës rritet. Atë ditë, më 22 maj 2017, shteti turk akuzoi në Ankara 221 burra: Dyshohet se më 15 korrik 2016 i kanë prirë puçit kundër Presidentit Erdogan. 12 prej tyre janë në arrati apo në ekzil – mes tyre i dyshuari kryesor, predikuesi islamik Fethullah Gylen. Në hyrje të gjykatës i presin gazetarët. Njëri pas tjetrit të akuzuarit përmes shkallëve dërgohen më lart, në një distancë të caktuar, në mënyrë që kamerat t’i regjistrojnë fytyrat e tyre nga afërsia. Tiparet i kanë si të ngrira, shikimin si të përhumbur. Shteti i prezanton ata si plaçkë. Deri më sot është e diskutueshme se çfarë ka ndodhur më 15 korrik 2016 në Turqi. Sipas presidentit Erdogan, predikuesi Gylen dha urdhër për puç nga ekzili i tij në SHBA: mbështetësit e tij në ushtri, sidomos ata në forcat ajrore, pastaj tentuan të marrin pushtetin në vend. Sipas tij, puçi dështoi për shkak të rezistencës së qytetarëve, të cilët dolën në rrugë kundër ushtarëve. Në anën tjetër, Fethullah Gylen thotë se përpjekja për puç ishte një inskenim i Erdoganit, i cili synonte kështu që të zgjeronte pushtetin. Edhe partnerët e Turqisë në Perëndim deri më sot nuk mund të thonë saktë se cili version është i vërtetë. Presidenti Erdogan e mori si shkas sulmin kundër qeverisë së tij për një fushatë kundër të gjitha forcave shoqërore, të cilat nuk e mbështesin atë. Që nga korriku i kaluar nga administrata publike janë pezulluar gati 140 mijë zyrtarë, rreth 50 mijë njerëz janë arrestuar.
Në përvjetorin e parë të puçit, “Der Spiegel” rindërton ato orë dramatike, gjatë të cilave humbën jetën gati 300 njerëz dhe kësisoj demokracia filloi të marrë fund tani për tani në Turqi. Dokumentat që “Der Spiegel” ka në dispozicion, aktakuzat dhe raportet hetimore, duhet të vlerësohen me kujdes: dëshmitarët janë kundërthënës, drejtësia është e kontrolluar nga Erdogani, thuhet se të akuzuarit e kanë pranuar fajin pjesërisht për shkak të torturave të policisë turke. Por, në përgjithësi dokumentet e prokurorisë, raportet e ushtrisë dhe të komisionit parlamentar, deklaratat e dëshmitarëve nga hetimet policore si dhe intervistat me më shumë se 20 pjesëmarrës në ngjarje – oficerë, politikanë, zyrtarë – ofrojnë një pamje të përafërt të asaj çfarë ka ngjarë.
E shtunë, 9 korrik 2016 Ankara
Teologu Adil Öksüz mbledh një grup burrash në një vilë: dy gjeneralë të ushtrisë turke, një admiral, civilë. 49 vjeçari Öksüz, një burrë i ngjeshur me mustaqe, gjatë karrierës së tij si akademik në Anadollin perëndimor nuk ka publikuar asgjë përveç punimit të doktoratës. Megjithatë, ndikimi i tij është i madh. Öksüz konsiderohet njeri i besueshëm i predikuesit turk në mërgim Fethullah Gylen; në fotografi ata dy shihen duke u falur bashkë dhe në vilën e Gülenit në Pennsylvania, SHBA. Gylen ka krijuar një perandori me shkolla, universitete dhe shtëpi mediale në më shumë se 160 vende. Përkrahësit e tij mbajnë pozita kyçe në shtetin turk. Për çdo institucion Güleni ka caktuar një prijës, një të ashtuquajtur imam. Sipas kuadrove të Gylenit, Adil Öksüz «imami i ushtrisë» dhe përgjegjës ruajtjen e ndikimit të lëvizjes Gylen në forcat e armatosura. Thuhet se shumë ushtarë u binden urdhrave të tij më shumë sesa urdhërave të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Një kohë të gjatë Erdogani dhe Gyleni e kanë kontrolluar bashkë Turqinë – më së voni deri në 2013, kur u ngatërruan për çështje pushteti. Qysh nga atëherë, Erdogani i përndjek përkrahësit e predikuesit si terroristë; nga ana tjetër lëvizja Gylen dëshiron ta heqë qafe Presidentin.
Adil Öksüz e hap mbledhjen sekrete në Ankara me një lutje. Sipas deklaratave të dëshmitarëve para prokurorisë ky grup pastaj shqyrton detajet e fundit të planit, të cilin e ka hartuar Öksüz: një ekip i përbërë nga ushtarakë elitarë do ta arrestonte Presidentin Erdogan dhe do ta dërgonte në një anije në Detin Mesdhe. Shefit të Shtabit Hulusi Akar, do t’i mbushej mendja që t’i prijë puçit. Disa pjesëmarrës në këtë mbledhje dyshojnë në suksesin e planit. «Mos lejoni që të na e prishë mendjen shejtani me mendime negative», tërheq vërejtjen hartuesi i puçit Öksüz, sipas aktakuzës.
E hënë, 11 korrik 2016 Aeroporti Atatürk, Stamboll, 6:45
Adil Öksüz udhëton në biznes drejt New York me Fluturimin 003 të Turkish Airlines. Bashkë me të nhdodhet Kemal Batmaz, një ish-menaxher i kompanisë “Kaynak” të Gylenit. Prokuroria mendon se Öksüz dhe Batmaz fluturuan në SHBA për të marrë miratimin final për puçin nga Gyleni. Por, për këtë Prokuroria nuk ka prova. E sigurt është se Öksüz dhe Batmaz u kthyen në Turqi dy ditë më vonë me të njëjtin avion. Kamerat e sigurisë i kanë regjistruar të dy pas mbërritjes në Aeroportin Atatürk.
E premte, 15 korrik 2016 Aeroporti ushtarak Güvercinlik, Ankara, paradite
Piloti Osman Karaca kthehet më herët nga pushimet në Detin Egje. Një major kishte shkuar atje për ta marrë me makinë. Kështu do t’u tregojë më vonë hetuesve ai vetë. Majori e lut që ta ndalë telefonin. «E di që ti i takon Lëvizjes Gülen», i thotë ai Karacas. «Sonte gjatë natës do të jemi aktiv. Unë do ta marr me helikopter Hakan Fidanin (shefin e shërbimit sekret). Do të rrjedhë shumë gjak». Sipas pohimeve të tij, piloti Karaca ka qenë dikur mbështetës i Gylenit. Ka jetuar në një konvikt të Gylenit dhe, kur ka qenë ushtar, është takuar çdo dy javë me funksionarë të lëvizjes së tij. Por ishte distancuar nga lëvizja, ndërsa tani filluan që t’i lindnin dyshime. Largohet fshehurazi nga kazerma dhe shkon me taksi në selinë qendrore e shërbimit sekret turk MIT.
Selia e shërbimit sekret, Ankara 14:20
Katër zyrtarë e marrin në pyetje pilotin. Ata e pyesin se çka priste. Ai përgjigjet: «Do të ketë një aksion shumë të madh, ndoshta puç». Më së fundmi në këtë çast MIT është i njoftuar mbi një grusht të mundshëm shteti. Shefi i shërbimit sekret Hakan Fidan konsiderohet njeri i besueshëm i Erdoganit. Por, në këtë çast fatal ai fillimisht e njofton vetëm Zëvendësshefin e Shtabit. Sipas deklaratave të tij, shefi i shërbimit sekret vetëm disa orë më vonë, në orën 22, do t’i telefonojë për herë të parë Erdoganit. A thua nuk i beson burimit të tij? Apo nuk e thotë të vërtetën për ta mbrojtur Presidentin? Deri më sot Fidan nuk i është përgjigjur kësaj pyetjeje.
Baza e forcave ajrore, Akıncı, Ankara, herët pasdite
Komandanti Hakan Evrim u thotë një pjese të ushtarëve të mbarojnë shërbimin më herët se zakonisht. Këtu mbesin ata që më vonë do të marrin pjesë në komplotin kundër Erdoganit. Me ndihmën e mesazheve të koduara tekstuale puçistët thërrasin komplotistë të tjerë. Vetëm kush e di kodin «Paqe në vend», lejohet të hyjë te porta. Gjatë ditës të gjithë prijësit e dyshuar për përpjekje për puç arrijnë në Akıncı:
* Gjenerali me katër yje Akın Öztürk, ish Komandant i Forcës Ajrore. Sipas Prokurorisë, ai do t’u japë më vonë urdhër kryengritësve që të nisin aksionin.
* Gjeneralmajori Mehmet Dişli, vëllai i nënkryetarit të AKP-së Şaban Dişli (AKP është partia e presidentit Erdoğan).
* Nënkoloneli Muzzafer Dünezli. Përmes telefonit ai do të drejtojë aksionin në Stamboll.
Bashkë me 35 oficerë të tjerë, këta të tre përbëjnë Këshillin e «Paqes në vend». Emri është aludim në një parullë të themeluesit të shtetit turk Atatürk «Paqe në vend, paqe në botë». Civilët e kanë të ndaluar të hyjnë në objekte ushtarake në Turqi. Megjithatë, hartuesi i puçit dhe njeriu i besueshëm i Gylenit, Öksüz, më 15 korrik ndodhet në bazën ushtarake Akıncı. Më vonë ai do të thotë se kishte shikuar gjoja për të blerë afër bazës ushtarake. Kamerat e sigurisë po ashtu dokumentojnë sesi Kemal Batmaz, pra ai menaxheri i Gylenit që dy ditë më herët ishte kthyer nga SHBA-të bashkë me Öksüzin, natën e puçit shëtit nëpër kazermë dhe konsultohet me ushtarët.
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, Ankara, ora 18:00
Afër katër orë pas vizitës së informatorit në MIT-it, shefi i shërbimit sekret Hakan Fidan shkon te shefi i Shtabit të Përgjithshëm Hulusi Akar. I tërheq vëmendjen se ushtarët po planifikojnë një sulm. Sipas deklaratave të anëtarëve të komisionit parlamentar për hetimin e puçit, në mënyrë të habitshme Akar u tregua shpërfillës. Ai vetëm dha urdhër për ndalimin e fluturimeve ushtarake. Për vëzhguesit mbetet edhe sot enigmë sjellja pasive e shefit të Shtabit të Përgjithshëm: E nënvlerësoi situatën? Mos deshi që ti lejonte komplotistët të bien në kurth? Pati motive të tjera? Puçistët në selinë e Shtabit të Përgjithshëm mësojnë për takimin mes Fidan dhe Akar. Sipas aktakuzës, ata alarmojnë qendrën e tyre në Akıncı. Nga atje ushtarët marrin urdhrin që të godasin gjashtë orë më herët se ç’ishte planifikuar. Kërkesa do të rezultojë si gabim fatal, sepse do të ndikojë që Erdogani të arrijë të mobilizojë popullin kundër kryengritësve. Në orët e hershme të mëngjesit kjo vështirë se do të ishte e mundur.
Hoteli Grand Yazici Club Turban, Marmaris, rreth orës 20:00
Presidenti Erdogan është duke pushuar në bregdetin e Egjeut bashkë me gruan e tij Emine, vajzën Esra, burrin e saj, Ministrin e Energjetikës Berat Albayrak dhe me tre nipa e mbesa. Më vonë në një intervistë Erdogan do të thotë se dhëndërri e kishte informuar përmes telefonit për «problemet me ushtarë» në Stamboll. Sipas të thënave të tij, Erdogani ishte përpjekur t’i telefonojë shefit të shërbimit sekret Fidan, por gjoja pa sukses. Presidenti turk e qeveris vendin e tij si despot, por përpjekjen për puç i bie t’a ketë mësuar vetëm në mbrëmje nga dhëndërri i vet? Versioni i Erdoganit ngjall dyshimin se ai mund ta ketë ditur më parë për grushtin e shtetit, por e kishte lejuar që të avanconte për të përfituar politikisht.
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, Ankara, ora 20:30
Shefi i shërbimit sekret Fidan dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm e përfundojnë takimin. Menjëherë pasi Fidan lë selinë e Shtabit të Përgjithshëm, në poligon shfaqet Gjeneralmajori Mehmet Dişli. 55-vjeçari Dişli drejton Sektorin e Strategjisë në Shtabin e Përgjithshëm. Më vonë dëshmitarët do ta përshkruajnë atë në Prokurori si besnik të Gylenit. Rreth orës 21:00 Dişli troket në derën e zyrës së Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Akar për t’i mbushur mendjen që t’i printe puçit. Akar do t’ua shpjegojë këtë hetuesve dhe një gjë të tillë do ta konfirmojnë edhe oficerët, të cilët gjendeshin në zyrë gjatë bisedës. Vetë Dişli thotë se nuk është puçist, por se ishte detyruar nga kryengritësit që të fliste me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm. Shefi i Shtabit refuzon t’i bashkohet komplotit. «Kush jeni ju? Keni lojtur nga mendja?», bërtet ai. Puçistë të tjerë afrohen, i vënë prangat dhe e dërgojnë me helikopter në bazën Akıncı, në qendrën e puçit. Sipas deklaratës së mëvonshme të Akar, atje Komandanti Evrim i ofron kontakt me Gylenin.
Aeroporti ushtarak Güvercinlik, Ankara, 21:30
Karaca, njeriu që informoi shërbimin sekret për puçin që do të ndodhte, është kthyer në kazermë. Një major e kap për krahu. I thotë: «Duhet të fluturojmë, menjëherë!». Dëshiron të shkojë te selia e puçistëve në Akıncı. Ushtarët grumbullohen në kazermë. Mbi një tavolinë gjenden jelekë antiplumb, aparate për vëzhgim natën, automatikë, municion. Karaca e shfrytëzon kaosin për të ikur nga kazerma pa rënë në sy. I telefonon një personi me të cilin mban kontakt në shërbimin sekret dhe e informon atë mbi fluturimin e planifikuar drejt bazës Akıncı.
Ura e Bosforit, Stamboll, rreth orës 22:00
Volkan Koç, drejtuesi i portalit të lajmeve «Haberdar», është duke shkuar në shtëpi pas një kremtimi, kur sheh se si ushtarët po e bllokojnë kalimin në Urën e Bosforit. Kur i pyet për arsyen e këtij gjesti, merr një përgjigje të shkurtër: «Tani shpallet menjëherë gjendja e jashtëzakonshme». Gazetari 30-vjeçar përherë kishte shpresuar të nxirrte një lajm vërtet të madh. Përmes telefonit, ai i dikton redaksisë së tij: «Ushtria shpall gjendjen e jashtëzakonshme». Koç është gazetari i parë që raporton mbi përpjekjen për puç. Politikanë të AKP-së i telefonojnë Gjeneralmajorit Dişli. Duan të dinë se ku ndodhet. Ai i refuzon. Nuk njofton as vëllain, nënkryetarin e AKP-së, Şaban Dişli. Më vonë do të thotë se nuk e ka pasur numrin e tij.
Aeroporti Esenboğa, Ankara, rreth orës 22:00
Punëtorët për rregullimin e trafikut ajror marrin një lajm. Kolegët e tyre nga baza e forcave ajrore Akıncı i njoftojnë se dy avionë luftarakë F-16, «Luani 1» dhe «Luani 2», janë nisur për të bërë një fluturim mbi Ankara në lartësi prej 21 mijë këmbësh. Piloti i «Luanit 1» thotë se bëhet fjalë për një «aksion të veçantë». Pak më vonë avionët fluturojnë në lartësi të ulët mbi kryeqytet. Punëtorët për rregullimin e trafikut ajror në Esenboğa kërkojnë shpjegim. Kolegët në Akıncı u përgjigjen se pilotët e F-16 e kishin fikur radiolidhjen dhe se kontakti me ta nuk mund të vendosej më. Po ashtu, thanë ata, sapo ishin nisur edhe dy avionë.
Ura e Bosforit, Stamboll, ora 22:20
Gjenerali Ümit Dündar, Komandant i Armatës së Parë, përpiqet pa sukses t’i telefonojë Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe zëvendësit të tij. Pastaj ai shkon te Ura e Bosforit, por kthehet kur sheh se hyrja në urë është e bllokuar nga ushtarët. Kështu do të shprehet më vonë. Puçistët e shohin Dündar si kundërshtarin e tyre kryesor. Përmes një grupi të krijuar prej tyre në WhatsApp, ata bëjnë thirrje për ta ndjekur. «Arrestojeni komandantin, me çfarëdo çmimi», shkruan një kolonel.
Aeroporti Atatürk, Stamboll, ora 22:45
Shefi i opozitës Kemal Kılıçdaroğlu sapo është ulur në Stamboll, kur një zëdhënës i tij e njofton për grushtin e shtetit. I drejtohet nënkryetarit të AKP-së, i cili është ulur pranë tij në rendin e parë të avionit të Turkish Airlines dhe i thotë një fjali, e cila do ta karakterizojë të gjithë rrjedhën e mbrëmjes: «Ne jemi kundër puçit». Kılıçdaroğlu dhe kolegu i tij nga AKP shoqërohen prej truprojeve nga pista në zonën VIP. Ata ia dalin që t’iu shmangen puçistëve dhe të arrijnë në qytet. Po atë natë, në television, Kılıçdaroğlu do t’i kritikojë ushtarakët që e kishin autorizuar veten për marrjen e pushtetit.
Selia qendrore e Forcave Speciale, Kazerma Bayrampaşa, Stamboll, ora 22:50
Qeveria dëshiron të ndërhyjë me policë specialë, por kryengritësit ua bllokojnë daljen me tank. Përmes grupit të WhatsApp-it, Nënkoloneli Düzenli, i cili koordinon operacionin në Stamboll, shkruan: «Policët nuk guxojnë kurrsesi të dalin nga Kazerma Bayrampaşa. Merrni masat e duhura».
Rajoni i Detit të Zi, rreth orës 23:00
Kryeministri Binali Yıldırım është nisur nga Stambolli me veturë për të shkuar në Ankara, por rrugët kontrollohen pjesërisht nga puçistët. «Nuk mund ta vazhdojmë rrugën më tej», tërheqin vërejtjen truprojat e Yıldırımit. Për një çast Kryeministri nuk e di nga t’ia mbajë, ka frikë. Nuk mund të përjashtohet mundësia që puçistët ta sulmojnë nga ajri. Në kërkim të sigurisë, Kryeministri me ekipin e tij fshihet në një tunel në Detin e Zi me orë të tëra. Në një intervistë telefonike me televizionin NTV, ai konfirmon se pjesë të ushtrisë janë duke bërë puç kundër qeverisë.
E shtunë, 16 korrik 2016 Selia e kryeministrit, Ankara, pak pas mesnatës
Nëntë ministra thirren për të mbajtur një mbledhje urgjente. «Duhet të jemi gati për të vdekur», thotë njëri prej pjesëmarrësve sipas raporteve të mediave turke. Në televizionin shtetëror TRT një moderatore detyrohet të lexojë një deklaratë të puçistëve: «Demokracia e bazuar në ndarje të pushtetit është shmangur. Në këto kushte ne nuk mund t’i kryejmë më detyrimet tona. Kemi marrë kontrollin me moton: paqe në vend, paqe në botë».
Stamboll, në të njëjtën kohë
Puçistët kanë vënë nën kontroll Aeroportin Atatürk, Bursën, televizionin shtetëror. Ata rrethojnë selinë e partisë qeverisëse AKP. Duket sikur edhe pak dhe po ia arrijnë qëllimit. «Ndaj atij që kundërshton do të jemi të ashpër», kërkon udhëheqësi i puçit Düzenli në WhatsApp. «Ky është urdhër i prerë».
Hoteli Grand Yazici Club Turban, Marmaris, ora 00:24
Thuhet se Presidenti ka vdekur apo gjendet në arrati, kur papritmas Erdogan shfaqet në kanalin CNN Türk. Ai është i lidhur me aplikacionin Facetime nga vendi ku po pushonte. Pamjet e Presidentit nuk janë shumë të pastra dhe kanë dridhje, por Erdogan dallohet mjaft qartë. I bën thirrje popullit për rezistencë kundër ushtarakëve: «Dilni në rrugë dhe sheshe dhe jepuni një përgjigje». Shefi i shtetit luan me të gjitha kartat, me apelin e tij ai rrezikon vdekjen e mijëra njerëzve. Tani Erdogan dëshiron të kthehet në Ankara, por pas një bisede me Ümit Dündar, komandantin e Armatës së Parë, ai ndërron planin. «Zoti Presidenti, unë jam besnik ndaj jush», i thotë Dündar në telefon. «Ejani në Stamboll. Do ta garantoj unë sigurinë tuaj». Një helikopter e dërgon Erdoganin dhe familjen e tij në aeroportin më të afërt në Dalaman. Për t’ju shmangur radarit, piloti fluturon ulët dhe pa drita.
Stamboll, ora 00:52
Gjenerali Dündar mobilizon trupat e tij kundër puçistëve. I jep edhe një intervistë televizionit «A Haber»: «Kjo përpjekje për puç është vepër e një grupi të vogël ushtarësh. Ai nuk përkrahet nga ushtria turke». Deklarata e Dündarit shënon një kthesë. Për herë të parë bëhet e qartë se pjesë të mëdha të ushtrisë do të pozicionohen kundër puçistëve.
Aeroporti Dalaman, rreth orës 01:30
Erdogani dhe familja e tij hyjnë në avionin e Presidentit, një Gulfstream IV, dhe nisen drejt Stambollit. Piloti e ndërron sinjalin e avionit nga TC-ATA në THY 8456 për t’i mashtruar puçistët. Megjithatë, avioni i Erdoganit ndiqet nga avionët luftarakë F-16. Asnjëherë më parë gjatë kësaj nate kryengritësit nuk kanë qenë kaq afër sa për ta vrarë Presidentin. Përse nuk e kanë bërë mbetet enigmë akoma sot. Thuhet se pilotët luftarakë me gjasë frikësoheshin se mos avioni mund të ishte një avion linje me pasagjerë. Kur avioni mbrrin në Stamboll, pista është e mbuluar nga errësira. Piloti bën xhiro mbi qytet, por Drejtori i Policisë së Stambollit e siguron Presidentin se njerëzit e tij mund ta marrin kullën e aeroportit brenda çerek ore. Erdogani vendos të ulet.
Stamboll, rreth orës 01:45
35 vjeçari Sabri Ünal, ekspert i informatikës, kurrë nuk është interesuar shumë për politikën. Gjatë zgjedhjeve shpesh ka qëndruar në shtëpi, por kur mëson në Twitter mbi tentativën për puç, ka dale menjëherë në rrugë. Në lagjen Üsküdar tashmë janë mbledhur mijëra njerëz. Me urdhër të qeverisë, xhamitë u bëjnë thirrje qytetarëve që t’i rezistojnë puçit. Eksperti i informatikës dëshiron të shkojë te Ura e Bosforit. Kalimthi dëgjon një burrë duke bërtitur: «Shtriu! Po gjuajnë!». Më pas sheh një tank duke ardhur me shpejtësi drejt tij. Nuk arrin t’i shmanget, leshohet përtokë. Një kamerë xhiron dy tanke duke kaluar mbi të. Kryengritësit gjenden në presion gjithnjë e më të madh. «I kemi vrarë 20 deri 30 veta, por shokët tanë në urën e dytë të (Bosforit) kanë vështirësi», ankohet një major në WhatsApp. 3000 deri 4000 demonstrues rrethojnë selinë e AKP-së në Stamboll. Edhe në Aeroportin Atatürk civilët rezistojnë. Düzenli, udhëheqësi i puçistëve, urdhëron: «Ndaj njerëzve të grumbulluar të hapet zjarr». Një shok i tij mendon njëlloj: «Vritini. Pa mëshirë».
Parlamenti, Ankara, ora 02:35
Mustafa Yeneroğlu, deputet i AKP-së, po shkruante bashkë me përfaqësues të të gjitha partive një deklaratë të përbashkët kundër puçit, kur ushtarët sulmuan nga ajri Parlamentin. Deputetët vrapuan drejt një bodrumi të godinës. Yeneroğlu përcjell nëpërmjet celularit sesi puçistët po bombardojnë Pallatin Presidencial dhe selinë e shërbimit sekret. I dërgon një SMS gruas së tij, e cila gjendet me tre fëmijët në Gjermani, ku është rritur edhe Yeneroğlu: «Bëhu e fortë. Kujdesu për fëmijët».
Hotel Grand Yazici Club Turban, Marmaris, rreth orës 03:00
Njësi me helikopterë të puçistëve pritet të nisen nga Kodrat Taurus për ta arrestuar Erdoganin, por forcat e sigurisë ndalojnë trafikun ajror. Puçistët dërgojnë ushtarë nga Izmiri. Burra me uniforma kamuflazhi lëshohen me litarë prej tre helikopterëve në oborrin e Grand Yazici Club Turban. Vërsulen drejt hotelit, duke gjuajtur me armë në ajër, por Erdogani ka kohë që është larguar prej aty. Një officer shkruan më pas në grupin e WhatsApp: «A ja këputet kokën gjarpërit?». Nuk merr asnjë përgjigje.
Sheshi Taksim, Stamboll, rreth orës 03:40
Policët kanë rrethuar Sheshin Taksim, vendin qendror të qytetit për tubime politike. Ata gjuajnë me gaz lotsjellës, ndalojnë ushtarë. Avionë luftarakë fluturojnë ulët mbi qytet. Për një çast duket se Turqia ndodhet në luftë. Demonstruesit nuk largohen nga rruga. Puçistët e dorëzojnë Sheshin Taksim, po ashtu edhe Qendrën për Mbrojtje nga Katastrofat, Bursën dhe Aeroportin Atatürk. «Zoti ju ruajttë», shkruan Nënkoloneli Dünzeli nga qendra e puçit.
Aeroporti Atatürk, Stamboll, rreth orës 04:15
Njerëzit sapo i kanë përzënë puçistët. Tani po përgatiten t’i bëjnë një pritje solemne Erdoganit. Ngrenë duart lart për të bërë përshëndetjen e Vëllazërisë Myslimane. Ulërasin: «Tayyip, jemi gati të vdesim për ty!» Tiparet e fytyrës së Erdoganit janë të ngrira, sytë po i mbyllen. Në fjalimin e tij ja hedh fajin Gylenit për puçin: «Nëse e pranojmë se gjithçka ndodh për shkak të një arsyeje, atëherë kjo përpjekje (për puç) është dhuratë nga Zoti, pasi na mundëson pastrimin e ushtrisë».
Shtabi i puçistëve Akıncı, Ankara, pas orës 06:00
Për puçistët tashmë është problemi sesi të mbijetojnë. Avionë luftarakë të ushtarakëve besnikë ndaj Erdoganit janë ngjitur në qiell për t’i goditur sistematikisht. Hartuesi i puçit Öksüz përpiqet pa sukses të largohet nga baza e forcave ajrore. Kundër Gjeneralit Öztürk hapet zjarr sapo futet në një helikopter. Është arrestuar ashtu si Gjeneralmajori Dişli dhe Nënkolonel Düzenli. Trupat qeveritare arrijnë ta lirojnë Shefin e Shtabit Akar dhe e dërgojnë në selinë e Kryeministrisë.
Stamboll, herët në mëngjes
«A dështoi operacioni?», pyet një oficer nëpërmjet WhatsApp. «Po. Uroj të mbeteni gjallë, komandant», është përgjigjia që i vjen.
Sot
Të dyshuarit kryesorë për puçin, Gjenerali Öztürk dhe Gjeneralmajori Dişli duhet të përgjigjen këto ditë përpara gjyqit në Ankara, kurse Dünezli në Stamboll. Öksüz, i cili thuhet se e ka përgatitur grushtin e shtetit, është liruar përkohësisht nga një gjykatës për shkaqe që mbesin enigmatike. Ndodhet në kërkim. Shefi i shërbimit sekret Fidan dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Akar janë lejuar të mbajnë postet e tyre, ndonëse para puçit qartazi kanë dështuar. Gjenerali Dündar, Komandanti i Armatës së Parë, pas 15 korrikut përparoi në karrierë dhe u bë Zëvendësshef i Shtabit të Përgjitshëm. Piloti Karaca, i cili me informatën e dhënë MIT-it ndryshoi në mënyrë thelbësore rrjedhën e tentativës së puçit, gjendet nën kontrollin e shërbimit sekret. Me sa duket qeveria nuk dëshiron që ai të deklarohet publikisht. Megjithatë, disa pyetje nga nata e puçit mbesin pa përgjigje, para së gjithash kjo: përse nuk veproi më herët qeveria kundër rebelëve, pavarësisht se institucionet shtetërore jo më vonë se të premten herët paradite qenë informuar për planet e rebelëve? Edhe pjesëmarrja e Fethullah Gylenit nuk mund të artikulohet qartë dhe të dëshmohet, pavarësisht shumë indikacioneve ndaj mbështetësve të tij. Ndryshe nga Perëndimi, në Turqi pothuaj askush nuk dyshon se kuadrot e Gylenit i kanë prirë kryengritjes. Pas shumë aksioneve të spastrimit në ushtri, kjo lëvizje ishte pjesa e vetme që kishte fuqi të mjaftueshme sa për t’iu kundërvënë qeverisë. Grupe të tjera ka mundësi që të jenë bashkuar me Lëvizjen Gylen, mes tyre kemalistë dhe oficerë, të cilët shpresonin se pas puçit do të përparonin në karrierë. Opozita po kërkon qartësi. Por, as shefi i shërbimit sekret, as Shefi i Shtabit të Përgjithshëm deri më tani nuk kanë dhënë deklarata para komisionit hetimor parlamentar. Erdogani nuk ka interes në hetimin e mëtejeshëm të 15 korrikut. Atij tani i interesojnë gjëra të tjera. Eksperti i informatës Sabri Ünal ka qëndruar gjatë në spital, pasi tanket e kishin shkelur natën e puçit. Deri më sot pothuajse nuk mund të flerë për shkak të dhimbjeve. Megjithatë, thotë ai, sërish do t’ua zinte rrugën puçistëve.
(Maximilian Popp për Der Spiegel)Përgatiti: ARMIN TIRANA /Botaal